Nga Andi Bushati
Duke hedhur ku të mundet gurë mbi veten, për aktet radikale që ndërmori gjatë vitit 2019, opozita ende drithërohet kur përmenden fjalët bojkot, tërheqje, mospjesmarrje. Vuajtja prej kësaj sindrome po shfaqet edhe tani kur i duhet të diskutojë ftesën e Edi Ramës, për të marrë pjesë në komisionin absurd, “anti korrupsion”. Ka në gjirin e saj deputetë dhe figura nga ato që politikën e dinë si artin e të qenit i pëlqyer nga ambasadat, të cilët predikojnë se është më mirë të jenë prezent, të thonë fjalën e tyre dhe ti vërsulen si demi cohës së kuqe që u tund para brirëve kryemninistri.
Por, kush e ndjen vetën kundërshtar të vërtetë të këtij regjimi, nuk ka pse i dëgjon këmbanat e këtyre idiotëve të dobishëm të pushtetit. Ka më shumë se një arsye se përse PD dhe aleatët e saj duhet ti thonë “JO” farsës së Ramës që u kujtua pas 11 vitesh, se korrupsioni u dashka luftuar.
Së pari, kundërshtarëve të qeverisë nuk i intereson legjitimimi i këtij komisioni që e fillon punën në prag të zgjedhjeve dhe i mbivendoset komisioneve të tjera parlamentare apo institucioneve të pavaruara. Duke e pranuar atë opozitarët, në fakt, i hapin dritën jeshile panimit të produkteve për të cilat kërkohet ngritja e tij. Nëse ata pretendojnë se qëllimi është prekja e reformës në drejtësi dhe kontrollimi i mëtejshëm i SPAK, ata nuk kanë pse bëhen, qoftë edhe përmes kundërshtimesh, pis me këto qëllime të mbrapshta.
Së dyti edhe nga ana formale, ky komision po ngrihet si një kostum i prerë me porosi për Edi Ramën. Ai e paralajmëroi atë me një fjalim të gjatë, denjoi vetë të shkelë në parlament për të mbështetur rezolutën dhe as nuk u konsultua apo dialogoi me opozitën. Edhe një ditë më parë ngritjes së komisionin, deputetët e saj nuk dinin as qëllimin dhe as objektin e tij, që edhe tani pas votimit me 74 vota mbetet ende flu. Pra përfaqësuesit e votuar të mbi 600 mijë kundërshtarëve të rilindjes janë të dënuar të mos e shndërrojnë ekzistencën e tyre në një fasadë të pushtetit. Ata nuk e kanë mandat për të lujatur rolin e kukullave të autokratit.
Së treti dhe nga pikpamja politike opozitës nuk i leverdis të bëhet në prag të zgjedhjeve pjesë e bashkëfajësisë. Nëse qëllimi i shpallur i komisionit “anti korrupsion” është të riparojë efektet e një sistemi grabitës 10 vjeçar, opozita nuk ka pse merr përgjegjësi për të. Detyra e saj është të denoncojë abuzimet e kundështarit dhe jo ta ndihmojë atë të korrigjohet. Ftesa: “ne vjedhim e ju hajde na pastroni”, është absurde edhe të shqiptohet e jo më të pranohet.
Por, përpos tre arsyeve të mësipërme ka edhe një tjetër shumë më themelore dhe më të rëndësishme. Ajo ka mbi të gjitha lidhje me numrat. Ata që predikojnë pjesmarrjen e opozitës në këtë komision parlamentar e argumentojnë qëndrimin e tyre me faktin se Edi Rama do të prekë reformën në drejtësi, do të heqë nene të kodit penal që frikësojnë zyratrët e tij, do të rrisë trysninë ndaj SPAK. Prandaj- thonë ata- ne duhet të jemi prezentë për të rrezistuar dhe denoncuar. Por, ata harrojnë një gjë. Forca për të penguar kryeministrin në këto qëllime hipotetike djallëzore, nuk varet nga prezenca në komision, por nga aftësia për të shtrënguar radhët për të mos i lejuar atij të votojë në parlament ligje apo ndryshime kushtetuese që kërkojnë shumica të cilësuara. Pra çfarëdo që të vendosë komision parlamentar ku rilindja ka shumicën dhe prodhon propozimet që do, nëse opozita ruan më tepër 1/3 apo 2/5 e deputetëve (sipas llojit të ndryshimit që propozohet) ajo e kthen në nul çdo nismë të shumicës. Në të kundërtën, nëse ajo nuk arrin të garantojë kompaktësinë e deputetëve të saj, pjesmarrja në komision është e kotë pasi Rama do votojë, në fund, çfarë të dojë.
Pra, prezenca në komisionin e “anti korrupsionit” është një sifilatë e panevojshme. Opozita është e dënuar ta bojkotojë atë. Madje pa pasur pikë kompleksi nga kjo fjalë. Pa dëgjuar për më tepër ata që i bien fyellit të ambasadorëve, se PD është dëmtuar më shumë se gjithçka nga bojkoti.
Të gjithë atyre që mbrojnë këtë tezë u duhet bërë një pyetje. Po mirë, po nga rruga konsensuale dhe nga marrëveshjet me Ramën, a ka fituar gjë PD-ja? A doli ajo me kokën lart, kur braktisi çadrën për të dëgjuar këshillat e emisarit amerikan Brian Hoyt Yee? A mori garanci kur u fut në qeveri me Ramën pas marëveshjes së majit 2017, gjoja për të garantuar zgjedhjet që ishin mbyllur që pa nisur?
Po katë vjet më pas ç’e mirë i ndodhi, kur vendosi të lërë bojkotin për të hyrë në “tryezën politike”. Nga se e mbrojti marrveshja me garant SHBA dhe BE e 5 qershorit. A nuk i përmbysi Rama të gjitha, pa pyetur për arbitrat dhe duke bërë prapë atë që deshi?
Pra, jo vetëm rruga radikale, por as ajo e të moderuarve që predikojnë kompromis, nuk japin garanci përballë rregjimeve anti demokratike që kanë në dorë dhe gurin dhe arrën. Në të tilla kushte të vështira opozitës i mbetet vetëm një gjë në dorë: të ruajaë parimin dhe të respektojë mandatin që i ka deleguar ajo pjesë e shqiptarëve që janë kundërshtarë të Edi Ramës. Ata janë kundër lojrave të të shërbyerit si fasadë, apo pjesmarrjes në farsat që organizon ai. Për çdo opozitar, frika se mund të tradhëtojë këtë thirrje duhet të jetë shumë më e madhe sesa kompleksi nga bojkoti.
/Lapsi