Çdo luftë, në vetvete është biznes. Edhe lufta kundër drogës nuk ka si të jetë ndryshe.
Tregtia e paligjshme globale e drogës, qarkullon miliarda dollarë për vit. Dhe kjo nuk ka ndryshuar për vite me radhë.
Periudha që njihet botërisht si starti i trafikut ndërkombëtar të kokainës, me të cilën është përballur Amerika e Jugut, është epoka e Pablo Escobar dhe kartelit “Medellin”. Megjithatë, Kolumbia, që është prodhuesi më i madh i kokainës në botë, ka pasur një luftë me të hershme të autorteteve me këtë tragti të paligjshme, që nis nga vitet ’70.
Njëzet vitet e fundit problemi ka marrë përmasa kontinentale, duke prekur Meksikën, Brazilin, Paraguajin, Argjentinën, Perunë, Ekuadorin dhe El Salvadorin. Zona të tëra të Amerikës Latine kanë marrë formën e zonave gri, jashtë kontrollit të autoriteteve shtetërore, ku mbizotëron anarkia dhe ligji i rrugës. Ku luftërat e bandave janë bërë pjesë integrale e një përditshmërie jonormale.
Më pas janë rastet e “Kufirit të Trefishtë”, ku kryqëzohen shtigjet e karteleve të drogës. Ndërsa Ekuadori tashmë është kthyer si një shtëpi e trafikantëve të drogës që po nxit dhunën në rrugë, veçanërisht Guayaquil, duke tërhequr vëmendjen e Europolit dhe Interpolit. Ndërsa është kthyer edhe në një vend, gati shqipfolës, siç e quajnë mediat vendase, por edhe disa Europiane.
Arsyet pse Ekuadori është transformuar në një vend të tillë janë të shumta. Duke nisur që nga lehtësia e kalimit të kufijve, te korrupsioni i strukturave përgjegjëse, pozicioni gjeostrategjik i porteve të saj e deri te zotërimi i një ekonomie pa mekanizma kundër pastrimit të parave. Për më tepër, prania e një peizazhi kriminal të decentralizuar, ndryshe nga Kolumbia, Brazili apo Meksika, u lejon grupeve të huaja kriminale një shkallë mjaft të lartë autonomie.
E ashtu sikurse është bërë shtëpi për trafikantët, është kthyer edhe në një vend ku autoritetet ligjzbatuese nga e gjithë bota, kanë zhvendosur zyrat aty, duke dërguar herë pas here përfaqësues të Policisë apo Prokurorisë.
Goditja e fundit që u realizua atje dhe u shtri paralelisht edhe në Spanjë, ndodhi më 6 shkurt. Ishte operacioni “La Pampa”, që u finalizua nga një hetim i udhëhequr nga Spanja që përfshinte Ekuadorin dhe mbështetej nga Europol. Ky operacion rezultoi një goditje e madhe në një rrjet të trafikut të drogës, të konsideruar me rrezikshmëri të lartë që furnizonte me kokainë vendet e Bashkimit Europian. Për të mbështetur aktivitetet në terren në ditën e zhvillimit të operacionit, Europol dërgoi dy ekspertë në qendrat koordinuese të ngritura në Marbella të Spanjës dhe në Quito të Ekuadorit. Europol financoi gjithashtu vendosjen e dy hetuesve spanjollë në Ekuador për të mundësuar koordinim të mëtejshëm midis autoriteteve kombëtare në terren në të dy vendet.
Autoritetet ligjzbatuese nisën një hetim për një biznesmen italian me origjinë argjentinase me banim në Marbella. Nga hetimet e mëtejshme rezultoi se kompanitë e tij përdoreshin për fshehjen e aktiviteteve kriminale dhe transaksioneve financiare. Ata identifikuan lidhjen kriminale të biznesmenit me një shtetas shqiptar me banim në Ekuador. Shtetasi shqiptar kishte orkestruar importimin e kokainës nga Kolumbia në Ekuador dhe shpërndarjen e saj më pas në Europë. Informacionet operative tregonin se biznesmeni kishte një marrëveshje kontraktuale me furnitorët kolumbianë për të marrë 4 ton kokainë çdo muaj në Ekuador.
