Në vitin 2021, teksa një pjesë e mirë e shqiptarëve s’kishin bërë ende vaksinën e parë kundër Covid 19, kryeministri Edi Rama premtoi ngritjen e një fabrike vaksinash në Shqipëri. Koha tregoi se premtimi nuk ishte gjë tjetër veçse një manovër politike për të forcuar mbështetje publike në kohën e pandemisë.
Gjatë pandemisë COVID-19, kombet në mbarë botën e gjetën veten duke u përballur jo vetëm me pasojat fizike dhe ekonomike të virusit, por edhe me përhapjen tinëzare të dezinformatave dhe propagandës. Shqipëria, si shumë vende të tjera, kishte sfidat e saj në detin e trazuar të dezinformimit, keqinformimit dhe propagandës.
Një ndër premtimet më të bujshme të asaj kohe ishte zotimi i kryeministrit Edi Rama për të ngritur një fabrikë për prodhimin e vaksinave të ndryshme.
Premtimi
Në fillim të vitit 2021, ndërsa Shqipëria, ashtu si shumë vende të tjera, përpiqej të siguronte vaksinat dhe të luftonte përhapjen e virusit, kryeministri Edi Rama doli përpara shqiptarëve me një premtim të guximshëm.
“…kemi nisur bisedat për të sjellë në Shqipëri edhe fabrikën e prodhimit të vaksinave. Një fabrikë e teknologjisë së lartë, e cila aktualisht është një ndër kompanitë më të mëdha farmaceutike në botë.”– deklaronte Rama, teksa pretendonte se vaksinimi kundër Covid 19 mund të bëhej i detyrueshëm dhe i përvitshëm.
Planet për ngritjen e një fabrike moderne të dedikuar për prodhimin e 7 vaksinave në Shqipëri, sipas kryeministrit, jo vetëm do të mbulonin nevojat e tregut vendas por edhe do të eksportoheshin.
“Janë prodhime të rralla që mund të eksportohen dhe patjetër që mbulojnë edhe nevojat e tregut vendas…mos mendoni që historia do të mbyllet kaq kollaj, sepse sipas të gjitha gjasave vaksina anti covid do të jetë një vaksinë që do të bëhet rregullisht. Si një vaksinë gripi. Dhe nga ana tjetër nuk besoj se tani do filloni të ankoheni ç’na duhet fabrika…”– paralajmëronte kryeministri Edi Rama asokohe.
Sipas deklartatave publike, fabrika do të ndërtohej në bashkëpunim me një kompani farmaceutike turke që bënte shpërndarjen e vaksinës Sinovac.
Si u pasqyrua premtimi në media
Në mars të 2021, ngritja e një fabrike vaksinash, u shndërrua në kryelajmin e mediave kryesore të vendit, qofshin ato tradicionale apo mediat online.
Nëse shkruan në motorrin e kërkimit google fjalët kyçe ‘Fabrikë vaksinash në Shqipëri’ të dalin mi 10, 000 rezultate.
“Jo vetëm vaksinën, por edhe fabrikën e prodhimit do ta sjellë në Shqipëri”…-
“Fabrikë vaksinash në Shqipëri, Rama diskuton për projekte të tjera në Ankara”
“Rama: Në bisedime për të sjellë fabrikën e prodhimit të vaksinave në Shqipëri…”
Këto janë disa nga titujt kryesor që pasqyruan mediat pas daljes publike të kryeministrit Edi Rama asokohe.
Dy vite më vonë
Pasi planet e qeverisë për ngritjen e një fabrike vaksinash mbetën vetëm në kuadër fjalësh, skepticizmi filloi të zëvendësonte optimizmin. Përtej deklaratave publike, në realitet nuk kishte asnjë shenjë të dukshme ndërtimi për fabrikën që do të mbulonte nevojat e vendit për vaksina kundër koronavirusit.
Dhe teksa muajt u shndërruan në vite, u bë e qartë se fabrika e shumë pritur nuk ishte asgjë më shumë së sa thjeshtë propagandë e qeverisë.
“Premtimi publik për ngritjen e një fabrike të prodhimit të vaksinave të teknologjisë së lartë në Shqipëri, është rasti klasik i propagandës politike. Nga njoftimi i kryeministrit per një investim madhor strategjik, të mirëmenduar, te realiteti kanë mbetur vetëm fjalët.”, argumenton pedagogu i gazetarisë investigative Lutfi Dervishi.
