Nga Hysni Gurra
Çfarë është një aferë korruptive dhe çfarë është një gënjeshtër e SPAK-ut politik dhe e përsëritur nga mediat e kapura të regjimit?
Prej një javë (SPAK) shpërndan lajme në media për çështjen e privatizimit të ish-klubit Partizani, duke e cilësuar aferë korruptive.
Të njëjtën gjë bëjnë bodigardët mediatikë të pushtetit, duke e përsëritur qindra herë si papagallë në banaqet televizive të mbrëmjes.
Aferë korruptive quhet një skemë, ku, ekzekutivi, ose një nëpunës i lartë i shtetit i shkakton dëm buxhetit të shtetit nga nje cent te qindra miliona dollarë. Pra, kur abuzohet me paratë e taksapaguesve ose pasuritë shtetërore nga zyrtarët shtetërorë.
Për shembull, aferë korruptive janë inceneratorët, ku kryeministri i vendit, kryetari i bashkisë Tiranë firmosin letra për t’u dhënë paratë e taksave të qytetarëve klientëve të tyre, nëpërmjet kompanive fantazmë për incineratorë që nuk ekzistojnë! Kjo është një aferë korruptive spektakolare, ku mbi 400-milionë euro janë zhdukur dhe me kontratat që ka firmosur Edi Rama si kryeministër, deri në fund vjedhja do të kapë shifrën rreth 1-miliardë euro. Të gjitha janë para të taksapaguesve shqiptarë. Dhe e gjithë kjo mega-aferë rezulton në zero objekte fizike (incenerator).
Afera të tjera korruptive janë koncesionet e shëndetësisë, sterilizimi dhe check up. Ku, nëpërmjet po të njëjtës metodë, u grabiten qytetarëve qindra miliona euro taksa dhe kjo gjë për disa vite rresht.
A është aferë klubi Partizani?
T’i marrim me radhë gënjeshtrat e SPAK për rastin e rivatizimit të ish-klubit Partizani dhe burgosjes së pronarit të tokës.
1- Trashëgimtarët e pronës janë dëmshpërblyer nga Italia.
Gënjeshtër. Fakti është se vetë SPAK, vetëm e citon si pretendim të Taulant Ballës, por nuk e provon një gjë të tillë. Kjo shpifje edhe sot e kësaj ditë raportohet si fakt. Nga padija e reporterëve dhe analistëve apo nga përdorimi i SPAK, nuk ka shumë rëndësi. Fakt është se opinioni prej vitesh helmohet me shpifje dhe në bazë të kësaj shpifje ka nisur hetim 3 vjeçar që, edhe pas 3 vitesh, kërkon sërish kohë për hetim.
2- Është privatizuar prona publike.
Gënjeshtër. Klubi i Partizanit ushtronte aktivitet në një terren të zaptuar dhe Ministria e Mbrojtjes nuk e kishte në kontroll. Trualli ishte pronë e njohur nga gjykatat e 5 familjeve autoktone tiranase. Aq e vërtetë është kjo sa edhe heroi i titujve të lajmeve ‘Qiriazi’, në përpjekjen e tij për të mos dorëzuar pronën e privatizuar dhe të blerë nga të zotët e truallit, ka shkresa ku pa patur asnjë droje shkruan: ‘nuk na lënë të futemi’!!!! Pra, sipas logjikës se SPAK, ata që e kishin uzurpuar pronën mund ta privatizonin.
3- Procesi i kthimit të pronave u bë me shpejtësi për shkak të ndikimit të Berishës
Gënjeshtër. Procesi i kthimit të pronave ka nisur që në vitin 1995, procesi i privatizimit të terreneve të klubit ka nisur më 2003 nga qeveria Nano, procesi është mbyllur në fillim të mandatit të dytë të qeverisë Berisha, pra 12 vjet sorollatje dhe të supozojmë se qenka ngritur një shtet në këmbë dhe i janë dashur më shumë se 4 vjet për të kryer privatizimin dhe kthimin faktik të pronësi.
4- Jamarbër Malltezi është përfaqësuesi i gjithë trashëgimtarëve.
Gënjeshtër. Malltezi ka përfaqësuar vetëm një familje, familjen Begeja, nip i së cilës është. Çdo familje ka patur përfaqësues të vetin. Ata që kanë lexuar materialin prej 200 faqesh të SPAK në gjykatë e kanë të qartë se secila familje e pronareve ka patur një perfaqesues të sajin.