Europol thotë se organizata kriminale ka përdorur kompani ekuadoriane frutash si një front për të importuar kokainë në Europë, duke përdorur metoda të ndryshme transporti. Shpesh, sasi më të vogla kokaine fshiheshin brenda dërgesave me banane, qoftë edhe pa dijeninë e pronarëve të frutave, që varionin nga 15 deri në 40 kg. Pavarësisht sasive të ndryshme, kompania mohoi vazhdimisht çdo përfshirje në aktivitetet e trafikimit. Organizata ka realizuar transportin e ngarkesave të mëdha të kokainës nga porti i Guayaquil drejt portit të Algeciras dhe porteve të tjera europiane.
Gjatë hetimit, autoritetet ligjzbatuese në Shqipëri, Belgjikë, Ekuador, Holandë dhe Turqi sekuestruan disa ngarkesa të konsiderueshme kokaine, në total 3.2 ton. Drejtuesi i rrjetit kriminal luajti një rol kryesor në pastrimin e aseteve kriminale nëpërmjet investimit në biznese të ligjshme në Spanjë. Ai menaxhoi disa kompani, duke përfshirë një të fokusuar në prodhimin dhe importimin e bananeve nga Ekuadori në Europë, si dhe qendra sportive në Marbella, qendra tregtare në Granada dhe bare e restorante të shumta. Shumë nga bashkëpunëtorët e tij kryesorë kishin lidhje të forta me Ballkanin Perëndimor dhe menaxhonin rrjetin e shpërndarjes, i cili ishte i përhapur në të gjithë Europën.
Operacioni kishte në shënjestër dy drejtuesit të këtij rrjeti kriminal, të konsideruar “High Value Targets”. Të dy liderët kishin orkestruar trafikun e drogës dhe pastrimin e të ardhurave të konsiderueshme kriminale në ekonominë legale përmes blerjes së pronave, automjeteve luksoze dhe mallrave. Deri më tani, hetuesit kanë lidhur objektivat me transaksionet financiare që arrijnë në 48 milionë euro në të gjithë Ekuadorin dhe Spanjën.
Drejtoresha Ekzekutive e Europolit Catherine De Bolle
Trafikimi i kokainës është një kërcënim, jo vetëm për shëndetin e europianëve dhe ekonominë tonë, por edhe për sigurinë e lagjeve tona, pasi dhuna e bandave po bëhet gjithnjë e më e dukshme në komunitetet tona. Ky operacion është një shembull se si një koalicion ndërkombëtar i agjencive të zbatimit të ligjit, i koordinuar nga Europol, mund të pengojë me sukses aktivitetet kriminale globale. Në tetor, nënshkrova një marrëveshje pune me Ekuadorin për të rritur shkëmbimin tonë të informacionit, veçanërisht në fushën e trafikut të kokainës. Operacioni i sotëm midis Ekuadorit dhe Spanjës, i mbështetur nga Europol, është një shembull i fortë i vendosmërisë tonë të përbashkët për të rrëzuar kartelet e drogës që nga qelizat e tyre lokale.
Europoli e nisi këtë bashkëpunim me Ekuadorin, si një nga qendrat kryesore të transitit për dërgesat e kokainës në Europë. Përpjekjet e përbashkëta për të luftuar këto aktivitete kriminale në shkallë të gjerë, u formalizuan me nënshkrimin e një marrëveshje pune midis Europolit dhe Ekuadorit në tetor të vitit 2023. Ky kuadër i ri, ka rritur bashkëpunimin midis autoriteteve të zbatimit të ligjit nga shtetet anëtare të BE-së dhe homologëve të tyre ekuadorianë në luftën e përbashkët kundër kartelet shumëkombëshe të drogës.
Operacioni “La Pampa” u mbyll me 31 të arrestuar, nga të cilën 13 në Spanjë dhe 18 në Ekuador. Dy prej të arrestuarve konsiderohen si objektiva të rëndësishëm. U ushtrua kontroll në 66 adresa, 22 në Spanjë dhe 44 në Ekuador. Ndërsa u sekuestruan 25 automjete, 10 armë zjarri, pajisje elektronike të vlerësuara në rreth 13 milionë euro dhe gati 3 milionë euro cash në valuta të ndryshme, përfshirë edhe euro. Pronat që u vunë nën sekuestro kapin blerën e 48 milionë euro, 12 milionë euro në Spanjë dhe 36 milionë euro në Ekuador.
