Emisioni “Plug”
Ky që shihni në pamje e mëposhtme është Jeton Dani që dhunon drejtuesin e Formit Rinor të Partisë Demokratike, dhunë të së cilës nuk i shpëtoi edhe kreu i Partisë Demokratike Bulqizë. Policia dhe Prokuroria e këtij qarku nxitoi të akuzonte deputetin Xhelal Mziu dhe mbështetës të opozitës, se agallarëve të Dibrës, iu kërkuan që të mos intimidojnë qytetarët.
Jeton Dani është babai i Murat Danit, i cili kërkon një mandat deputeti nën siglën e Partisë Socialiste.
Ndërsa sot kërkon një mandat deputeti për të birin, Jeton Dani është një personazh i njohur në këtë qark, sidomos në Bulqizë, pasi së bashku me ish-kryebashkiakët Lefter Alla, Myfit Duriçin dhe disa shtetas të tjerë janë apo kanë qënë aksioner të një rrjeti të madh kompanish të cilat shfrytëzojnë pasurinë e nëntokës tonë në Qarkun Dibër.
Sipas të dhënave në QKB, Jeton Dani fillon aktivitetin e tij tregtar në vitin 2005 kur blen 50% të aksioneve të kompanisë GERTI shpk nga shtetasi Shaip Përlica, një kompani që operon në sektorin e nxjerrjes së kromit.
Shaip Përlica është kunati i shtetasit Myfit Duriçi, ish-kryebashkikut të Bulqizës, e kandidatit socialist për deputetet në zgjedhjet e vitit 2017, që bë viral për shkak të ndërrimit të emrit tre herë brenda një kohe të shkurtër.
Deri në vitin 2011 kjo kompani deklaron një aktivitet normal tregtar e me një fitim 6.4 milion lekë.
Në shtator të vitit 2011 kjo kompani pezullon aktivitetin dhe e riaktivizon në prill të vitit 2016, kohë kur rilindja kishte ardhur në pushtet. Personi i autorizuar për të depozituar dokumentacionin në QKB dhe pagesën në bankë, është shtetasi Ilir Sadik Alla. Nga investigimi jonë rezulton se Ilri Sadik Alla është pronar i dy kompanive të tjera që merren me nxjerrjen e kromit.
Në shkurt të vitit 2016 Ilir Alla themelon kompaninë UARDRIN sh.p.k dhe në vitin 2018 themelon kompaninë KENSHELL, po me aktivitet shfrytëzimin e pasurisë së Dibrës, KROMIN.
Për arsyen e krijimit të këtyre kompanive dhe kësaj skeme, por më parë do të ndalemi në aktivitetin e Jeton Danit.
Në vitin 2016, Jeton Dani aktivizon kompaninë Gerti shpk dhe në muajin maj të këtij viti Shaip Përlica, kunati i Myfit Duriçit i dhuron 50% të aksioneve, Jeton Danit. Në nëtor të vitit 2016 Jeton Danit i dhurohen edhe 66% të aksioneve të një tjetër kompania ERLI-D sh.p.k. Pra Jeton Dani sipas të dhënave zyrtare, rezulton agai, që biznesmenët e kromit në Bulqizë apo personazhe të kësaj zone i dhurojnë pasuri e biznese. A janë këto dhurime reale, apo pas tyre fshihet diçka tjetër mbetet për tu parë. Ndërsa Ministri i Infrastrukturës së asaj kohe Damian Gjiknuri përgatiste tërmetin elektoral dhe dosjen 184, agallarët me dhurime, tendera e licenca mineralesh nisën epokën e artë të pasurimit e në të njëjtën kohë shfaqën edhe ambiciet politike.
“Tërmeti” i Damian Gjiknurit dhe tërmeti financiar i pashallarëve të rinj të Dibrës, jo rastësisht përkojnë në të njëjtën kohë.
