Kuvendi do të mblidhet këtë të hënë në seancë plenare, e cila pritet të nisë në orën 12:00.
Krahas shqyrtimit të një sërë projektligjesh dhe projektrezolutash, vëmendja është përqendruar te qëndrimi që do të mbajë Partia Demokratike, e cila ende nuk ka vendosur nëse do t’i japë fund bojkotit të seancave parlamentare.
Përpara nisjes së seancës, në orën 11:00, Grupi Parlamentar i PD-së do të zhvillojë një mbledhje në selinë blu, ku pritet të merret vendimi përfundimtar.
Kujtojmë se demokratët bojkotuan seancat parlamentare që prej 2 korrikut, ndërsa rikthimi i tyre do të shënonte fundin e një periudhe mungese në Kuvend, pak para mbylljes së punimeve për pushimet verore.
Ndërkohë, jashtë ambienteve të Parlamentit është lajmëruar protestë nga aktivistë dhe qytetarë, të cilët kanë njoftuar se do të mblidhen përpara Kuvendit në kohën kur do të zhvillohet seanca plenare.
Sa i përket rendit të ditës, seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së datës 16 korrik, njoftimet përkatëse dhe paraqitjen e raportit të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2025.
Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu projektligjin “Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHEB)”, si edhe një sërë projektrezolutash për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura dhe të drejtësisë për vitin 2025.
Rendi i ditës:
Në mbështetje të nenit 7, pika 6, dhe nenit 27/1, pika 2, të Rregullores së Kuvendit, bazuar në kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 6 – 24 korrik 2026 dhe në vendimin nr. 11, datë 16.7.2026, të Konferencës së Kryetarëve,
URDHËROJ:
I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 20.7.2026, ora 12:00.
II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 16.7.2026.
2. Njoftime.
3. Raporti i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2025.
4. Projektligji “Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHЕВ)”.
5. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit për vitin 2025”.
6. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2025″.
7. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2025”
8. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2025″.
9. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2025″.
10. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitin 2025”
11. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2025″.
12. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.
IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.