NË KËRKIM TË BIZNESMENIT SHQIPTAR
Operacioni ndërkombëtar i 6 shkurtit ishte në kuadër të një hetimi në lidhje me krimin e organizuar shqiptar, i përfshirë në trafik të dyshuar droge dhe pastrim parash. Sipas informacioneve policore, drejtuesi i kësaj organizate është shqiptari Dritan Gjika, i lidhur me biznesmenin ekuadorian Rubén Chérres, i cili u vra në vitin 2023.
Dritan Gjika ishte një nga partnerët kryesorë të biznesmenit të vrarë dhe pjesëmarrës në një sërë audiosh të publikuara nga media dixhitale “La Posta”, që lidheshin me njerëzit e afërt të ish-presidentit Guillermo Lasso. Shqiptari nga Shkodra, Dritan Gjika ndodhet në Ekuador prej më shumë se një dekade dhe nga Guayaquil ka drejtuar biznese të ndryshme, mes të cilave një kompani të eksportit të bananeve, që ka lidhje me një importues shqiptar të akuzuar për trafik droge. Gjatë operacionit “La Pampa”, Dritan Gjika u identifikua si kreu i organizatës kriminale shqiptare.
Cherres dhe Gjika themeluan 13 kompani, shumica prej tyre kompani ndërtimi dhe pronash të paluajtshme, tetë prej të cilave u krijuan në një ditë të vetme. Këto firma u vëzhguan nga Mbikëqyrja e Kompanive për mosrespektim të rregulloreve kundër pastrimit të parave. Në vitin 2014, Gjika filloi aktivitetin e tij të biznesit. Një nga aktivitetet e tij të para në Ekuador ishte blerja e aksioneve në “Cresmark”, një eksportues i të gjitha llojeve të produkteve bujqësore e frutave, si bananet. Në atë firmë, aksioner ishte edhe shqiptari Erjon Spahiu, i cili, më 28 janar 2022 ia shiti Dritan Gjikës aksionet e tij në kompani. Sipas hetimeve të Policisë, shqiptari bënte porosi droge pranë laboratorëve kolumbianë të prodhimit të kokainës dhe koordinonte në Europë shitjen e mallit që ata transportonin në kufirin me Ekuadorin, dhe më pas droga transportohej me rrugë tokësore në qendra të ndryshme grumbullimi në provincat ekuadoriane, si Cotopaxi, Los Ríos dhe Guayas, ku ruhej në sasi të mëdha përpara se të futej në mënyrë të fshehtë në ngarkesat e bananeve që eksportoheshin në anijet me destinacion Belgjikë, Holandë, Turqi dhe Shqipëri.
Policia ekuadoriane pohon se kjo organizatë kishte informacion të detajuar për dokumentet detare të tregtisë së jashtme, të cilat lehtësonin kontaminimin e disa kontejnerëve në javë. Falë profilit të tij si biznesmen e suksesshëm, Dritan Gjika arriti të hynte në territorin ekuadorian përmes kompanive që kishte hapur. Po kështu, autoritetet treguan se gjatë kohës së hetimit ishte e mundur të gjurmohej lëvizja e parave në sistemin financiar të Ekuadorit, nëpërmjet disa personave. Persona fizikë dhe juridikë që kanë përfituar pasuri të ndryshme të luajtshme dhe të paluajtshme, duke pastruar në total 30 milionë dollarë.
Një investigim i kryer nga mediat në Ekuador, ka treguar edhe ecurinë e komapnivë të Dritan Gjikës përmes pagesës së taksave. Viti i tij më i rëndësishëm duket se ka qenë viti 2021. Por një vit më vonë, financat e tij ranë dhe ai deklaroi 0 dollarë fitim. Pavarësisht se nuk pagoi taksa në vitin 2022, ai dërgoi para jashtë vendit.
