Reshjet e dendura të breshërit kanë goditur këtë të premte disa zona të Devollit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në kulturat bujqësore.
Më të prekura kanë qenë fshatrat Braçanj dhe Ziçisht, ku për disa minuta reshjet e breshërit kanë mbuluar sipërfaqet bujqësore dhe kanë dëmtuar të mbjellat.
Sipas informacioneve paraprake, dëmet janë regjistruar kryesisht në kulturat e misrit, fasules dhe zarzavateve, ndërsa fermerët po përballen me humbje të konsiderueshme.
Prej disa minutash, e gjithë zona e juglindjes së vendit është përfshirë nga stuhi dhe reshje intensive, duke krijuar vështirësi edhe në zona të tjera.














