Nga Boldnews.al
Me një opozitë të tulatur dhe pa busull, pa revotë të brendshme në parti dhe me miq komisionerë e ambasadorë BE-rash, kryeministri Edi Rama ecën i qetë në mandatin e katërt qeverisës, por së fundmi po shqetësohet. Marrja e pandehur nga Prokurorisa Speciale SPAK e zëvendëskryesministres Belinda Balluku dhe pezullimi nga detyra i saj, nuk e gjeti Ramën të papërgatitur, por disi të befasuar.
“…nuk ka ndodhur kurrë që një prokuror e gjykatës të mblidhen kokë më kokë e të pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie”, deklaroi Rama ndërsa tha se vendimin do e ankimonte në Gjykatën Kushtetuese, (tek një tjetër “bijë” të dalë nga reforma e tij). Shpeshherë Rama me të drejtë është shprehur se është ai që ngjizi drejtësinë e re, duke sjellë në “jetë” bir dhe bija si SPAK, GJKKO, KLGJ, KLD e KLP-ra.
“Nuk është Amerika që bëri Reformën në Drejtësi. Është PS që e bëri dhe gjeti një mbështetje masive të aleatëve strategjikë. Reforma nuk bëhej dot pa mbështetjen e tyre. Por tjetër është ta udhëheqësh reformën dhe tjetër gjë ta mbështesësh”, tha Rama pak kohë më parë, ndërsa këtë qëndrim e shpreh herë pas here. Po si mundet që krijesa t’i kthehet kundra? Në ratin Balluku kryeministri Rama është i kushtëzuar të mos e lëshojë. Ishte ajo dora firmëtare e çdo tenderi të dyshimtë që për “gjeopolitikë’”, apo të aferë madhore, firmoste sipas verdiktit të shefit.
Po ashtu Balluku në një lloj mënyre ia imponoi rizgjedhjen në kabinetin e ri “Rama 4”, po në të njëjtin post e po me të njatat fuqi. Ajo mundi që të sillte 12 mandate për PS-në nga Qarku Fier, duke e lënë opozitën me vetëm katër mandate dhe dalë prej aty gati e dërrmuar. Vetëm dy muaj pasi Rama i kishte dhënë të njëjtat benefite, Balluku merret e pandehur nga SPAK, ose “djali i madh” i dalë nga marrëdhënia qeveri-SHBA-BE në haremin e drejtësisë së re. Fillimisht “Djali” ishte bindës. Së pari fundosi opozitën duke i izoluar në shtëpi kryetarin e partisë më të madhe opozitare Sali Berishën dhe më pas rrëmbeu dhe plasi në qeli kreun e Partisë së Lirisë Ilir Meta.
Me dy kundërshtarë të surgjinosur, Rama e kishte të lehtë udhën, ndërsa me duart e birit dhe bijave të “drejtësisë së re”, certifikoi zgjedhjet e 11 majit. Gjithçka në rregull deri në këtë pikë ku djemtë dhe vajzat e dala nga ngjizja treshe, ishin të bindur ndaj “krijuesit Rama”, por në një çast ata i kthehen kundër atit të tyre, madje duke e prekur në pikën e dobët. Zëvendëskryeministrja Balluku nuk ishte vetëm një numër dy, por ajo konsiderohej mëkëmbësja e Ramës në çdo nismë dhe më shumë qeveriste ajo për “hallet e vendit”, pasi Ai, ishte i zënë kryesisht me agjenda ndërkombëtare.
Balluku mund të cilësohet si “motrë politike” e Ramës dhe në këtë lidhje gjaku, djali SPAK dhe bija GJKKO, i bie që të sulmojnë “hallën” e tyre më të mirë, atë që në një qark me 16 mandate siguron 12, në forma të dyshimta, duke përdorur gjithë administratën dhe ka dyshime se është lëshuar vlerë e madhe nga ish-drejtorë që nëpërmjet imunitetit po tentojnë t’i shpëtojnë zullumeve. Mos ndoshta “fëmijët e drejtësisë së re” po mendojnë se në atë treshe mund të jetë “Ndërkombëtari” krijuesi? Deri më tani atësinë e reformës në drejtësi e ka marrë vetë Rama, i cili për momentin ka një qejfmbetje me djalin e madh SPAK. Nëse çështja do shkojë deri në ndarje përfundimtare “të pronës” Shqipëri, babai mund t’i tregojë derën hallës, ndërsa bijtë dhe bijat deri më tani kanë treguar se i pari i shtëpisë, “babai”, nuk preket…!