5- Pronarët kanë kërkuar privatizimin e pronës me ardhjen e Berishës në pushtet.
Gënjeshtër. Prona është kërkuar dhe njohur në periudhën 1995- 1999. Në vitin 2000, Fatmir Bektashi, trashëgimtar, investitor dhe ndërtues nënshkruan marrëveshje me familjet pronare për ndërtimin e pronës që ishte njohur, por jo kthyer. Për kujtesë, Berisha ka ardhur në pushtet pas 5 vitesh!
6- 856 m2 katror janë pa paguar.
Gënjeshtër që është e bardha në të zezë në dokumentet e SPAK. Kjo tokë nuk është privatizuar edhe sot e kësaj dite. Është pronë e shtetit dhe pronarët nuk e kanë prekur. Përveç kësaj, familjet pronare kanë investuar në zonë edhe ambiente publike shkollë, kopësht e çerdhe. PRONARËT e kanë në ADN që nuk merren me pronën e tjetrit. 856 metrat e pretenduara nuk kanë fluturuar. Aty janë edhe sot e kësaj dite. Madje trashëgimtarët e pronës strehuan falas edhe 42 familje që kishin uzurpuar pronën.
7- Jamarbër Malltezi ka 1/64 pjesë të pronës.
Gënjeshtër. Jamarbër Malltezi ka blerë 2000 m2 tokë nga familjet Llagami, Saliaga dhe Alimehmeti. Kjo është pika kryesore që kanë marrë me regji bodigardët e regjimit: ‘si ka mundësi u bë i pasur me 145 m2’. Duke njohur mirë psikologjinë e turmave dhe mentalitetin për kulakët, bodigardët e regjimit i mëshojnë pasurisë sipas parimit bolshevik: ‘prona private duhet luftuar se ajo çdo ditë dhe çdo orë pjell kapitalizëm’
8- Qeveria Berisha ka ndryshuar destinacionin nga terren sportiv në truall ndërtimi.
Gënjeshtër. Edi Rama kryetar i KKRT, më 8.06. 2006 ka ndërruar destinacionin e terrenit të uzurpuar në truall ndërtimi. Pra, kryeministri i sotëm ka firmosur në ndryshimin e destinacionit të këtij trualli. Vetë prokurorët kanë gjetur në kompjutera edhe një shënim për shumën e ‘shpenzimeve’ për të ndërruar destinacionin. Në 200 faqe të SPAK dhe gjykatës përmendet çdo emër, gjallë apo i vdekur me përjashtim të emrit të Edi Rames. Këtë emër nuk e thonë dot as bodigardët e regjimit.
9- Janë ndërtuar 17 kulla.
Gënjeshtër. Nuk është ndërtuar asnjë kullë. Siç përmenda më lart, janë pallate me parqe, çerdhe e shkollë.
10 Gjeneral Qiriazi kundërshtoi privatizimin e klubit.
Gënjeshtër. Qiriazi nuk zbatoi urdhërin me shkrim për të dorëzuar pronën që ishte ndërkohë e blerë nga pronarët. Qiriazi me shkresa thotë se ‘nuk na lejuan të futemi te klubi (uzurpatorët) pra një pronë ‘publike’ që as e kishin në inventar.
11- U shkatërrua klubi Partizani.
Gënjeshtër. Klubi Partizani vijon aktivitetin me akademi, fusha, e madje edhe me stadium, të ndërtuar nga investitorët aktualë, pa asnjë konflikt me të zotët e truallit ku kanë investuar.
Në mbyllje. Buxheti i shteti shqiptar, jo vetëm që nuk ka pësuar humbje nga privatizimi i ish-klubit Partizani, siç ka ndodhur me inceneratorët dhe konçensionet e shëndetësisë e të tjera, por ka fituar milion dollarë, që nisin me blerjen, privatizimin, dhe çdo takse tjetër që është e lidhur me ndërtimin.
Cilido qytetar që ka dëshirë të informohet dhe jo të bredhë pas berihasë së drejtësisë politike e medias së kapur nga Edi Rama, e ka shumë të thjeshtë të ulet, të lexojë dhe të krahasojë çfarë është një aferë korruptive dhe çfarë është një ligj që i kthen tokën qindra mijëra pronarëve./ Syri