Dritan Gjika nisi të paguajë taksat në Ekuador që në vitin 2015, pra një vit pasi filloi marrëdhënia e tij e biznesit me Rubén Cherres. Ai ka një kartë identiteti ekuadoriane që nga viti 2013, e regjistruar në Guayaquil, që zyrtarisht rezulton edhe si vendbanim i tij. Por para se të interesohej për themelimin e kompanive të ndërtimit, Gjika u fokusua tek eksportuesit e bananeve.
Një kompani tjetër e lidhur me bujqësinë ishte “Cannmaná”, e cila i kushtohet importit dhe kultivimit të kanabisit. Ndodhet në “La Maná”, në provincën e Cotopaxi. Gjika e krijoi “Cannmaná”-n më 17 gusht 2021, në të njëjtin vit kur themeloi tetë kompani në një ditë, bashkë me Cherres. Por në “Cannmaná” shfaqen tre partnerë të tjerë ekuadorianë: Fidel Gregorio, Julio César dhe Bryan Alexis. Ky i fundit është 18 vjeç dhe është menaxheri aktual i dy kompanive.
Por një nga kompanitë që ka më shumë lëvizje është “Agricomtrade”. Në vitin 2018, Dritan Gjika ka blerë aksione në atë kompani, aktiviteti i së cilës është shitja me shumicë e bananeve. Një kompani e krijuar në Kosta Rika. Menaxheri i kësaj kompanie, i quajtur Pablo H.T. u përfshi në një hetim për trafik droge që më vonë u pushua. Ai u arrestua në shkurt të vitit 2021 së bashku me katër persona të tjerë në një kamion plot me kuti bananesh që transportonte drogë, në kantonin e Valencias, në provincën Los Ríos.
Në vitin 2017 kjo kompani ua shiti frutat tetë importuesve ndërkombëtarë. Midis tyre ishte një importues kinez, një ukrainas, një tjetër nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Spanja, një nga Rusia dhe një nga Holanda.
Më 13 shkurt 2023, media dixhitale “La Posta” publikoi një raport prej 145 faqesh. Ky ishte një hetim i Prokurorisë, i datës 17 janar 2022. Dokumenti ishte rezultat i një hetimi të mëparshëm që Njësia e Specializuar për Krimin e Organizuar Transnacional dhe Ndërkombëtar, hapi më 13 maj të vitit 2021. Po hetohej një krim i dyshuar i trafikut të drogës, hetime që u kryen nga dy prokurorë.
Por nëntë muaj më vonë, Prokuroria kërkoi që hetimi të arkivohej, më 12 janar 2022. Sipas këtij institucioni, kjo ndodhi sepse Njësia në fjalë ishte shprehur se: “Nuk ka qenë e mundur të merren elemente penalë që kontribuojnë në procesin hetimor”.
Raporti i bërë publik përmban fotografi që agjentët kishin mbledhur gjatë monitorimit të Ruben Cherres dhe bashkëpunëtorëve të tjerë të tij të dyshuar. Gjithçka nis me monitorimin e operacioneve të kompanisë “Osakafish”, nga Manta, e dedikuar për përpunimin e produkteve të peshkimit dhe që sipas këtij raporti do të kishte lidhje me grupe të krimit të organizuar shqiptar.
BASHKËPUNIMI GJIKA – CHERRES
Më 1 prill të vitit 2023, gjendet i ekzekutuar në Ekuador Ruben Cherres. Trupi i pajetë i Chérrez, dhe 3 personave të tjerë, u gjetën të masakruar në Punta Blanca, në Santa Elena, në brigjet e Ekuadorit. Emri Cherres ishte bërë i njohur për shkak të një hetimi që zbuloi lidhjet e tij me trafikantët shqiptarë të drogës. Në një raport policor prej 68 faqesh që ishte pjesë e një hetimi të kryer nga Prokuroria e Mantës në vitin 2021, por i arkivuar më pas, Cherres hetohej për lidhjet e tij me mafian shqiptare, më konkretisht Dritan Gjikën.
I pari që konfirmoi vrasjen e Chérrez ishte ish-ministri i Brendshëm, José Serrano. Personat e tjerë të vrarë së bashku me Chérrez ishin, e dashura e tij Tamara Navas, shoku i tij César Amador dhe roja i sigurisë së vendit ku ndodheshin.
