Një vit pasi fadromat e aksionit për mbrojtjen e territorit prekën disa ndërtime në Theth, kryeministri Edi Rama u rikthye në zonë për të promovuar “Paketën e Maleve”, por përballë tij banorët sollën shqetësimet e tyre për gjobat, lejet dhe problemet me investimet.
Gjatë bashkëbisedimit, një prej banorëve i kujtoi kryeministrit se, ndërsa qeveria fliste për zhvillimin e turizmit, ai ishte përballur me një gjobë prej 100 milionë lekësh dhe një tjetër detyrim financiar po në të njëjtën vlerë.
Banori tregoi se kishte ndërtuar një bujtinë me 16 dhoma dhe se më parë ishte përballur edhe me prishjen e një tjetër godine që synonte ta kthente në investim turistik.
“Ju thatë se janë plotësuar kushtet për energjinë, rrugën dhe ujin, por mua më është vendosur 100 milionë lekë gjobë dhe 100 milionë lekë kredi. Kam një bujtinë me 16 dhoma, por vitin e kaluar më është prishur edhe një godinë tjetër që doja ta zhvilloja”, tha banori.
Rama iu përgjigj duke i sugjeruar të aplikojë në programet e qeverisë për financim, duke i thënë se “kishte bërë një gabim”, por se do të kishte mbështetjen e institucioneve.
“Ti ke bërë një gabim, por vazhdon të punosh, të përpiqesh dhe mbështetjen do ta kesh maksimale”, u shpreh kryeministri.
Takimi në Theth u zhvillua në kuadër të promovimit të Paketës së Maleve, një nismë që qeveria e paraqet si mundësi për zhvillimin e zonave malore, ndërsa kundërshtarët e saj e akuzojnë se rrezikon pronat dhe territorin.
Një vit më parë, pikërisht në Theth, aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje shkaktoi përplasje me banorët dhe debate të forta publike.
Sot, Rama u rikthye në të njëjtën zonë për të folur për investime, ndërsa disa banorë i kujtuan pasojat e aksionit të kaluar.














