Një rrjet kriminal i trafikut të drogës është shkatërruar nga autoritetet shqiptare me ato italiane, duke goditur një prej grupeve më të fuqishme, sipas SPAK.
Hetimet kanë dokumentuar mbi 40 episode të trafikut të lëndëve narkotike, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 7 milionë euro. Përmes dekriptimit të komunikimeve në platformën SkyECC, është zbardhur skema e plotë e veprimtarisë kriminale.
Në një konferencë për mediat, për të dhënë detaje lidhur me operacionin ka dalë kreu i SPAK, Kryeprokurori i Barit Roberto Rossi, Drejtori i Antimafias italiane Gjeneral Michele Carbone e përfaqësuesi për Eurojust për Italinë Gianluca Forlani. Dumani deklaroi se është goditur një prej grupeve kriminale më të fuqishme në vend.
Në kuadër të këtij aksioni të përbashkët janë lëshuar 52 urdhër-arreste, si dhe janë urdhëruar sekuestrime të pasurive me vlerë disa miliona euro në të dy vendet.
- Emrat e personave ndaj të cilëve janë lëshuar urdhërarreste janë:
Gertin Aliu
Adi Çoba
Ervis Deti
Agron Ganaj
Nuredin Kiptiu
Arsen Leskaj
Erigels Presi
Leonard Shakaj
Zenit Shtraza
Genci Telollari
Redi Tusha
Ervis Doçi (i njohur edhe si “Visi i Pojës”)
Ekil Nderjaku
Indrit Tafili
Operacioni është pjesë e një hetimi të përbashkët të koordinuar nga Drejtoria Antimafia e Barit, SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), si dhe institucione të tjera si Eurojust, Interpol, dhe Policia e Shtetit.
- Dalin EMRAT dhe PRONARËT e kompanive të sekuestruara nga SPAK
Operacioni “Ura” parashikon ekzekutimin e vendimeve për sekuestrimin e pasurive në Shqipëri dhe në Itali, që përfshijnë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, me një vlerë prej disa miliona eurosh, si dhe urdhra për arrest me burg, të lëshuara nga gjyqtari hetues i Barit dhe nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë, ndaj 52 personave të dyshuar për përfshirje në trafik ndërkombëtar të sasive të mëdha të lëndëve narkotike, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.
Nën sekuestro është vendosur shoqëria “Marquez” e Ervin Zeqirit, “Felix Vinum” e Adi Çobës, “Majestic Konstruksion” e Juxhin Drazhit, “Portside” e Elvis Doçit, i njohur si (Visi Pojës), “Dubai Im” e Nexhmedin Danajt, “Vlora Cable” po ashtu e Nexhmedin Danajt, si dhe një kompani tregtare për shitblerje makinash në pronësi të Olgert Shqevit.
- SPAK sekuestron një ‘TV Kabllor’ në Vlorë, në emër të biznesmenit të njohur
Gjithashtu janë sekuestruar pasuri që dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal i trafikut të drogës si 3 restorante në Durrës, një bar kafe, 6 shoqëri tregtare dhe një Televizion dhe një televizion “Tv Kabllor Vlora Cable” në Vlorë në emër të biznesmenit, Nexhmedin Danaj.
- Kush janë Algerta Fejzulla dhe Nexhmedin Danaj?
Dyshohet se Nexhmedin Danaj ka rol kryesor në grupin kriminal.
Dyshohet që Danaj lëviz paratë e trafikut të kokainës edhe në Dubai përmes kompanisë “General Trading LLC”, me seli në Dubai.
Ai është vëllai i Sadrit Danaj, ish-kryetar i Qarkut të Vlorës, i akuzuar nga PD-ja si i inkriminuar, i arrestuar se rrëmbeu vajzën e një biznesmeni në Siçili, në vitin 2000.
Emri i Algerta Fejzullaut u lakua për herë të parë në shkurt të vitit 2014, kur u arrestua për korrupsion.
Fejzulla përmes një avokateje në Vlorë, Dhurata Sulaj (Tafili), i mori 50 mijë lekë të reja një qytetari, me qëllim që të shtynte në kohë ekzekutimin e vendimit gjyqësor.
Algerta Fejzulla u arrestua në cilësinë e drejtoreshës së Zyrës Përmbarimore të Vlorës. Ajo ishte emërua në këtë post në vitin 2013 pas ardhjes së PS-së në pushtet.