Shqiptari Dritan Gjika ishte një nga partnerët kryesorë të Rubén Cherres, i cili ishte njeriu me lidhje të afërta deri në mjedisin e ish-presidentit Guillermo Lasso.
Nuk kishte emër më të shpeshtë në rrethin e ngushtë Rubén Cherres, sesa ai i Dritan Gjikës. Ai është një shqiptar që shfaqet si një biznesmen në dokumentet e korporatës, të cilat tregojnë marrëdhënien e gjatë të biznesit që ekziston mes Cherres dhe Gjikës. Por Dritan Gjika i ka shtrirë marrëdhëniet në vendlindjen e tij me një kompani të hetuar për trafik droge.
Media dixhitale “La Posta” prezantoi një raport policor që do të lidhte shtetasin Rubén Chérrez me strukturën kriminale të njohur si ‘mafia shqiptare’, një organizatë kriminale ndërkombëtare e lidhur me trafikun e drogës. Sipas mediave ekuadoriane, bëhet fjalë për shtetasit shqiptarë Dritan Gjika, Mario Vani, Blerim Dibra dhe Erjon Spahiu.
Me paraqitjen e pamjeve dhe regjistrimeve telefonike, produkt i hetimeve policore, u verifikua se ka pasur një takim mes Chérrez dhe anëtarëve të mafies shqiptare në Guayaquil. Chérrez ishte gjithashtu i përfshirë në komplotin e supozuar të korrupsionit në kompanitë publike, drejtuesi i dukshëm i të cilave ishte miku i tij Danilo Carrera, kunati i presidentit të atëhershëm Guillermo Lasso. Në kohën kur ky komplot doli në dritë, pati diskutime të ashpra e gati një gjyq politik i presidentit në Parlament.
Rubén Cherres u burgos në fund të viteve ’90 për çështjen “Río Grande”, sipas një raporti të Frontit Parlamentar Kundër Korrupsionit. Ai ishte i lidhur me atë që në Ekuador e quajnë “mafia shqiptare”.
Pas publikimeve që e lidhnin atë me trafikun e drogës, Fronti Parlamentar Kundër Korrupsionit paraqiti një raport të quajtur “León de Troya”. Emri i referohet një operacioni policor kundër një rrjeti të dyshuar të trafikut të drogës. Disa prej të përfshirëve kishin lidhje me rrethin e ngushtë të ish-presidentit Guillermo Lasso. Hetimi i mëparshëm u hap në 13 maj 2021, por u arkivua në janar 2022. Pas zbulimit të një raporti të policisë që përfshinte Danilo Carrera, kunatin e Lasso-s, dhe Rubén Cherres të vrarë, Prokuroria vendosi të rihape atë hetim.
Por Cherres nuk do të lidhej vetëm me këtë komplot të supozuar korrupsioni por edhe me grupe të organizuara të dedikuara për trafikun e drogës. Cherres njihej si biznesmen, edhe pse u zbulua se kishte një falsifikim të idetrnitetit të tij. Në Gjendjen Civile ai figuron si Rubén David Cherres Faggioni. Sidoqoftë, në të dhënat e Mbikëqyrjes së Kompanive, emri i tij i mesëm është Antonio. Ndërsa sistemi gjyqësor, përveç ndryshimit të emrit të mesëm, mbiemri i tij shkruhet Chérrez. Gjurmët e supozuara të trafikut të drogës. Sipas këtij identiteti të dytë, Cherres do të kishte në dosjen e tij dy çështje gjyqësore për trafik droge, e para në vitin 1999 dhe e dyta në vitin 2014.
