Një 35-vjeçar shqiptar është arrestuar nga Policia në Tiranë, pasi akuzohet si anëtar i një bande kriminale droge në Itali.
Sipas Policisë, në kuadër të operacionit “Perugia”, shërbimet e policisë, kanë lokalizuar në rrugën “Dritan Hoxha” dhe kanë arrestuar provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasin, Armando Suçi 35 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Penale e Peruxhias, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
Interpol Tirana do të vijojë veprimet procedurale, në bashkëpunim me Interpol Romën, për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.