Në vend që të reflektonte, Algerta së bashku me bashkëshortin e saj u pasuruan shpejt nëpërmjet veprave të paligjshme.
Në vitin 2015, Fejzulla e pezulloi aktivitetin si avokate disa muaj pas regjistrimit, me adresë Rruga Sulejman Delvina, Vlorë.
Në vitin 2023, Algerta themeloi kompaninë “Dubai im”, në Lungomare të Vlorës, me përshkrimin si agjenci turistike, në fushën e turizmit, hoteleri, restorante, bar-kafe, import-eksport, transport për llogari të vetë dhe për të tretë, shërbime taksi, dhënie e marrje e mjeteve të transport me qira etj.
Dyshohet se “Dubai im” përdorej për lëvizjen e parave të pista.
Gjithashtu, emri i kompanisë nuk është quajtur rastësisht “Dubai im”, sepse i shoqi, Nexhmendim Danaj, rezulton pronar i kompanisë “General Trading LLC”, me seli në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe. Kompani e cila ka qarkulluar miliona euro.
Nexhmendin Danaj është ortak me 30% në televizionin kabllor “Vlora”, së bashku me vëllain tjetër Vexhi Danaj.
- DOSJA/ Si u godit organizata e Xhevdet Troplinit, e fundosi Nuredin Dumani
Është publikuar një pjesë nga dosja e anti-mafias italiane mbi goditjen që iu dha një organizate kriminale italo-shqiptare që merrej me trafikimin e kokainës dhe heroinës.
Organizata me shtrirje ndërkombëtare u zbulua nga autoritetet italiane, pas një hetimi të thelluar të udhëhequr nga Prokuroria e Antimafias në Bari, në bashkëpunim me SPAK-un shqiptar dhe autoritetet gjermane.
Në qendër të hetimit nga autoritetet italiane janë 28 persona të dyshuar për përfshirje në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, kryesisht heroinë dhe kokainë, me origjinë nga Shqipëria dhe Holanda, të destinuara për tregun italian. Bashkë me numrin e personave nën hetim në Shqipëri, numëri total i urdhër-arresteve është 52.
Sipas dosjes hetimore, organizata kishte si drejtues kryesor shtetasin Xhevdet Troplini. Ndërmjetësit kryesor të Xhevdet Troplinit në këtë aktivitet dyshohet të kenë qenë Adi Çoba dhe Elvis Doci, i njohur si “Visi i Pojës”.
- Kush është Ervis Doçi?
Ervis Doçi, apo i njohur me nofkën “Visi i Pojës” është një personazh me “emër” për drejtësinë shqiptare. Një vit më parë në banesën e këtij shtetasi u zhvilluan kontrolle ndërkohë që SPAK lëshoi dhe një urdhër-arrest. Në kuadër të këtij operacioni asokohe blutë sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 3 milionë euro cash vetëm në banesën e Ervis Doçit. Ndërkohë që emri i tij është lakuar në shumë ngjarje kriminale që kanë tronditur vendin tonë. Sakaq, jo më larg se disa javë më parë edhe ish-kryeministri Berisha në daljet e tij televizive i ka bërë thirrje Doçit që të distancohej nga zgjedhjet pasi ashtu si kyredemokrati pretendonte po kërcënon qytetarët.
Një element kyç në zbardhjen e aktivitetit të kësaj organizate kriminale ka qenë dëshmia e të penduarit të drejtësisë shqiptare Nuredin Dumani, një person i njohur për lidhjet e tij në botën e krimit në Shqipëri.
Dumani, i cili ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë shqiptare në kuadër të hetimeve të SPAK, ka dhënë dëshmi të detajuara mbi funksionimin e organizatave kriminale në të cilat ka qenë i përfshirë, përfshirë dhe lidhjet me grupin e Troplinit.
Rrëfimi i tij ka ndihmuar në ndërtimin e një panorame të qartë mbi trafikun ndërkombëtar të drogës, përfshirjen e disa personave kyç, itineraret e përdorura për transportin e lëndëve narkotike dhe metodologjinë e shpërndarjes. Informacionet e siguruara prej tij janë përdorur nga autoritetet italiane dhe kanë ndikuar në përforcimin e akuzave kundër disa prej të dyshuarve.
