Deputeti i Partisë Demokratike, Tomorr Alizoti, ka reaguar në seancën plenare të Kuvendit, duke denoncuar mungesën e debatit mbi programin qeverisës si një nga momentet më të rënda për demokracinë shqiptare që prej viteve ’90.
Alizoti e cilësoi mbylljen e diskutimeve si një kthim pas në standardet demokratike, duke paralajmëruar se kjo praktikë dëmton jo vetëm opozitën, por edhe vetë qeverinë dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
“Mesa di unë, është rasti i parë në 30 vjet që nuk ka debat në një program. Dhe arritja jonë më e madhe si komb, si Shqipëri post-Staliniste apo post-maoiste, ishte debati,” deklaroi Alizoti nga foltorja e Kuvendit.
Deputeti demokrat kritikoi ashpër përjashtimin e temave si shpopullimi dhe marrëdhëniet me Kosovën nga programi qeverisës, duke theksuar se këto janë çështje kyçe për të ardhmen e vendit.
Ai i bëri thirrje mazhorancës të rikthejë debatin parlamentar, duke e cilësuar si “shtyllën e demokracisë shqiptare” dhe “esencën e funksionimit institucional”.
“Demokracia jeton nga fjala dhe opozita ka fjalën. Nuk mund të mbyllet një seancë për një reagim emocional të shumë deputetëve, sepse seanca i përket shoqërisë, fermerëve, qytetarëve, ekonomisë,” shtoi ai.