Një përplasje verbale është zhvilluar në Komisionin për Kulturën dhe Turizmin mes deputetes së opozitës Ina Zhupa dhe ministrit Blendi Gonxhe, gjatë diskutimit për financimin prej 4.3 milionë eurosh për koncertin e Kanye West të zhvilluar në Shqipëri.
Gonxhe mbrojti vendimin absurd të qeverisë, për financimin, por Zhupa e kritikoi, duke akuzuar qeverinë se përdor paratë publike për prioritete të gabuara.
“Eventi do të bëhej sepse për atë u kujdes shteti shqiptar me 4.3 milionë euro. Pyetja është pse këto para të qytetarëve shqiptarë u dhanë për këtë”, tha Zhupa.
Ajo kritikoi gjithashtu deklaratën e ministrit se mazhoranca funksionon si një trup i unifikuar, duke u shprehur se kjo tregon mungesë kontrolli parlamentar.
“Ju funksiononi si ushtri. Ne këtu marrim kohën për të diskutuar, nuk japim menjëherë 4.3 milionë euro”, deklaroi deputetja demokrate.
Zhupa solli në vëmendje situatën me zjarret dhe problemet sociale, duke theksuar se qeveria duhet të fokusohet te emergjencat e qytetarëve dhe jo te eventet luksoze.
“Nuk është urgjenca Kanye West-i. Urgjenca janë zjarret dhe hallet e shqiptarëve”, u shpreh kryetarja e Komisionit të Kulturës dhe Turizmit.
Diskutimet në Komisionin për Kulturën dhe Turizmin:
Gonxhe: Kjo është e spikatur nga debatet e diskutimeve se bëhet fjalë për një financim që s’është abstrakt, është fiks 4.3 milionë euro… Publiku nuk ka nevojë të mësojë mbi si funksionon maxhoranca, partia socialiste, vota e të tjerë…
Zhupa: Po këtë s’duhet ta bëni…
Gonxhe: Nuk është kjo ideja.
Zhupa: Absolutisht. Këtë desha unë. Aq sa funksionon si ushtri.
Gonxhe: Ajo që ju ngritët është që në një rast objektiv konkret që do të kishte një mosmbarëvajtje të eventit dhe ne do kishim bërë një pagesë para eventit të planifikuar të datës 11, dhe do kishte një mosmbarëvajtje apo një ngjarje që nuk do të ndodhte eventi, ne do të kishim një penalitet… Atëherë do të hynim në pyetjen tuaj, si do t’i merrni, pse ia dhatë e të tjerë. Kjo gjë ka rënë. Eventi është kryer, ishte i suksesshëm, nga pikëpamja e logjistikës dhe e datës, orës, pjesëmarrjes e të tjerë. Ne kemi një event të kryer. Kështu që ne…
Zhupa: Sot i bie të jemi të kujdesshëm për ju. Normal që eventi do të kryhej sepse për atë u kujdes shteti shqiptar me 4.3 milionë euro.
Gonxhe: Atëherë bie pyetja se nuk do t’i merrnim dot më e pse si do t’i merrnim…
Zhupa: Jo i nderuar ministër, pyetja nuk ishte nëse s’do bëhej, se do bëhej se s’bën me 4.3 milionë euro dhe boshti ishte do bëhej. Atë që i çuat me detyrim. Nuk ishte kjo pyetja. Pyetja ishte tjetër që ju i dhatë përgjigjen dhe faleminderit për përgjigjen. Pyetja ishte: nëse parlamenti, nëse parlamenti do të ngrinte lartësinë e detyrës…
Gonxhe: Ju e thatë me të drejtë, nuk ka shans që ky parlament i kësaj maxhorance të zbatojë ligjin se ne funksionojmë si ushtri.
Zhupa: Në rregull, unë jam dakord. Ajo është përgjigjja në fakt e vërtetë dhe unë ju vlerësoj për sinqeritetin. Të njëjtën gjë po them dhe unë. Zoti ministër, ju lutem të kthehemi te…
Gonxhe: Kemi dhe një komision tjetër mbrapa. Unë do të doja të shteronim bashkë ato gjëra që janë në interesin tuaj dhe të atyre që ju përfaqësoni, që janë njerëzit.