Ky hendek, sipas tij, është një strategji për të larguar vëmendjen e publikut nga çështjet urgjente ose dështimet në sektorë të tjerë.
“Sot në retrospektivë, këto deklarata shërbejnë më shumë si kujtese që “e nesërmja me arritje konkrete do të mbetet gjithmonë si ajo tabela: “sot me pagesë, nesër falas”.”, përfundon Dervishi.
Agjencia për Media dhe Informim nuk i dha përgjigje interesimit të Faktoje lidhur me mosmbajtjen e këtij premtimi madhor në kohë krize, siç ishte dhe pandemia Covid -19. MIA ia delegoi kërkesën për informacion Ministrisë së Shëndetësisë. Këta të fundit, pas një procesi ankimimi pranë Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit, dhanë këtë përgjigje:
“Për shkak të mosreagimit në kohë të Bashkimit Europian, për të mbështetur me doza vaksine kundër SARS COV 2 vendet e rajonit, çdo qeveri në mënyrën më të arsyeshme kishte përgjegjësinë e zgjidhjes së rrugëve apo mundësive alternative, për të siguruar mbrojtjen e shëndetit publik, në sigurimin e vaksinave antiCOVID, përfshirë këtu edhe mundësinë për një fabrikë vaksinash të teknologjisë së lartë.”– pohon Ministria e Shëndetësisë, në përpjekje për të justifikuar premtimin e bërë nga kryeministri Edi Rama.
Sipas këtij institucioni, në kohën kur u bë premtimi, vaksinat në gjendje nuk mbulonin nevojat e popullatës. Por më pas, qeveria arriti të mbulonte popullatën me vaksina falë një marrëveshjeje me kompaninë Pfizer, duke nënkuptuar se kjo ishte dhe arsyeja se përse qeveria nuk vijoi më tej planet për fabrikën.
“Mospasja e një fleksibiliteti në prokurimin e drejtpërdrejtë të vaksinave antiCOVID apo mossigurimi i sasisë së plotë që të mbulonte gjithë popullatën rezidente, bëri të mundur hyrjen në tratativa direkte të sigurimit të vaksinave Pfizer me marrëveshje të drejtpërdrejtë të Qeverisë shqiptare me kompaninë, gjë që siguron edhe qëndrueshmërinë në këtë proces.”, përfundon Ministria e Shëndetësisë.
Por e vërteta është se, kur kryeministri prezantoi për herë të parë planet për fabrikën, ndër të tjera theksoi faktin që ajo do të ishte për 7 lloje vaksinash dhe veç tregut vendas, synonte eksportin.
Statistika të përhapjes së dezinformimit
Përhapja e lajmeve dezinformuese që nga nisja e pandemisë Covid-19 vijon të jetë e lartë në të gjithë vendet anëtare të rrjetit europian të verifikuesve të fakteve EFCSN.
Prej fillimit të vitit 2020 dhe deri më sot, Covid 19 renditet në vend të 9, sa i përket tematikave që kanë prodhuar më shumë lajme dezinformuese në bazën e të dhënave të këtij rrjeti.
Nga 1863 artikuj në total të përgënjeshtruara nga vërtetuesit e fakteve të këtij rrjeti, 1107 janë të pavërteta, ose ndryshe 71.5% e të gjitha lajmeve të përgënjeshtruara.
9.3% janë lajme pjesërisht të vërteta dhe vetëm 2.32% janë lajme të vërteta. Tematika lidhur me Covid 19 është shoqëruar dukshëm me fushata dezinformimi.
Përfundim
Fabrika e premtuar e vaksinave në Shqipëri shërben si një kujtesë për fuqinë e propagandës në kohë krize. Ajo që u pasqyrua në media si një fener shprese u shndërrua shumë shpejt në propogande boshe. Është e domosdoshme që qeveritë dhe udhëheqësit t’i japin përparësi transparencës dhe llogaridhënies mbi retorikën boshe. Po ashtu është thelbësore edhe për qytetarët që të qëndrojnë vigjilentë ndaj keqinformimit dhe propagandës, duke u përpjekur për një shoqëri të ndërtuar mbi të vërtetën, përgjegjshmërinë dhe përparimin e vërtetë.
/ Esmeralda Topi/ FAKTOJE