Në tetor të vitit 2017 kompania Gerti shpk, e Jeton Danit regjistron disa adresa sekondare: “Ura e Kaces-Mulliri i Selitës” sipas leje minerare nr 1532 datë 12.01.2011; Durrës, Shesh depozitimi tek terminali lindor Porti Durrës; Uzina e Ferrokromit Elbasan. Këto adresa lidhen pikërisht me rilindjen sipërmarrëse të Jeton Danit, falë ministrit të dosjes 184 Damian Gjiknuri, që me dhurime e përvetësime, kishte arritur të vinte të dispozion të pasurimit të tij pasurinë e nëntokës të këtij qarku.
Kompania e jeton Danit tashmë mori në dispozicion dhe aktivizoi një leje mineral e miratuar në vitin 2011 për subjektit tregtar Selita B3 shpk me aksioner sot shtetasit Perparim Kolaveri e më parë shtetasin Arben Çela i cili është pronar i kompanisë UDHA shpk. Perparim Kolaveri rezulton pronar i SELITA B3 dhe punëtor krahu në kompaninë UDHA, pra një prestanome i Arben Çelës.
Në vitin 2017, me firmë të Damian Gjiknurit, leja minerare i transferohet kompanisë së Jeton Danit.
Pas marrjes në zotërim të nëntokës, Jeton Dani shtonë ambicien edhe nga uji e lumenjtë, duke u bekuar nga Damian Gjknuri edhe me Hidrocentrale në kurriz të pasurive të qytetarëve dibranë. Në dhjetor të vitit 2018, kompania e Danit shton edhe nje tjetër adresë dytësore: Vendburimi “Mulliri i Kaconit”, njësia Administrative Lurë. Dhe një vit më pas, në dhjetor të vitit 2019 shtohen dhe 3 adresa të tjera dytësore: Librazhd, Ndërtimi i burimit gjenerues së energjisë hidrocentrali “Vardar”, në përroin e Vardarit dhe Valit dhe Librazhd; Ndërtim i burimit gjenerues hidrocentral “Polemi” përroi i Neshtës Bulqizë si dhe Zona Minerare 516, objekt kromi.
Nga sa më sipër kuptohet se kompania që merret me krom e Jeton Danit, përveç shtimit të një tjetër leje shfrytëzimi kromi, tashmë do të ndërtojë dy hidrocentrale. Nga investigimi rezulton se këto dy kontrata koncesionare fillimisht i janë dhënë me firmën e Damian Gjiknurit kompanisë DRINI BULQIZË shpk, në pronësi të shtetasve Ilir dhe Bajram Cami. DRINI BULQIZË është një tjetër kompani kromi e cila majmet dhe më shumë nga Damian Gjiknuri pas tërmetit në zgjedhjet e vjedhura të vitit 2016.
Por këto dy koncesione nuk mbeten te kompania Drini Bulqizë, sipas të dhënave të QKB, ndërtimi i këtyre dy objekteve regjistrohet si adresë dytësore vetëm në kompaninë e Jeton Danit, GERTI shpk dhe nuk hapet asnjë adresë dytësore nga kompania e cila ka firmosur kontratën koncesionare në datën 24.01.2018.
Më pas sipas vendimeve të ERE nr.32 datë 27.03.2024 rezulton se HEC Polemi është në pronësi të kompanisë Drini Bulqize, ndërsa po sipas vendimit të ERE nr.284 datë 25.09.2023 HEC Vardari i ka kaluar në pronësi kompanisë Gerti shpk sipas kontratës për shitblerjen e kuotave datë 4.06.2020, miratuar nga Belinda Balluku në datën 24.12.2020.
Por jo vetëm kaq, sërish me firmë të Damian Gjiknurit, Jeton Danit i jepet një tjetër kontratë koncesionare për hidrocentral në vitin 2017. E për këtë në vitin, 2021 Jeton Dani regjistron një tjetër adresë dytësore: Ndërtimi I burimit të ri gjenerues të energjisë, hidrocentralit “Mireshi”, në përroin e Mireshit degë e Drini i Zi, Bashkia Bulqizë.
Këtu konstatohet në tjetër shkelje, pasi punimet ndërtimore kanë filluar në vitin 2021, katër vite më vonë se miratimi i lejes ndërtimore, edhe pse kontratat koncensionare kanë afate të përcaktuara qartë. Por shkeljet ligjore për pashallarët rilindas të dibrës nuk janë problem.
Në shkurt të vitit 2024 Jeton Dani përvetëson edhe një tjetër leje për shfrytëzimin e kromit: Zona Minerare Nr.584/3 Strikçan, Zerqan në Bulqiz Dibër.
Dyshime të mëdha ngrihen edhe nga financimi i kësaj kopmpanie. Në bilancin e vitit 2023 rezulton se Aksioneri Jeton Dani ka financuar kompaninë në vlerën 165.854.741 lekë ose 1.6 milion euro. Burimi i këtij financimi është i panjohur për sa kohë kompania Gerti shpk nuk ka shpërndarë asnjëherë divident. Ajo që bie në sy te GERTI shpk është fakti se gjatë pushtetit të rilindjes, kompania ka shumëfishuar faturimet dhe fitimin.
BILANCET
Xhiro Vjetore(Lekë)
- 2023: 511,736,316
- 2022: 324,367,695
- 2021: 223,421,871
- 2020: 281 120 000
- 2019: 139 328 000
- 2018: 27 807 000
- 2017: 107 602 055
- 2016: 12 446 067
Fitimi para Tatimit (Lekë)
- 2023: 124,782,964
- 2022: 51,220,658
- 2021: 43,537,559.
- 2020: 97 360 000
- 2019: 24 699 000
- 2018: 3 550 000
- 2017: 13 137 000
- 2016: -4 475 055
Pas tokës, ujit, edhe Jeton Dani nuk mund ti shpëtonte trendit dhe skemave të Belinda Ballukut me parqet Fotovoltaikë. Në nëntor të vitit 2023 themelohet kompania DANI ENERGY 2023. Kjo kompani ka kërkuar të marrë me qera 40/HA në fshatin Okshatinë, Shupenzë, për të ndërtuar një parka Fotovoltaik 40/MW.
Bashkia Bulqizë në shkelje të procedurës tentoi të kalonte vendimin për dhënie toke me qera por u bllokua nga këshilltarët Bashkiak të opozitës të cilët konstatuan falsifikimin e dokumentacionit pasi degjesa me banorët kishte ndodhur disa dite më parë se kompania të depozitonte kërkesën në Bashkinë Bulqizë.
Skemat dhe rrjeta e merimangës të thurur nga Erjon Veliaj me 5 D dhe Belinda Balluku me 5 B, për thithjen e miliardave euro me tendera, në Dibër, pashallarët rilindas e kishin thurur për të zaptuar pasurinë e nëntokës.
Lefter Alla sipas të dhëna të bëra publike nga vetë ai, ka mbajtur detyrën e kryetarit të partisë socialiste në Bulqizë për tu katapultuar më pas në krye të bashkisë nga e cila doli me pranga.
Sic e tham dhe më sipër gjatë investigimit të kompanisë Gerti shpk të Jeton Danit, shtetasi I cili pagoi dhe depozitoi dokumentacionin në QKB për riaktivizimin e kësaj kompanie është ILIR ALLA, vëllai i Leftër Alla.
Sipas QKB vetë vëllezërit Alla zotërojnë disa kompani të gjitha në zotërim të lejeve minerare për shfrytëzimin e kromit.
Subjekti UARDRIN shpk themeluar vetëm 2 muaj përpara aktivizimit të Gerti shpk në shkurt të vitit 2016.
KENSHEL themeluar në vitin 2018 nga Ilir Alla dhe Ervis Beshiri, ky I fundit do të largohej nga kjo kompani në qershor të viti 2024.
AKI-LEO 08 e themeluar nga Spartak Shahinaj dhe Ilir Hoxha, kjo kompani pasi ndryshon disa herë ortakët në qershor të vitit 2016 pezullon aktivitetin. Në janar të vitit 2018 ortaku i momentit i kësaj kompanie Veli Meçaj i dhuron aksionet shtetasit Vangjel Alla (emrin e kam te sakte nuk është shkrujt gabim )))) e njëkohësisht kompania kalon nga status pasiv në aktiv. Vangjeli është vëllai tjetër i ish-kryebashkiakut Lefter Alla. Në vitin 2022 Vangleli ia kalon aksionet motrës së tij Sanie Paci, për t’ia rimarrë në vitin 2023.
Por kompania me e hershme e familjes ALLA, rezulton të jetë ALB LEAA INTERNACIONAL shpk e themeluar në vitin 1999 nga zonja Etleva Hajdari bashkëshortja e Lefter Alla. Në vitin 2000 në këtë kompani behet ortak me 50% dhe Lefteri. Në vitin 2001, Lefter Alla bëhet aksioner me 100% të kuatove.
Ne vitin 2014 kapitali rritet dhe nga 100.000 bëhet në 103.900.000 lekë.
Në dhjetor të vitit 2014 me një akt të madh zemërgjerësie Lefteri i dhuron 49% të aksioneve shtetasit Jeton Dani e po flasim për një kompani që në vitin 2013-2014 kishte gjeneruar vetëm fitim 120.000.000 lekë ose 1.2 milion euro.
Në korrik të vitit 2019 pasi u emërua Kryetar Bashkie ia dhuron 51% të aksioneve bashkëshortes Etleva Alla.
Në deklaratën e pasurisë përpara fillimit të detyrës Lefter Alla deklaron në ILDKPI disa Apartamente ne Tiranë dhe Kavajë, disa mijra metra katror troje dhe të gjitha këto me të ardhurat nga biznesi dhe emigracioni. Por ajo që bie në sy është një tjetër deklarim i Lefter Allës ku thotë se në maj të vitit 2019 kompania Alb Leaa shpk ka shpërndarë divident në vlerën 153.000.000 për Lefter Allën që nga krijimi i saj. Por nga këto të ardhura 148.000.000 ende nuk ja ka likuiduar. Dyshimet ngrihen edhe më shumë kur ne dhjetor të vitit 2020 Etleva Alla dhe Jeton Dani ia dhurojnë aksionet që vlejne miliona e miliona euro një Individi, Arben Zhuku.
Në deklarimet e pagave të marsit 2021 rezulton se zonja Alla është në listpagesat e kompanisë ALB LEAA, e mbi të gjitha është punonjësja me e paguar duke ia kaluar dhe pronarit në letra, Arben Zhuku.
Këto janë vetëm disa nga kompanitë që kanë licencë kromi, hidrocentralesh, fotovoltaike të pashallarëve të Dibres.
Por a do të arrihej që pasuria e Qarkut të Dibrës, nëntoka, uji madje edhe ajri të përvetësoheshin nga një rrjet individësh pa lidhjen e pushtetit? Të dhënat tregojnë se jo, madje ka qenë qeveria e Edi Ramës që me firmë të ministrave, pasurinë e dibranëve ua ka falur një grupi njerëzisht, të cilët më pas në çdo palë zgjedhje shfaqen rrugëve të çdo qyteti e çdo fshati për të shpenzuar milionat e zhvatura.
A thua vallë burrat dhe malet e Dibrës lidhën besë që Gjoricën e Radikën të mos ia dorëzonin Hajredin Pashës qe t’ia falnin pashallarëve të rinj të Rilindjes? Miliona euro të Dibrës të vjedhura, uji i lumenjve, mineralet e madje së fundmi edhe djelli me parqet fotovoltaike. Pas 170 vjetësh të kësaj kënge legjendare, sot ajo duhet të ushtojë edhe më shumë për veshët e dibranëve, madje edhe të ndonje dibrani në krye të SPAK.