Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së premtes në Kamëz, ku një i ri qëlloi me armë zjarri në drejtim të një biznesi.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 20:25, në zonën e Babrrusë, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një servisi celularësh, i cili ishte i mbyllur në momentin e ngjarjes. Pas të shtënave, autori u largua menjëherë nga vendi.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë u vunë në ndjekje të autorit të dyshuar dhe, rreth 3 kilometra larg vendit të ngjarjes, bënë të mundur kapjen dhe shoqërimin e shtetasit R. M., 18 vjeç, për veprime të mëtejshme procedurale.
Fatmirësisht, nga të shtënat nuk raportohet për persona të lënduar.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e motiveve dhe dokumentimin ligjor të rastit.