Zhupa: Zoti Gonxhe, mos ki merak, nuk fillon komisioni tjetër pa mbaruar këtu, ashtu siç edhe ne presim komisionin tjetër. Kemi gjithë kohën e duhur për interesin publik. Ne nuk funksionojmë siç funksiononi ju që sa na vjen një kërkesë për të dhënë 4.3 milionë euro e japim direkt. Ne këtu marrim kohën për ta diskutuar minimalisht, dhe pse ju e keni bërë teorinë e faktit të kryer. Tani të lutem më shpjego, pse është nevojë, pse është urgjencë dhe pse këto para të qytetarëve shqiptarë që mund të ishin përdorur realisht në emergjencë… realisht sepse Shqipëria zoti Gonxhe, ju jeni deputet i Tiranës…
Gonxhe: S’ka nevojë fare të më tregoni Shqipërinë. I di të gjitha problemet e Shqipërisë, jam deputet i qarkut, jam i zgjedhur i fundit. Në listat e hapura ka aq shumë halle në telefonin tim dhe aq shumë ndjekje problematike sa nuk besoj se ndonjëri po konkurron për ndjekje problematikash. Jam gati t’ju shpjegoj.
Zhupa: Po t’i dini do të vinte zor që të kërkoje 4.3 milionë euro për një shtet që nuk ka një avion për të shuar zjarret, një shtet që kërkon donacione për ilaçe. Do të vinte zor që të kërkoje 4.3 milionë euro në një shtet ku ngrohen me dru nëpër shkollat e Shqipërisë.
Gonxhe: Kam shumë respekt për juve, nuk jeni… juve mund të jeni kundërshtarë politikë, por juve nuk jeni asnjëherë një zë hipokrizie. Ju lutem, kam respekt, të merremi me gjërat objektive. Mos i bëni se do shkojmë në një shteg që unë do jua rrëzoj shumë kollaj.
Zhupa: Po na i rrëzo, na i rrëzo! Na i rrëzo zoti Gonxhe sepse për ju e di Rama. Nuk ka qeverisur ai 14 vjet po ka qeverisur vetëm 6 vjet. Me këtë logjikë të vetëm atyre 2 orëve që i harxhon 4.3 milionë euro.
Gonxhe: 55% është rindërtimi në Akuila të Italisë, ka 17 vjet që ka rënë tërmeti. Ne jemi 95% na ka rënë tërmeti në vitin 2019 na ka ra… Mos më flisni për… Unë do të transformohem dhe do bëhem një politikan këtu. Unë dua të flas si ministër.
Zhupa: Të lutem, tani do bëj pyetjen tjetër.
Malaj: Procedurë…
Zhupa: Fjala është për zotin Gonxhe për të kthyer përgjigjen.
Malaj: Ky komision nuk e ka thirrur njeri. E keni thirrur ju komisionin e…
Zhupa: Ore zotëri nuk e kemi thirrur ne fare, e ka kërkuar… akti normativ e solli ai. Unë nuk do doja kurrë ta kisha për një akt normativ zotin Gonxhe, doja ta kisha në dëgjesë për turizmin, në dëgjesë për artistët…
Malaj: Më lër të ndërhyj për procedurë se e kam të drejtën të ndërhyj.
Zhupa: Ndërhyrja juaj proceduriale është nga shtatori… na lër këtë kohë ta harxhojmë, të marrim përgjigje sepse unë s’po arrij dot…
Malaj: Po patjetër se flet për zjarret… Normal mo zotëri!
Zhupa: Pse patjetër që flas për zjarret, se janë paratë e shqiptarëve ato! Patjetër mo zotëri, se ajo është nevoja, ajo është urgjenca! Nuk është nevoja dhe urgjenca Kanye West-i! Patjetër, se ty të duket zjarri fantashkencë ndërkohë që digjet atje Delvina dhe s’kanë marrë përgjigje sot. Po normale mo zotëri, normale! Edhe thotë ai, zoti ministër atje thotë: “Patjetër thotë që jua miraton parlamenti”, thotë. “Se çfarë jemi ne?” Këta bëjnë çfarë t’i themi ne!














