Prej disa ditësh Partia Socialiste po kërkon shkarkimin e Klement Zgurit nga posti i Kryetarit të KQZ-së, duke e akuzuar se ka fshehur dokumentet në lidhje me kryebashkiakun e Mallakastrës, Agron Kapllanaj, që sipas socialistëve është subjekt i ligjit për dekriminalizimin. Madje, kryeministri Edi Rama në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar socialist, mbështeti nismën për shkarkimin e Zgurit dhe paralajmëroi nisjen e proçedurave për shkarkimin e Kapllanajt.
Por duket se e gjithë nisma apo inisiativa e socialistëve qoftë në rastin e kryebashkiakut ashtu edhe të kreut të KQZ-së, mund të rezultojë një flluskë sapuni, të paktën në aspektin ligjor. Deri më tani PS akuzon Zgurin se ka shkelur ligjin, por nga dokumentet që mbajnë firmën e Denar Bibës, në kohën që ky i fundit drejtonte KQZ-në, rezulton se Kapllanaj nuk përfshihet në listën e personave publikë që janë subjekt i ligjit të dekriminalizimit
Referuar dokumenteve, më datë 19.02.2017, KQZ ka sqaruar se ishin 18 funksionarët të lartë, pjesa më e madhe e të cilëve deputetë, të cilët kishin deklaruar dënime në formularët e tyre të dekriminalizimit.
Por sipas shkresës së përcjell nga vetë Biba institucioneve shtetërore, dhe përfaqësive diplomatike, ata nuk ishin në kushtet e penalizmit.
Sipas shkresës së Prokurorisë së Përgjithshme, Kapllanaj ishte rehabilituar në vitin 2016, dhe për këtë arsye nuk duhej t’i hiqej mandati.
Prokuroria e Përgjithshme me shkresën e datës 21.02.2017 i ka kërkuar t’i vihen në dispozicion formularët e vetëdeklarimit të 30 subjekteve të përmendura në deklaratën e zëdhënësës së KQZ-së në datën 19 shkurt.
Më datën 22.02.2017, Denar Biba, në atë kohë kryetar i KQZ-së, i ka kthyer përgjigje Prokurorisë me shkresën me nr/prot 1218/1, ku i thotë se: “… KQZ- ka konstatuar me bindje të plotë se dhënat e deklaruara të funksionarëve publik, sipas deklaratës për shtyp të datës 19.02.2017, nuk përfshihen Brenda sferës së ndalimeve të parashikuara nga neni 2 i ligjit 138/2015. Në vlerësim të KQZ të dhënat e disponuara nuk përbënin shkak për verifikim të thelluar nga Prokuroria e Përgjithshme”.