Ish-deputeti Lefter Maliqi deklaroi se protesta qytetare do të vijojë pavarësisht temperaturave të larta dhe vështirësive, pasi sipas tij ajo ka hyrë në një fazë të pakthyeshme pas 50 ditësh.
I ftuar në studion e News24, Maliqi tha se kërkesat e protestuesve janë të qarta dhe të panegociueshme: largimi i qeverisë Rama, krijimi i një qeverie teknike dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira e demokratike.
“Protesta nuk do të dështojë, do të vazhdojë pavarësisht temperaturave dhe vapës së tmerrshme. Bashkë me qytetarët, opozitën dhe diasporën do të vazhdojë. Qëllimi është rrëzimi i qeverisë Rama, qeveria tranzitore teknike dhe zgjedhjet e lira”, u shpreh Maliqi.
Duke komentuar edhe zhvillimet brenda Partisë Socialiste dhe platformën e propozuar nga deputetja Elisa Spiropali, Maliqi tha se kryeministri Edi Rama po përpiqet të ruajë kontrollin përmes presioneve, ndërsa sipas tij në PS ka nisur përçarja.
“Ai po mundohet të bëjë presione dhe t’i përçajë. Kemi parë dorëheqje në administratë dhe lëvizje brenda PS-së”, deklaroi ai.
Sipas ish-deputetit, largimi i Ramës nuk do të vijë vetëm nga protestat, por edhe nga presioni ndërkombëtar dhe hetimet e institucioneve të drejtësisë.