Rasti i parë njihej si “Río Grande” dhe u hetua në fund të viteve ’90 nga Shtabi i Provincës Kundër Narkotikëve të Guayas. Sipas një versioni të Prokurorisë, të përfshirë në raport, ky rast konsistonte në një operacion që, me sa duket, çmontoi një organizatë që trafikonte drogë në Shtetet e Bashkuara dhe Europë, që ishte e vendosur në Guayaquil. Cherres u procedua penalisht për veprën penale të trafikut të drogës. Megjithatë, sistemi gjyqësor tregon se procesi vazhdoi deri me aksionin e 11 janarit 2023. Në mes të këtij procesi, Cherres ishte ndaluar dhe kishte shkuar burg, ku krijoi lidhje me anëtarë të dyshuar të mafies shqiptare. Kjo lidhje, në vitin 2021, e përfshiu atë në hetimin e çështjes “León de Troya”, gjithashtu për trafik droge. Cherres dhe shqiptarët, që nga vitet 2000, kanë dërguar emisarët e tyre në Amerikën Latine. Konkretisht në Meksikë, Ekuador, Kolumbi dhe Peru me synimin për të blerë kokainë me një çmim të ulët. Shqiptarët, që jetojnë në Ekuador, adoptojnë profilin e biznesmenëve të lidhur me eksportet e ushqimit. Por ata janë me të vërtetë përgjegjës për rregullimin e detajeve logjistike për dërgimin e kokainës në Europë. Një nga shqiptarët e hetuar nga Policia është edhe Dritan Gjika, 48 vjeç. Gjika hyri në vend në nëntor 2009. Vazhdimi i tij përfundoi në çështjen León de Troya e më pas në një raport policie më 21 mars të vitit 2022.
NARKO DHE DHUNË
Në një konferencë për shtyp, drejtori i Antidrogës në Policinë Kombëtare të Ekuadorit, William Villarroel, theksoi se Gjika dhe Chérres kanë qenë ortakë në disa kompani ndërtimi nga të cilat për momentin nuk ka asnjë të dhënë se kanë marrë pjesë në dërgesën e drogës.
Villarroel shpjegoi se organizata kishte gjashtë kompani në Ekuador dhe katër në Spanjë, me aktivitet të gjerë tregtar që lehtësonte pastrimin e parave dhe midis të cilave ata lëviznin dërgesa bananesh, ku droga ishte e kamufluar.
William Villarroel
Shtetasi me origjinë kineze që është mes të arrestuarve dyshohet se ka pasur funksionin e kryerjes së pagesave, nëpërmjet një sistemi ku kartëmonedhat në Ekuador shoqëroheshin me një kod. Sipas hetimeve të policisë, Dritan Gjika, i cili nuk është në mesin e të arrestuarve, ka porositur drogë në laboratorë kolumbiane të prodhimit të kokainës dhe ka koordinuar shitjen e mallit në Europë.
Droga transportohej më pas me rrugë tokësore në disa qendra grumbullimi në provincat ekuadoriane të Cotopaxi, Los Ríos dhe Guayas, ku ruhej në sasi të mëdha përpara se të futej fshehurazi në ngarkesat e bananeve që eksportoheshin në anijet e drejtuara në Spanjë, Belgjikë, Holandë, Turqi dhe Shqipëri.
Për vendndodhjen e kreut të organizatës, Dritan Gjika, Villarroel ka treguar se po bëhet një koordinim me Policinë spanjolle dhe me të gjitha kontaktet në Europë. Ka dyshime se ai ndodhet në Dubai. Megjithëse lideri shqiptar nuk është kapur, sipas drejtorit të Antidrogës, me operacionin “La Pampa” është u çmontua mundësia e manovrimit të kësaj organizate, pasi u arrestua personi që kishte kontaktet për shitjen e drogës, por edhe ata që grumbullonin drogën e ata që fshihnin brenda bananeve.
Dritan Gjika nuk rezulton i skeduar për aktivitet kriminal në Shqipëri, por as në vende të Bashkimit Europian apo edhe në Ekuador ku jeton. Duke mbajtur profilin e një biznesmeni, por edhe duke pasur lidhjet e duhura me njerëz të pushtetshëm në Ekuador, ai ka arritur t’i shpëtojë hetimeve por edhe operacionit të fundit.
E megjithëse nuk ishte skeduar ndonjëherë, emri i Dritan Gjikës rezultoi se ishte të paktën pas 6 rasteve që kokaina u trafikua nga Amerika e Jugut në Shqipëri.
