Gambia tha se po strehon përkohësisht liderin e opozitës së Kamerunit, Issa Tchiroma Bakary, për arsye humanitare pas zgjedhjeve presidenciale të kontestuara atje muajin e kaluar, të cilat çuan në protesta të përgjakshme.
Siç shkruan Reuters, Paul Biya, në moshën 92-vjeçare (kreu i shtetit më i vjetër në botë), u shpall fitues i zgjedhjeve të muajit të kaluar në Kamerun me 53.66% të votave kundrejt 35.19% të votave që ishin për Tchiroma-n.
Tchiroma e kishte kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve që më përpara se të dilte, dhe protestat shpërthyen në disa zona pasi rezultatet paraprake tregonin se Biya, që ka qenë në pushtet që nga viti 1982, do të siguronte mandatin e tij të tetë.
Forcat e sigurisë së Kamerunit vranë 48 civilë gjatë reagimit ndaj protestave, thanë burime të OKB-së për Reuters-in këtë muaj. Vendndodhja e liderit të opozitës nuk dihej për javë të tëra.
Në një deklaratë të lëshuar të dielën vonë, ministria e informacionit e Gambias tha se vendi po e strehonte Tchiroma-n “thjesht për arsye humanitare, në frymën e solidaritetit afrikan” për të siguruar sigurinë e tij mes përpjekjeve për të zgjidhur “tensionet paszgjedhore”.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se Banjuli po konsultohet me partnerët rajonalë, përfshirë Nigerinë, për të mbështetur një zgjidhje të negociuar të krizës në Kamerun.
Deklarata gjithashtu riafirmoi angazhimin e Gambias ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Afrikan dhe tha se territori i saj nuk do të përdoret si bazë për aktivitete kundër ndonjë vendi.
Në një deklaratë të veçantë të dielën, Partia kryesore e opozitës në Gambia, Partia Demokratike e Bashkuar, akuzoi qeverinë për mungesë transparence mbi “ardhjen e qetë” të Tchiroma-s, por shtoi se ishte në solidaritet të plotë me të dhe e mirëpriti gjestin humanitar.














