Nga Boldnews.al
Televizioni Publik Shqiptar (TVSH), prej kohësh është kthyer në shërbim të qeverive që ikin e vijnë. Në vitin 2013, një nga premtimet e Edi Ramës ishte rikthimi i dinjitetit të kësaj media. Në fakt, jo vetëm që nuk e ngriti në nivelet e televizioneve të tjera, por e përdhosi këtë ekran akoma edhe më tej duke e vënë në dispozicion të interesave të tij personale.
Këtë e tregoi edhe sot, ku në mënyrë të paprecedentë dhe të pajustifikuar, TVSH theu heshtjen zgjedhore, duke transmetuar një intervistë live ku vetë Edi Rama ishte i ftuari.
Në emisionin “Përballë” të Lutfi Dervishit, Rama është shfaqur me veshjen e tij tipike të fushatës zgjedhore: me bluzën “Shqipëria që duam”, me çitjanet e veshura si dhe me një numër 2, që përkon me numrin në fletën e votimit të kësaj force politike.
Që prej orës 00:01 të ditës së shtunë, ka hyrë në fuqi heshtja zgjedhore dhe për rrjedhojë nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medies, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore.
Por emisioni “Përballë” po transmetohet live në faqen zyrtare të RTSH (TVSH) në facebook, ndërsa kanë kaluar mbi 30 minuta edhe pas mesnatës. Kodi Zgjedhor përcakton se subjekti zgjedhor që thyen heshtjen zgjedhore, sipas nenit 77 të këtij Kodi, gjobitet nga KQZ-ja me 500 000 lekë ndërsa botuesi ose operatori radioteleviziv që thyen heshtjen zgjedhore, gjobitet nga KQZ-ja me 2 000 000 lekë.
Në rastin konkret, gjoba duhet të shkojë për Drejtorin e Përgjithshëm të TVSH-së, Thoma Gëllçin, i cili vë në dispozicion të Edi Ramës të gjithë arsenalin mediatik shtetëror, që mbahet nga taksat e qytetarëve. Kjo është e patolerueshme edhe për një gazetar profesionist si Lutfi Dervishin i cili shpeshherë ka qënë koherent me qëndrimet e tij përballë zhvillimeve politike.
Megjithatë, gazetari Dervishi mund të jetë detyruar të shkelë ligjin vetëm me urdhër të drejtorin Gëllçi, i cili njihet për miqësinë e tij me Edi Ramën dhe vëllain e tij Olsin. Madje, Gëllçi është investim direkt i Ramës në krye të TVSH-s, pasi kthye nga SHBA vetëm për të marrë këtë post.
TVSH mbetet shembulli më i mirë i premtimeve të pambajtura të Ramës, i propogandës së ofruar edhe në shkelje me Kodin Zgjedhor, por mbi të gjitha është shembulli më i mirë sesi një institucion shtetëror publik është kapur nga laku i Edi Ramës dhe rilindasve që e rrethojnë.