POlicia e Fierit ka arrestuar një mjek të spitalit të qytetit, i cili akuzohet për korrupsion.
Në kuadër të operacionit “Imazheria” është vënë në pranga shtetasi Gëzim Taullaj, 66 vjeç, banues në Fier, me detyrë mjek imazherist në spitalin rajonal Fier.
Ai është arrestuar pas 4 muajsh hetimesh, ku ka rezultuar se u merrte pacientëve lekë për të kryer eko. Në banesë i janë gjetur rreth 60 mijë euro të valutave të ndryshme.
Mbi Gëzim Taullajn rëndojnë akuzat për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe ”Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
“Ky shtetas u kap në flagrancë duke marrë një shumë parash një pacienti që do të kryente ekon abdominale. Gjithashtu, ky shtetas, shpërdoronte detyrën pasi gjatë orarit zyrtar të punës, vizitonte pacientë në 2 klinika private në Fier.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u sekuestrua si provë materiale, shuma e lekëve që 66-vjeçari i mori qytetarit, në kundërshtim me ligjin si edhe shuma prej 1.857.000 lekë të reja, 39.155 euro, 2.370 paund dhe 75 dollar që iu gjetën gjatë kontrollit të banesës.” – thuhet në njoftim
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.