Ndër personat e tjerë të përfshirë në dosjen italiane Erigels Presi, Agron Ganaj, Nuredin Kiptiu, Leonard Shakaj, Zenit Shtraza, Indrit Tafili, Ekil Nderjaku, të cilët dyshohen për role të ndryshme brenda organizatës kriminale.
Operacioni mbulon një periudhë kohore nga viti 2016 deri në qershor të vitit 2022 dhe përbën një nga ndërhyrjet më të mëdha të koordinuara kundër trafikut të drogës mes Shqipërisë dhe Italisë.
- SKEMA/ “Grupi kriminal ia besonte paratë autobusëve”, Prokurori italian: Anëtarët bënin shënime në letra
Prokurori italian që ka ndjekur hetimet e megaoperacionit të zhvilluar në Itali dhe Shqipëri është ndalur tek fluksi i parave të përfituara nga trafiku i narkotikëve, të cilat transportoheshin nga Italia në Shqipëri përmes agjencive të autobusëve.
Ky aktivitet, sipas tij, është zbuluar falë shkëmbimit simultan të informacionit, përdorimit të GPS për lokalizim dhe vëzhgimit të koordinuar transkufitar.
Gjatë operacioneve hetimore janë identifikuar prova konkrete që tregojnë rrjedhën e parave nga vendet perëndimore drejt Shqipërisë.
Prokurori italian: “Sa i përket fluksit të parave kemi arritur bashkë të vëzhgojmë dhe të filmojmë kur personat nga Italia tia besonin paratë agjencitë e transportit me autobus që vinin në Shqipëri. Edhe ky aktivitet për eliminimin e vështirësive në kalimin e kufijve është arritur me anë të shkëmbimit të informacionit simultane, ka lejuar të kryheshin në lokalizime me anë të GPS dhe shërbimeve të vëzhgimit transkufitare. Kemi arritur të shohim paratë që nga Italia shkonin në shoferët e autobusëve dhe më pas vinin në Shqipëri. Fluksi i parave është kuptuar nga të dhënat e marra nga chatet, në fotot e bërë në celular rezultatin përveç lëndëve narkotike dhe paratë. Bashkë me pakot e parave kishte edhe disa letra të shkruara me dorë sa i takon kontabilitetit të grupit”
- Kush janë 3 lokalet luksoze që u sekuestruan
Përveç 52 urdhër-arresteve në Shqipëri dhe Itali në megaoperacionin kundër krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të drogës, janë sekuestruar edhe 3 restorante në Durrës, një bar kafe, 6 shoqëri tregtare dhe 1 televizion në qytetin e Vlorës.
Nën sekuestro janë vendosur shoqëria Marquez e Ervin Zeqirit, Felix Vinum e Adi Çobës, Majestic Konstruksion e Juxhin Drazhit, Port Side e Elvis Docit, i njohur si Visi Poja, Dubai Im e Nexhmedin Danajt, Vlora Cable po ashtu e Nexhmedin Danajt, si dhe një kompani tregtare për shitblerje makinash në pronësi të Olgert Shqevit.
Lokali Port Side në pronësi të Elvis Docit:
Lokali Marquess Resto-Lounge në pronësi të Ervin Zeqirit:
Lokali Felix Vinum ku Adi Çoba është aksioner me 33%:
- “Të dhënat nga SkyECC”/ Prokurori Mara: Sekuestrohen bare, restorante deri në televizion
Prokurori Vladimir Mara ka dhënë detaje nga goditja e grupit të fuqishëm kriminal të trafikut të drogës në Shqipëri ku u lëshuan 52 masa sigurie në vendin tonë dhe Itali.
Prokurori deklaroi se u ekzekutuan 40 masa sigurimi, ndërsa mes tyre janë zyrtarë shtetërorë dhe një avokat. Gjithashtu janë sekuestruar pasuri që dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal i trafikut të drogës si 3 restorante në Durrës, një bar kafe, 6 shoqëri tregtare dhe një Televizion në qytetin e Vlorës.
Prokurori Vladimir Mara: “Atëherë ditën e sotme janë ekzekutuar masat e sigurimit për 52 persona në Shqipëri dhe Itali. Janë ekzekutuar 40 masa sigurimi. Janë evidentuar përveç episodeve të trafikimit të lëndëve narkotike dhe pjesëtareve të grupeve të strukturuara kriminale, janë dokumentuar edhe vepra korruptive në Shqipëri. Kemi masa sigurimi të vendosura nga GJKKO për korrupsion zyrtarë shtetërorë dhe një avokat. Gjithashtu janë ekzekutuar vendime të gjykatës lidhur me sekuestrimin e pasurive që dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal. Janë sekuestruar 3 restorante në Durrës, një bar kafe, 6 shoqëri tregtare dhe një Televizion në qytetin e Vlorës.”
