Nga Arlind Qori
Edi Rama ka gjetur armikun e ri që “po i çon në drejtim të gabuar” të rinjtë shqiptarë që po protestojnë me dhjetëra mijëra në rrugët e Tiranës: influencer-ët. Njëlloj si teoria konspirative paraprirëse që bënte sallatë greko-iraniano-majtisto-aliene, edhe justifikimi i ri shpërfaq paranojën e tij politike dhe nënvlerësimin e madh që ka për shoqërinë mbi të cilën ka hipur. Sipas tij, qytetarët shqiptarë, sidomos të rinjtë, nuk kanë asnjë arsye madhore për të protestuar.
Ndaj, nëse diçka e tillë ndodh, atëherë ata përfytyrohen si leshko të cilët mezi po presin të merren prej hunde nga keqbërësi ose oportunisti i parë.
Mënyra se si Rama e interpreton situatën nuk është thjesht taktikë çorientuese, por edhe shprehje e botëkuptimit të tij politik. Edi Rama është pushtetari më arrogant dhe narcis që na ka sunduar që prej themelimit të shtetit shqiptar.
Edhe më i korruptuari, por kjo është tjetër temë. Ky sociopat mendon vërtet se providenca e ka zgjedhur për një “mision të madh” dhe çfarë vjedh është thjesht shpërblimi ekonomik për “meritat” e tij historike.
Në sytë e tij, kushdo që i kundërvihet – nga kundërshtarët politikë te gazetarët dhe qytetarët në protestë – është thjesht mizë. Fakti që Edi Rama është kokëbosh intelektualisht dhe i pagdhendur karakterialisht vetëm sa ia bën më të nevojshme arrogancën.
Ndryshe nga imazhi modern që dëshpërimisht kërkon të përcjellë, Rama është ngritur politikisht duke u kompromentuar që ditën e parë me llumin e nëntokës kriminale dhe oligarkinë ekonomike. Edhe më keq se satrap i peshave të rënda gjeopolitike, Rama mbetet në radhë të parë një satrapuc i pushtetit ekonomik e kriminal vendas. Çka, me sa duket, ia lëndon sedrën dhe ia bën arrogancën jo vetëm taktikë, por edhe qetësues sedre.
Si çdo autokrat që e ka humbur lidhjen me shoqërinë, Edi Rama as sot nuk arrin ta kuptojë dallgën e madhe shoqërore që po e merr përpara. Të rinjtë e sotëm kanë një pafundësi arsyesh për të dalë në protestë. Sipas statistikave zyrtare, një në katër syresh nuk është as në punë dhe as në shkollë. Në masë të madhe detyrohen të punojnë dhe të shkollohen njëkohësisht.
Në ekonominë turistike të Ramës, të rinjtë robtohen si kamerierë, banakierë e ndihmës-kuzhinierë të keqpaguar në raport me punën e jashtëzakonshme që kryejnë. Punojnë pa kontrata ose e marrin një pjesë të rrogës nën dorë. Punojnë gjashtë, nganjëherë edhe shtatë, ditë në javë dhe nuk kanë të drejta në punë.
Nëse janë në shkollë, çdo sinjal që marrin nga jashtë saj duket se u tregon se shkolla nuk ka rëndësi. Nëse studiojnë fort në degët që ndjekin me pasion bashkëmoshatarët e tyre në Evropë, ekonomia e betonit dhe pastrimit të parave nuk ka nevojë për njohuritë e tyre.
Nëse kërkojnë të punojnë në administratën shtetërore, radha nuk vjen kurrë sepse përparësi ka patronazhisti. Nëse, për fat, ia arrijnë të gjejnë një shteg, me të filluar punë duhet t’i nënshtrohen logjikës poshtëruese të instrumentalizimit politik nga partia në pushtet.
Rinia që proteston është ajo që e di se, nëse nuk ndryshon me rrënjë modeli i zhvillimit, kurrë nuk do të arrijë të ketë në pronësi shtëpinë e vet, edhe sikur të punojë 16 orë në ditë. Janë njerëzit të cilëve pastrimi i parave dhe spekulimi imobiliar po ua bën gjithnjë e më të vështirë pagesën e qirasë.
Sikundër janë të rinjtë që shohin prindërit e tyre të kërrusur nga pesha e fyerjes së përditshme prej një pushteti që mbahet në këmbë vetëm përmes një rrjete kërcënimesh; si dhe gjyshërit që, po të ishte për pensionet e kësaj palo qeverie, do të kishin shkuar prej kohësh te të shumtët për shkak të kequshqyerjes dhe pamundësisë për të blerë ilaçe.
Të rinjtë që po protestojnë me dhjetëra mijëra në Tiranë nuk janë vetëm viktima të padrejtësive të panumërta, por edhe bartësit e një fryme të re dhe rebele. Për shkak të intensifikimit të komunikimit global, ata janë edhe qytetarë realë të Shqipërisë, edhe qytetarë virtualë të një bote të madhe.
Është një rini që flet anglisht me të njëjtën zhdërvjelltësi si shqipen dhe shumë më e hapur për idetë e reja se brezat e mëparshëm. Meme-t nuk janë vetëm shprehje e kreativitetit të tyre të pashtershëm, por edhe mënyra më e shëndetshme për të tallur pa arrogancë satrapucin që, sado të bëjë si palaço, nuk bën askënd për të qeshur.
Edi Rama është gati të bëjë edhe striptease në skenë vetëm e vetëm që të duket bashkëmoshatar në stil me ta. Por më kot. Më shumë se i ri ngjan me ata perversët e moshës së shtyrë që u hedhin fjalë vajzave në rrugë.
Të rinjtë e kanë tejkaluar Edi Ramën. Fatmirësisht, e gjithë shoqëria po ecën në një hap me ta.