Në kontejnerët me banane që vinin nga andej dhe zbarkonin në Portin e Durrësit të porositura nga kompania “Alba Exotic Fruit” u gjetën sasi kokaine. I fundit ishte ai i 12 tetorit 2021 që u kapën 10 kilogramë kokainë. Më herët, në 7 shtator u kapën 7.7 kg, në 13 korrik u sekuestruan 11 kg e 675 gramë kokainë, ndërsa 10 ditë më vonë, më 23 korrik u gjetën 6.5 kilogramë të tjera. Më 29 korrik 2021 kompanisë iu gjetën 7.25 kilogramë kokainë. Kompania ‘Alba Exotic Fruit’ rezulton e përmendur edhe më parë në ‘historinë’ me trafik droge ku në vitin 2019, në kontejnerët e kësaj kompanie, në Pire të Greqisë u gjetën 137 kg kokainë që u zëvendësua me oriz me GPS nga autoritetet.
Por siç shpjeguan autoritetet në Ekuador, në shumë raste grupi vepronte pa dijeninë e kompanive që në fakt porosisnin fruta atje. Droga vendosej në kontejnerë fshehurazi, pasi ishin mbyllur në port. Ndërsa tërhiqej nga pala e interesuar, ata që prisnin kokainën, por jo bananet, pasi anija me kontejnerë mbërrinte në destinacion. E në këtë formë mund të kenë vepruar edhe për raste të tjera.
I rrethuar nga Kolumbia dhe Peruja, dy prodhuesit më të mëdhenj të kokainës në botë, vitet e fundit Ekuadori është kthyer në një pikë kyçe për mafiozët e trafikut të drogës që përdorin portet e tij për të tentuar të transportojnë kokainë, veçanërisht në Europë dhe Amerikën e Veriut.
Për këtë qëllim, bandat e krimit të organizuar që veprojnë në Ekuador kanë krijuar lidhje me kartelet meksikane të “Sinaloa” dhe “Jalisco Nueva Generación”, si dhe me mafian shqiptare për dërgesat në Europë. Që nga fillimi i vitit, qeveria e Presidentit Daniel Noboa ka dekretuar ekzistencën në Ekuador të një “konflikti të armatosur të brendshëm” kundër krimit të organizuar, bandat e të cilit, grupe të dedikuara kryesisht për trafikun e drogës, janë shpallur grupe terroriste. Kjo gjendje emergjence u shpall pas një vale sulmesh dhe dhune, duke përfshirë edhe trazirat në burgje me rreth 200 pengje që arritën të liroheshin dhe marrjen e një kanali televiziv nga një grup i armatosur.
Që prej vitit 2010, kur u regjistruan rastet e para, shqiptarët po fitojnë disa ditës terren në Ekuador. Ata kanë forcuar bazat e tyre atje, por herë pas here kanë qenë edhe në qendër të konflikteve të armatosura, ku disa prej tyre edhe janë vrarë.
Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, grupet kriminale ballkanike, ku përfshihen edhe shqiptarët, në vende të tilla si Kolumbia dhe Ekuadori, kërkojnë të kenë prezencë në qytete ku grupet e mëdha kriminale kanë kontrollin. Ata ia kanë dalë. Rasti i fundit flet për një strukturë të organizuar. Që nga sigurimi i kokainës në Kolumbi, transporti në sasi të madhe në Ekuador e trafikimi në sasi më të vogla drejt Europës, deri tre ngritja e kompanive për të pastruar paratë e këtij aktiviteti. E duket se të gjitha këto kanë firmën e biznesmenit shqiptar Dritan Gjika.
“Dritanët e mafias shqiptare”, është përshkrimi i një fotografie që qarkullon shpesh në mediat ekuadoriane. Flet për Dritan Rexhepin e Dritan Gjikën. Por përveç kombësisë dhe emrit, ata nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin. E përbashkëta tjetër për ta ishte edhe Ekuadori. Por teksa Dritan Rexhepi qëndroi në burg, më pas në arrest shtëpie e derisa u arratis nga atje për t’u kapur në Turqi, nga ku do të ekstradohet tashmë në Shqipëri, e kundërta ndodh me Dritan Gjikën. Ai ka jetuar i lirë në Ekuador për afro 13 vjet, duke u kthyer në biznesmen. Për kaq kohë, ai mund të ketë lëvizur tonelata kokainë, por sot askush nuk e di se ku është.
/Emisioni “Gjërat Tona”