Në deklaratën e tij, Mara bëri të ditur se ky hetim është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë me autoritetet italiane, të cilat kanë administruar të dhëna të marra nga platforma e komunikimit të enkriptuar Sky ECC
Vladimir Mara: “Është realizuar sekuestrimi në disa episode të lëndëve narkotike në shtetin italian. Nga ana e autoriteteve italiane janë administruar të dhënat të platforës Sky ECC, çka kanë paraqitur para hetimit një panoramë të qartë të organizimit të gjithë këtij grupi kriminal. Nga analizimi i këtyre të dhënave kemi arritur të dokumentojmë gjithë shtrirjen e aktivitetit kriminal që fillonte në Shqipëri, në Puglia dhe më pas në gjithë territorin italian dhe më pas në vende të tjera të BE, si Gjermani, Belgjikë e Hollandë dhe në Amerikën e Jugut. Krahas të dhënave të përfituara nga përgjimet telefonike janë përdorur edhe të dhënat e përfituara nga platformat e inkriptuara. Është dokumentuar i gjithë cikli i lëvizjes së lëndëve narkotike. Janë dokumentuar mbi 30 episode të qarkullimit të parave në një vlerë prej 5 milionë euro”
- Dumani: U godit një prej grupeve kriminale më të fuqishme në Shqipëri
Kreu i SPAK, Altin Dumani ka dhënë detaje nga operacioni i përbashkët me autoritetet italiane ku u lëshuan 52 urdhër arreste në të dy shtetet.
Drejtuesi i SPAK deklaroi se u godit një prej grupeve kriminale më të fuqishme në Shqipëri. Altin Dumani, në konferencën për mediat u shpreh se ka dyshime të forta se ky grup kriminal ishte i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogave të forta dhe në pastrimin e parave.
“Është arritur ti jepet një goditje e fuqishme një prej grupeve kriminale më të fuqishme në Shqipëri për të cilën ka dyshime të forta se ishte i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogave të forta dhe në pastrimin e parave. Ky operacion i mbështetur nga hetimet e thelluara dhe shkëmbim efektiv informacioni ndërinstitucional është dëshmi e asaj që mund të arrihet kur institucionet e drejtësisë dhe strukturat e zbatimit të ligjit bashkëpunojnë, profesionalizëm dhe besim. Shpreh mirënjohjen për prokurorët e SPAK, hetuesit e BKH, policinë e shtetit dhe partnerët italianë që sot ndodhen mes nesh dhe kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm. Falenderim për Eurojust dhe Europol për mbështetjen e dhënë gjatë hetimeve të kryera”, u shpreh Dumani.
Sipas mediave italiane, në listën e urdhër-arresteve ka edhe punonjës policie, avokatë dhe emra të njohur të botës së krimit, të dyshuar për përfshirje në rrjetin e trafikut dhe për shpërdorim detyre.
- Prokurori i Barit: Mafia shqiptare ka një forcë ndërkombëtare shumë të madhe
Prokurori i Barit, Roberto Rossi, në fjalën e tij në Tiranë nga selia e Prokurorisë së Posaçme, tha se mafia shqiptare ka një forcë ndërkombëtare shumë të madhe dhe e cilësoi si një kancer që duhet të luftohet.
“Kemi punuar dhe vazhdojmë punojmë prej 10 vitesh për arritjen e objektivave të përbashkët. Për ne, luftimi i krimit në Shqipëri apo Itali është e njëjta gjë dhe jemi plotësisht të ndërgjegjshëm që autoritet hetuese shqiptare dhe në veçanti SPAK, janë tepër të afta të ndjekin veprave penale bashkë me ne.
Mafia shqiptare për fat të keq ka një forcë ndërkombëtare shumë të madhe, por jemi të siguritë që populli shqiptar, me anë të prokurorisë dhe gjyqtarëve shqiptarë, do të jetë në gjendje të luftojë këtë kancer. Pikërisht mes bashkëpunimit perfekt, do ta arrijmë këtë objektiv”- tha ai.
Lexo edhe: