Të rënda janë dhe skemat korruptive, që të çojnë shumë më lart se drejtorët apo shefat e tyre ministra. Bëhet fjalë për Kryeministrin, Edi Rama. Ideatori dhe ekzekutori i koncesioneve në Shëndetësi, Sterilizimit apo Check Up, si dhe digjitalizimit të vendit nëpërmjet AKSHIT, ka bërë që shqiptarët sot të kenë dëme qindra milionë euro në buxhet. Këtë se themi ne, por vendimet e gjykatave apo kontrollet e KLSH, të cilat kanë treguar se vetëm me sterilizimin dhe Check Up shqiptarët kanë pasur një dëm më shumë se 240 milionë eurosh, ndërsa mbi 53 milionë euro tendera të AKSHIT dyshohet se janë kontrolluar dhe përfituar nga familjarët e Kryeministrit Edi Rama.
Emisioni Plug në Syri Televizion, publikoi të plotë dosjen hetimore të SPAK, duke kryqëzuar të dhëna që tregojnë se pas aferës së sterilizimit qëndrojnë ish-ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj dhe vetë Kryeministri Edi Rama. Të dhënat e dosjes hetimore të SPAK, tregojnë se vetë qeveria shqiptare në rrugë informale, njoftoi biznesmenin murator Ilir Rrapaj, se do të jepte me koncesion sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale.
Ilir Rrapaj, mik i Ilir Beqaj dhe njohje kryeministrit Edi Rama, pasi u vu në dijeni të veprimit të ardhshëm të qeverisë shqiptare, përgatiti të gjithë dokumentacionin përfshirë dhe studimin e fizibilitetit, me kosto të fryra për sterilizimin. Më pas, ishte qeveria dhe konkretisht ish-ministri Ilir Beqaj apo dhe vetë Kryeministri Edi Rama, që shkelën ligjin, duke injoruar Komisionin e Prokurorimit dhe KLSH, që ngriti alarmin se kompania Saniservice, që ishte shpallur fituese e koncesionit 100 milionë euro të sterilizimit, nuk plotësonte kushtet për të kryer këtë shërbim publik.
Po pavarësisht ankesës së bërë nga operatori tjetër në garë, Action Laundry, që ofroi kryerjen e sterilizimit me 25 milionë euro më pak, qeveria shqiptare vendosi tia japë Ilir Rrapajt këtë shërbim. Skandali kryesor qëndron në faktin se qeveria shmangu vënien në funksion të qendrës së sterilizimit në spitalin Nënë Tereza në Tiranë, e cila kërkonte dhe një investim shtesë prej rreth 1 milionë eurosh për tu bërë funksionale. Kjo qendër ishte ndërtuar gjatë qeverisë së Partisë Demokratike, dhe parashikonte të sterilizonte të gjithë setet kirurgjikale që kishin nevojë spitalet publike në vend, me një kosto shumë herë më të ulët se ofrimi i këtij shërbimi nga koncesionari.
Të gjitha veprimet arbitrare të qeverisë shqiptare, janë faktuar edhe gjatë komisionit hetimor parlamentar, ku vetë protagonistët e kësaj afere, kanë pranuar falsifikimet dhe abuzimet që janë kryer me sterilizimin, duke zhvatur miliona euro të taksapaguesve shqiptarë. SPAK gjithashtu në hetime ka arritur të vërtetojë shkeljet e rënda të Ilir Beqajt, deri edhe te roli i Kryeministrit Edi Rama, por veprimet ndaj tyre nuk kanë qenë në raport me shkeljet e kryera. Hetimet vihen në pikëpyetje, për shkak se në qershor të vitit 2023, GJKKO kërkoi prishjen e kontratës koncensionare, pasi sipas prokurorisë ishte abuzive dhe i kishte shkaktuar një dëm financiar shtetit prej 100 milionë eurosh. Por pas kësaj kërkese të SPAK, vetë kryeministri Edi Rama, u angazhua publikisht duke garantuar se koncesioni do të vijonte, duke zhvatur miliona euro nga xhepat e shqiptarëve.
Por jo vetëm sterilizimi, një tjetër koncesion korruptiv të paktën i dyshuar deri më tani, është ai i Check Up. Edhe ky koncesion, ka kushtuar në total rreth 140 milionë euro, ndërsa vijon të hetohet nga SPAK.
Emisioni investigativ Plug në Syri Televizion, publikoi të dhëna tronditëse që faktojnë se miliona euro kanë përfunduar në xhepat e Armand Frangut, baxhanakut të Kryeministrit Edi Rama. Më shumë se 53 milionë euro tendera të AKSHIT, janë përfituar nga kompanitë e shtetasit Gerond Meçe. Ky i fundit, Pasi ka përfituar tenderat, nga AKSHI, ia ka kaluar punimet kompanive të Armand Frangut, i cili është gjithashtu ortak i Gerond Meçes në dy kompani.
Pas kësaj deklarate të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, emisioni Plug në Syri televizion bëri një verifikim të fakte në lidhje me tenderat e AKSHIT. Nga të dhënat publike të prokurimeve dhe open data, rezulton se kompanitë e Gerond Meçe, janë përfituesit e 53 milionë eurosh tendera nga AKSHI. Meçe është ortak biznesi i Armand Frangut, i njohur si baxhanaku i Kryeministrit Edi Rama. Kompania ABS, e përdorur nga Meçe për të fituar tenderat e AKSHIT, ka një rritje galopante faturimi nga viti 2012, kur deklaronte xhiro 131 milion lekë e deri në vitin 2024 kur xhiro ka arritur në mbi 18 milionë euro. Kjo kompani ka fituar dhjetëra tendera nga AKSHI por edhe institucione të tjera publike.
Armand Frnagu, baxhanaku i kryeministri Edi Rama, sipas të dhënave të siguruara nga QKB, rezulton aksioner në 2 kompani, B360 e bashkëthemeluar me Gerond Meçe dhe SIRMA e themeluar në vitin 2017 me ortak kompaninë SIRMA inc ku Armand Frangu ka në zotërim 45% të aksioneve. Të dyja këto kompani kanë si objekt shërbimet IT. Nga të dhënat e siguruara nga emisioni Plug, rezulton se pasi Gerond Meçe merrte tendera publik nga AKSHI, kompania e tij, kontraktonte për kryerjen e punimeve kompanitë e Armand Frangut, me të cilin kanë ndarë të njëjtat zyra.
Deri tani shihet qartë se Armand Frangu ka përfituar fonde publike përmes ish ortakut Gerond Meçe. Kjo lidhje është faktuar dhe më parë midis kompanisë ABS dhe B360 ku sipas bilanceve marrin dhe japin shërbime njërit tjetrit qe nga themelimi. Një tjetër skandal, i zbuluar nga Plug është dhe fakti, se shtetasja Ermonela Denaj, drejtoreshë e I-gov pranë AKSHIT, është njëkohësisht kunata e Gerond Meçes, njeriut që merrte tenderat nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe më pas i kanalizonte te Armand Frangu. Denaj gjithashtu ka qenë në disa projekte edhe si përgjegjëse për zbatimin e kontratës, duke përëbër konflikt të hapur interesi, me shtetasin Gerond Meçe.
Për të rritur kostot fiktivisht dhe qarkulluar miliona euro, Gerond Meçe themeloi kompaninë AIBS. Kjo kompani, sipas denoncimit të bërë nga Arben Ahmetaj dhe të dhënave të QKB, rezulton me fitime qindra fish më shumë se shpenzimet. Elementi që fakton këtë gjë është fakti se të njëjtët persona që rezultojnë punësuar tek AIBS janë të punësuar edhe tek ABS. Pra i njëjti pronar themelon 2 kompani, me njërën fiton tenderat e AKSHI-t me çmime shumë të larta të ofrimit të shërbimit dhe i duhet të shtojë shpenzimet, kështu që themelon kompaninë e dytë me të cilën rrit shpenzimet fiktivisht me rreth 10 milion euro. Për ta bërë sa më të besueshme kompaninë regjistron 10 punonjës të cilët punojnë po te kompania kryesore që merr tendera.
‘Tigrat’ dhe ‘5B’ e Belinda Ballukut u vodhën shqiptarëve 378 milionë euro
Paralelisht me “5D”, ekzistonte dhe “5B” e Belinda Ballukut. Drejtorët e saj, madje duken më të grykshëm se ata të Erion Veliajt, kur vjen puna te korrupsioni. Por deri më tani, vetëm Evis Berberi është para drejtësisë për këto skema, ndërsa të tjerë vijojnë lirshëm të përdorin ndoshta paratë e korrupsionit për fushatën elektorale të Belinda Ballukut. Nga Blendian Dalipi dhe Plator Muhametllari të OSHE, te Ceno Klosi e Spartak Kovaçi, e vet Belinda Balluku me Tigrat e Vlorës, llogaritet të kenë pëfituar apo abuzuar me me një shumë financiare që kalon vlerën e 378 milionë eurove.
Skema e pakëzuar tashmë si “5D”, ishte një projekt i Rilindjes, këtë e dëshmojnë faktet. Jo vetëm Erion Veliaj, por edhe drejtorët e Belinda Ballukut, janë përfshirë, madje me shuma shumë më të larta, skemën që në këtë rast e kemi cilësuar si “5B”. Skema e parë që Plug denoncoi, lidhur me drejtorët e Belinda Ballukut, është ajo e ish-drejtorit të ARRSH, Evis Berberi.
Nga të dhënat e publikuar në emisioni “Plug”, rezulton se Evis Berberi ka fshehur jo vetëm marrëdhënien financiare me shoqërinë “DAAM shpk” dhe “NET-GROUP”, por njëkohësisht ai dyshohet se është në kushtet e mashtrimit me formularin e deklarimit të pasurisë. Ndërkohë në emision u sollën me fakte rastet kur Evis Berberi firmosi si kreu i ARRSH firmosi disa tendera me vlerë totale më shumë se 4 milionë euro për kompaninë e mikut të tij Valter Bega, NET-GROUP. Siç ka rezultuar nga hetime e SPAK, shoqëria NET-GROUP transferonte paratë më pas në llogaritë e DAAM SHPk, nga llogaritë bankare të së cilës Evis Berberi ka tërhequr dhjetëra herë shuma në vlerë qindra mijëra euro, ndonëse nuk ishte më pronar i saj. Për këtë aferë janë arrestuar kreu i ARRSH Evis Berberi dhe dy miqtë e tij, Valter Begaj dhe Ervis Lami.
Në tetor të vitit 2024, Emisioni Plug në syri televizion, ka zbardhur ekskluzivisht një tjetër skemë të dyshuar korruptive, e ngjashme si ajo “5 D” e drejtorëve të Erion Veliajt në bashkinë e Tiranës. Plug, denoncoi se si drejtori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, në varësi direkte të Belinda Ballukut, Blendian Dalipi, ka përfituar miliona euro tendera nga buxheti i shtetit nëpërmjet kompanisë së tij dhe asaj të babait të tij. shtetasi Bajram Dalipi, i cili është babai i Blendian Dalipit, rezulton se është pronar i kompanisë I.D.K. Konstruksion. Kompania e Bajram Dalipit, e themeluar në vitin 2004, do të rriste aktivitetin e saj financiar pas ardhjes së socialistëve në pushtet. Nga viti 2013 e deri më sot, kompania I.D.K. Konstruksion në pronësi të babait të drejtorit të OSSH, Blendian Dalipi ka përfunduar mbi 30 milionë euro tendera publik, shumë prej të cilëve janë marrë nga institucione në varësi të Belinda Ballukut. Skandali thellohet më tej, pasi paratë e marra nga buxheti i shtetit nëpërmjet kompanisë I.D.K konstruksion të Bajram Dalipit, kanë përfunduar në xhepat e djalit të tij, Blendian Dalipi, një nga njerëzit më të afërt të Belinda Ballukut. Pasi merrte projekte publike, kompania e Bajram Dalipit kontraktonte për kryerje punimesh kompaninë ABNID, e cila rezulton se është në pronësi të djalit të tij, Blendian Dalipi, që gjithashtu mban postin e drejtorit të OSSH. Të gjithë këto fakte u denoncuan në emisionin Plug në syri televizion, ku gjithashtu u publikuan edhe të dhëna se si gjatë kohës që Blendian Dalipi ka qenë në krye të OSSH ka dhënë plotë 44 milionë euro tendera pa garë, duke ngritur dyshime për abuzime.
Në muajin shkurt 2025, Plug denoncoi gjithashtu një tjetër skemë “5B”, këtë herë në OSHE-n e Durrësit. Pas kësaj skeme qëndron pikërisht drejtori i OSHE në këtë qytet, Plator Mehmeti, një nga njerëzit e besuar të Ardian Çelës dhe Belinda Ballukut. Plug denoncoi së pari, faktin se Mehmeti është një person i cili ka qenë së katër herë i dënuar për akuza të korrupsionit, vjedhjes së energjisë, shpërdorimit të detyrës, shkelje të barazisë në tendera apo falsifikim dokumentesh.
Sikur të mos mjaftonin dënimet e fshehur, Plator Mehmeti është i përfshirë në një skemë të ngjashme si “5D” e bashkisë së Tiranës. në vitin 2009 krijohet kompania HTM shpk nga shtetasi Ilir Tabaku. Deri në vitin 2013 kompania deklaron të ardhura minimale, ndërsa deri në shtator të vitit 2015, kompania qëndron me status pezulluar. Por fill pas emërimit të Ardian Celës në krye të OSHE në Durrës, kompania riaktivizohet dhe fillon të ketë një lulëzim të jashtëzakonshëm financiar. nga vitit 2015 deri në vitin 2023 kompania fiton dhjetëra tendera kryesisht nga OSHE, Bashkia Durrës dhe institucione të tjera. kjo kompani, gjatë kësaj periudhe ka pasur një xhiro totale prej rreth 25 milion eurosh, burim i të cilave janë pikërisht tenderat publik, ndërsa shumë prej këtyre parave dyshohet se janë përdorur apo do të përdoren për fushatë elektorale në Durrës.
REAR shpk, është kompania tjetër me pronësi dhe lidhje të pakundërshtueshme me Plator Mehmetin, që gjithashtu ka përfituar qindra milionë lekë nga prokurimet publike. Nga viti 2006 kur u themelua e deri në vitin 2023, xhiroja e kompanisë përllogaritet në mbi 1. 3 miliardë lekë apo 13 milionë euro, e kryesisht të ardhurat janë nga prokurimet publike.
Më 19 mars 2025, Emisioni Plug në syri televizion publikoi një tjetër skemë të dyshuar korruptive të drejtorëve dhe njerëzve të afërt të Ministres së Energjisë, Belinda Balluku. Bëhet fjalë për ish-Drejtorin e Tatimeve, Ceno Klosi dhe kushëririn e tij, Spartak Kovaçi, i cili mban postin e drejtorit të Ujësjellësit të Durrësit. Në investigimin e Plug, rezulton se dy njerëzit e afërt të Belinda Ballukut, përllogaritet të kenë marrë të paktën 32 milionë euro tendera, prona publike, leje ndërtimi madje dhe me firmën e vetë kryeministrit Edi Rama.
Ceno Klosi, gjatë kohës që ka pasur detyra të larta shtetërore, duket se është kujdesur që në poste të rëndësishme të OSHE apo Fondin Shqiptar të Zhvillimit, të kryejë një seri punësimesh nepotike të familjarëve të tij. Pas punësimit në detyra shtetërore, të familjaret e Ceno Klosit, si dhe vëllai i këtij të fundit, Genti Klosi, nisën të themelojnë edhe kompani private, si FIPROP apo T.O.V. vëllai i Ceno klosit, Genti Klosi, në një kohë të shkurtër do të zhvillojë bizneset e tij në fushën e bareve dhe restoranteve, me të ardhura rekord. Genti Klosi do të hyjë në marrëdhënie biznesi edhe me Petrit Kovaçin, babain e Spartak Kovaçit, drejtorit të ujësjellësit të Durrësit. Klosi dhe Kovaçi, në një kohë të shkurtër në kompaninë Adriatik Union, nisin të zotërojnë prona me vlera qindra mijëra euro, ndërsa në vitin 2023, Edi Rama u miraton edhe një leje ndërtimi për hotel në Durrës, ku dyshimet janë se ky hotel është ndërtuar edhe mbi një pronë shtet.
Spartak Kovaçi, babai i drejtorit të ujësjellësit të Durrësit, Adriatk Kovaçi, është pronar edhe i kompanisë Adriatik SHPK. Me këtë kompani, Kovaçi ka përfituar 32 milionë euro tendera publik. Kompania Adriatik SHPK, ka përfituar tendera nga Bashkia e Durrësit, dhe ndërmarrje të tjera publike. Gjithashtu, vetë Spartak Kovaçi ka firmosur tendera për kompaninë e babait të tij, ndërkohë që më herët nga kjo kompani drejtori i ujësjellësit të Durrësit ka marrë si dhurat 100 mijë euro divident nga babai. Jo vetëm tenderat e drejtpërdrejtë, por kompania Adriatik SHPK, ka qenë nënkontraktore kryesore e kompanive të tjera, të cilat kanë marrë tendera nga ujësjellësi i Durrësit. Një rast i tillë është ai i ndërtimit të hidrovorit të Durrësit, i cili nuk është vën ende në punë, e për këtë shkak Durrësi është përmbytur disa herë. Adriatik SHPK, e drejtorit të Belinda Ballukut në Ujësjellësin e Durrësit ka pasur një marrëdhënie bashkëpunimi dhe me 5D-n e drejtorëve të Erion Veliajt, ku së bashku kanë marrë tendera në dy bashkitë përkatëse, Durrës e Tiranë apo dhe kanë qenë zbatuese të përbashkëta të këtyre projekteve.
Spartak Kovaçi dyshohet se është pronar faktik edhe i kompanisë Eril B&B, e cila ka marrë 820 mijë euro pagea nga thesari i shtetit për tendera publik. Kjo kompani është themeluar nga dy punonjës të kompanisë Adriatik SHPK, ndërsa një numër i madh punonjësish figurojnë të regjistruar në të dyja kompanitë. Eril B&B, dyshohet se është krijuara enkas për fshehje gjurmësh apo kryerje transaksionesh për efekte justifikuese të projekteve.
Skema tjetër e publikuar përgjatë muajve të parë të vitit 2025, është ajo e drejtorit të Aviacionit Civil, Maksim Et`hemaj. Ky personazh, përfitoi leje për ndërtim parqesh fotovoltaike nëpërmjet kompanive të regjistruara në emër të familjarëve. Por pas kësaj afere fshihej kompania 4-AM, që ofroi garancitë financiare që motra e Maksim Ethemaj të merrte lejen për park fotovoltaik, rezulton se është një nga klientët kryesore të qeverisë në tendera publik, leje ndërtimi dhe koncesione. Sipas të dhënave të siguruara nga pagesat e thesarit, kompania 4-Am dhe kompani të lidhura me të, kanë përfituar gjatë qeverisjes së Partisë socialiste më shumë se 128 milionë euro tendera publik. Gjithashtu kjo kompani, apo kompani të lidhura me të, kanë marrë koncensione për hidrocentrale dhe leje ndërtimi. Në një nga kompanitë, të lidhura me 4-AM, HEnz Energy, del në skenë edhe një emër shumë i përfolur në skandalet korruptive të 5D, por tashmë edhe në 5B, Redi Molla. Ish-drejtori i Erion Veliajt, nëpërmjet babait të tij, Selim Molla, tashmë i ndierë, blen 7% të aksioneve të Henz Energy për vetëm 7 mijë lekë. Më pas vlera e invetimit shkon në rreth 900 milionë lekë, dhe kompania deklaron për herë të parë të ardhura.
Kryeafera e Belinda Ballukut dyshohet se është pikërisht ajo me “Tigrat” e energjisë në Vlorë. Edhe për këtë aferë, Emisioni investigativ Plug në Syri Televizion, publikoi detaje të reja nga skandali i marrjes me qira të dy gjeneratorëve, Tigrit 1 dhe Tigri 3 për prodhimin e energjisë elektrike, që janë ankoruar në Vlorë. Prej tre vjetësh anijet gjeneratorë të ankoruara në triportin e Vlorës, nuk kanë prodhuar asnjë kilovat orë, ndërsa kostoja ditore e tyre, ku përfshihet qiraja, karburanti dhe shpenzimet e mirëmbajtjes llogaritet në 100 mijë euro në ditë, apo 70 milionë euro për dy vjet. Madje, vetë procedura e marrjes me qira është bërë në shkelje të ligjeve të vendit, ndërsa gara dhe fituesi kanë qenë të paracaktuar. Plug zbuloi gjithashtu se ministrja Balluku vendosi të marrë me qira dy agregatet, të cilët ishin nxjerrë jashtë përdorimit nga kompania që i dispononte që në vitin 2018 për shkak të kostove të larta të mirëmbajtjes dhe kostove të larta të prodhimit të energjisë nga to.
Skandali thellohet dhe më tej, për shkak se edhe pse deri më tani këto gjeneratorë nuk janë vënë në punë dhe nuk kanë prodhuar asnjë kilovat energji elektrike, taksapaguesit shqiptarë kanë shpenzuar së paku 40 milionë euro. Këto pagesa kanë shkuar për blerje karburanti, ruajtjen e gjeneratorëve, ndërtim infrastrukture etj. Pagesat nuk ndalen me kaq. Nga ana tjetër, ortakët e kompanisë që i ka ofruar me qira shtetit shqiptarë dy gjeneratorët që nuk prodhojnë energji, kanë shpenzuar rreth 50 milionë dollar deri më tani dhe të gjitha janë injektime parash nga ortakët pët të paguar ortakun Recno spa. Ndërsa kapitali rritet ndjeshëm, kjo kompani nuk deklaron asnjë bilanc. Për të patur më shumë të dhëna analizuam dhe ortakun kryesor Excelerate Albania Holding. Kjo kompani ka si ortak të vetëm kompaninë Excelerate Energy Limited Partnership, pra jo kompaninë që ka lidhur kontratën me KESH sha, Excelerate Global Operations LLC.
Eko Parku dhe Tuneli i Llogarasë, aferat 70 milionë euro me firmë të Edi Ramës
Në fund s`mund të lëmë pa përmendur edhe dy afera kryekëput, që dyshohet se kanë si autor kryesor kryeministrin Edi Rama. Ai zhduku 19 milionë euro me Eko Parkun në Durrës, ndërsa me një vizitë të tijën në Turqi, kryeministri dyshohet se rriti fondin e tunelit të Llogarasë, duke i falur një kompanie turke të lidhur me Rexhep Erdogan, plotë 50 milionë euro, pa kryer asnjë punë. Edhe këto afera janë në SPAK, por deri më tani askush nuk ka guxuar të thërrasë kryeministrin..
Një nga denoncimet e mëdha të bërë nga Plug, ka qenë afera e Eko Parkut në Durrës, që përfshinë kryeministrin Edi Rama. Në emisionin e datës 7 shkurt, u sollën fakte se si u zhdukën miliona euro me firmë të kryeministrit Edi Rama, duke përdorur Tërmetin e 26 nëntorit 2019, për mbylljen e fushës së mbetjeve urbane të bashkisë Durrës në Porto Romano. Në atë emision, Plug tregoi se kompania Integrated Energy Bv Spv, kishte kontraktuar një kompani të huaj arkitekture, Casanova Hernandez Architects për të hartuar projektin e Eko Parkut.
Një muaj pasi këto dy kompani lidhën marrëveshje privatisht mes tyre, kryeministri Edi Rama u shfaq në media duke njoftuar projektin e Eko Parkut. Një vit pasi kompanitë dhe Edi Rama njoftuan punën për projektin e Eko Parkut, në Agjencinë e Prokurimeve Publike u shpall tenderi me vlerë 1.6 miliardë lekë me objekt kontrate mbylljen e venddepozitimit të mbetjeve në Porto Romano dhe ndërtimin e Eko Parkut. Ky tender u anulua tre ditë përpara se të hapeshin ofertat, me pretekstin e rindërtimit. Por Në datën 16 dhjetor të vitit 2019, Edi Rama në cilësinë e Kryetarit të Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile të krijuar për tërmetin, firmosi dhe një vendim të ri për Eko Parkun, ku mbetjet e ngurta të rrënojave nga tërmeti do dërgoheshin në Porto Romano.
Tenderi u fitua nga kompanitë Viktoria Invest dhe De Mare Srl, me vlerë totale rreth 19 milionë euro me tvsh. Në datën 14 maj të vitit 2020, De Mare dhe Viktoria Invest kontraktojnë kompaninë ARTCON, në pronësi të Denist Ymerit, për të kryer punimet në terren për ndërtimin e Eko Parkut. Kjo Kompani, në pronësi të shoferit të Mirel Mërtirit, mori përsipër të kryente punimet për vetëm 6 milionë euro, nga 19 që do të paguante në total qeveria. Kjo kompani, pra “Artcon”, zbatoi një projekt, i cili u kërkua nga kompania tjetër Integrated Energy Bv SPV e regjistruar në emër të Klodian Zotos, dhe që kishte marrë në atë kohë koncesionin e inceneratorit të Sharrës. Projekti u hartua nga nënkontraktori Casanova Hernandes Architects, e cila u pagua 225 mijë euro për Eko-Parkun.
Këto dy kompani, pasi morën pa garë 19 milionë euro, nënkontraktuan kompaninë e regjistruar në emër të shoferit të Klodian Zotos, për të zbatuar punimet në terren. Për këtë punë “Artcon”, u pagua rreth 6 milionë euro, ndërsa 13 milionë euro të tjera, u shpërndanë mes De Mare Albania dhe Viktoria Invest, të cilat në kontratën e Join Venture kishin aksione të barabarta. Jo vetëm zhdukja e 13 milionë eurove, por edhe zëri real i punimeve duket se ka qenë i fryrë.
Kompania turke INTEKAR ASL, që fitoi mes procedurash të dyshimta garën për ndërtimin e Tunelit të Llogorasë, raportoi fitime prej 12 milionë eurosh vetëm për vitin 2023. Të dhënat nga bilanci i kompanisë, të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, të cilat janë siguruar nga Syri Televizion, tregojnë se në vitin 2023 të ardhurat e kompanisë, që ishin pagesa nga buxheti i shtetit, arritën në rreth 70 milion euro, teksa norma e fitimit të kompanisë rezultoi 17,3% gati sa dyfishi i normës mesatare të fitimit që gjeneroi ekonomia shqiptare për vitin 2022.
Kompania turke siguroi norma të larta fitimi pa u angazhuar në ndërtimin e tunelit, pasi punimet u realizuan me nënkontraktor, nga kompania Gjoka Konstruksion, e cila ka marrë pjesë në tenderin për ndërtimin e objektit, duke ofruar ofertë shumë më të ulët se kompania turke, por që ishte skualifikuar. Këto të dhëna konfirmojnë akuzat e ngritura nga ish-zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj në emisionin Çim Peka Live, i cili e cilësoi tunelin e Llogarasë aferë të pastër korruptive. Ahmetaj deklaroi se kompania turke u shpall fituese pavarësisht se kishte ofruar 50 milion euro më shumë se kompania Gjoka Konstruksion.
Këtu afera thellohet edhe më tej, pasi kompania turke, nuk sjell asnjë mjet apo punonjës në Shqipëri dhe për ndërtimin e tunelit merr si nënkontrakton kompaninë Gjoka, e cila më herët kishte ofruar 50 milionë euro më pak për ndërtimin e të njëjtës vepër. Pra në të gjithë këtë operacion, miqtë turq të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut marrin 50 milionë euro pas takimit në Ankara, ndërsa punimet kryhen nga kompania Gjoka, e cila nëse nuk do ishte skualifikuar në tenderat e parë do i kishte kursyer taksapaguesve shqiptarë 50 milionë euro.
Referuar të dhënave zyrtare Gjatë periudhës 2021-2023, INTEKAR ASL realizoi fitime në vlerën e 22,5 miliardë lekëve ose 22 milionë euro. Pagesat për ndërtimin e tunelit kanë vazhduar edhe këtë vit, teksa objekti u çel për trafikun në fillim të sezonit të verës 2024.
Vetëm nga denoncimet e skemave korruptive të emisionit Plug… janë zbuluar afera korruptive me një vlerë prej… 1.2 miliardë euro.
E THEKSOJMË: vetëm nga aferat e zbuluara nga emisioni Plug. Jo duke përfshirë çdo aferë tjetër të viteve të fundit.
Po sikur këto para të ishin përdorur për zhvillimin e vendit?
Po sikur të ishin shpenzuar për qytetarët?
Atëherë… 721 mijë pensionistë do të kishin marrë 138 euro më shumë çdo muaj për një vit.
Ose… 34 euro më shumë në muaj për katër vite me radhë. Çka përkthehet në rritje pensionesh me më shumë se 20 përqind!
Nëse këto para do të ishin përdorur për rritjen e pagave të administratës.
Çdo punonjës do të kishte marrë 543 euro më shumë çdo muaj për një vit.
Ose, 135 euro më shumë në muaj, për katër vitet e një mandate qeverisës.
Me 1.2 miliardë euro, të denoncuara vetëm nga emisioni Plug do të ishin ndërtuar 300 shkolla të reja!
Jo në letra. Në realitet. E kjo bazuar në koston e fryrë me të cilën i ndërton sot qeveria.
Nëse këto para do të kanalizoheshin në shëndetësi, do të ishin ndërtuar 60 spitale të reja, e do të kishim një spital të ri për çdo qytet, me të njëjtat parametra që vetë rilindja ndërtoi spitalin e Sëmundjeve të Brendshme në QSUT.
Në bujqësi?
Do të subvencionohej çdo kilogram i prodhuar nga fermerët.
Në arsimin profesional? Në barnat e onkologjikut?
Në ndihmën për çiftet e reja, fëmijët, studentët?
Atëherë po — çdo shqiptar do të ndjehej i barabartë me çdo qytetar europian.
Por jo.
Këto para nuk shkojnë për qytetarët.
Shkojnë për ministrat, për drejtorët, për xhepat e qeverisë rilindëse.
Ndaj, më 11 maj, çdo shqiptar ka një zgjedhje.
Ose…
ta lejojë këtë qeveri të vazhdojë të vjedhë djersën dhe taksat e tij…
Ose…
të vendosë që këto para t’i kthehen aty ku e kanë vendin: në jetën, në mirëqenien dhe në të ardhmen e tij.
Sepse në fund… janë po paratë e tij./ PLUG -Syri TV