Nga Artan Hoxha
Me sa duket Erion Veliaj do t’i kalojë në burg ditët, javët e muajt e hetimit SPAK-ist, si kryetar i zgjedhur, por pa firmë e vulë, të paktën deri kur kjo gjendje – i vdekur (politikisht) por i pakallur – do t’i interesojë Edi Ramës.
Bazuar mbi precedentët, Rama mund ta shkarkojë kur të dojë me vendim qeverie por, hë për hë atij i intereson kjo gjendje, aq më shumë që e mposhti me lehtësi “kryengritjen 24 orëshe” të Veliajt, i diktoi rikthimin e firmës dhe vulës tek nënkryetarja Ristani dhe e detyroi të pohonte me gojën e vet se kishte “gabuar pa dashje për shkak të izolimit”.
Rasti Veliaj, si kombinim i procesit penal me atë politik, plotëson pamjen dhe i jep përgjigje pyetjes se çfarë është në të vërtetë drejtësia e re, në veçanti SPAK/BKH/GjKKO. Pyetja shtrohet në veçanti për këto tre organe se, sa për pjesën tjetër: gjykatat e rretheve gjyqësore dhe prokuroritë, Gjykata e Apelit e deri ajo e Lartë dhe Kushtetuese, apo Prokuroria e Apelit dhe ajo e Përgjithshme, bashkë me organizmat qeverisës të sistemit të drejtësisë si KLGj, KLP, ILD, KED, e deri tek Shkolla e Magjistraturës apo Policia e Shtetit, janë ashiqare zgjatime të mazhorancës rilindëse.
Për SPAK/BKH/GjKKO deri tani gjallojnë pesë hipoteza:
Më së pari hipoteza e artikuluar fort e me zë të lartë nga Sali Berisha, se SPAK/BKH/GjKKO janë organizata kriminale e në shërbim të Edi Ramës. Hipotezën e tij Sali Berisha e mbështet në shumë fakte dhe indicie, bërë publike prej tij dhe të tjerë, e që tregojnë se ka shumë persona të inkriminuar brenda këtyre strukturave dhe nuk ka veprime vetëpastrimi e, ndërsa lidhjet me qeverisjen rilindëse janë të dukshme njëherazi sjellja e tyre është fortësisht antiopozitare. Edhe nëse Sali Berisha nxitohet në konkluzion, ai nuk gabohet në alarm. Një alarm të këtillë e kanë dhënë edhe disa vëzhgues dhe analizues të kriminalitetit, fare të palidhur me demokratët, kur kanë pohuar në disa studio televizive a shkrime se nëse publikohen të gjitha përgjimet e nxjerra nga rrjetet e inkriptuara, ardhur nga Franca, Belgjika apo Spanja, bie moralisht e gjithë reforma në drejtësi për shkak të përfshirjes në kësi afera të personave kyç në të gjithë sistemin. Pra, edhe nëse ende jo organizata kriminale, këto struktura, me këtë përbërje të molepsur si dhe me fuqinë e madhe e të plotë dhe kontrollin shumë të dobët, mund të përfundojnë, herët a vonë në të këtilla.
Hipoteza e dytë është ajo që kam lëvruar vetë, por edhe disa të tjerë krahas meje, ajo që SPAK/BKH/GjKKO janë jetësuar bashkërisht si bashkëpunim i qeverisë me ndërkombëtarët, së pari amerikanët e, që në gjenezë e në vijimësi brenda këtyre strukturave kanë vepruar dy linja ndikimi, ajo qeveritare dhe ajo ndërkombëtare. Meqenëse, për arsye gjeopolitike apo si orientim neoliberal, e deri tek arsyet banale të interesit imediat, ndërkombëtarët kanë përkrahur Edi Ramën dhe kanë goditur Sali Berishën, këto dy linja kanë bashkëvepruar me dëshirë dhe harmoni në rastet e goditjes së eksponentëve të opozitës. Lidhur me goditjet ndaj eksponentëve të Rilindjes, që nga Tahiri e deri tek Veliaj, goditjet janë bërë qoftë se zullumet kane plasur sheshit e nuk mund të shmangeshin, qoftë se pushteti që forcohet duke goditur opozitën ka nevojë edhe për lustrën e vetvetes, qoftë që edhe vetë SPAK/BKH/GjKKO kanë nevojë të “kafshojnë nga të rilindjes” që të fitojnë autoritet për “kafshuar nga të opozitës”. Në këtë hipotezë, i vetmi i paprekshëm, e që fuqizohet e lustroset nga paprekshmëria, është Edi Rama. Të gjithë të tjerët, kundërshtarët dhe bashkëpunëtorët, armiqtë dhe miqtë e tij, janë të prekshëm sipas rastit dhe nevojës së fuqizimit dhe/ose lustrimit të pushtetit të tij. Së fundmi, pasiviteti amerikan ka krijuar një gjendje paqartësie ndërsa po tentohet që vakuumi, në mungesë të gjatë a të përhershme të amerikanëve, të plotësohet sa nga qeveria aq edhe nga BE-ja neoliberale në fërkim politik me Amerikën trumpiane.
Hipoteza e tretë është ajo e “dashnorë(e)ve të sinqertë” të SPAK/BKH/GjKKO, sipas të cilës këto organe janë të pavarura nga qeveria, mbështeten e mbrohen nga ndërkombëtarët dhe janë në rrugë të mbarë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duke goditur pa dallime politike, më shumë qeverinë. Ndërsa përdor si argument rastet e shumta të hetimit apo dënimit të eksponentëve qeveritarë, kjo hipotezë nuk i jep dot shpjegim pyetjes se pse nga këto organe nuk ka ende asnjë hetim ndaj Edi Ramës, as emrin nuk guxojnë t’ia përmendin në shkresat në çështjet ku ai shfaqet me rol, ndërsa, po të zbatohej prej tyre “standardi Berisha” pra të dyshohej edhe për amendime ligjore me motive korruptive, për Edi Ramën gjen me qindra të këtilla, mjaft të fusin dorën në thes.
Hipoteza e katërt është ajo e vetë Edi Ramës që mburret se reformën në drejtësi e ka bërë ai, e se është ai garanti, aq me shumë tani që na lanë edhe amerikanët. Së fundmi, që pas arrestimit të Veliajt, ka rënë në sy ngrohtësia e tij për Dumanin, beniaminin e amerikanëve të larguar tashmë e të europianëve me ne afrim, të cilin nuk le rast mos ta lëvdojë, mos t’ia qajë hallin që e sulmon familjarisht këneta politike e mediatike dhe mos ta garantojë se veç ai e mbron prej atyre, përfshirë nga rilindësit e tërbuar që i ka për kollaj – toga mblidhu, toga shpërndahu. Edi Rama mburret se i ka dhënë shpatën drejtësisë – e paparë dhe e pabërë ndonjëherë në historinë e shtetit shqiptar – pranon se ajo nuk i ka sytë e lidhur, por me gjak dhe peshoren hiç në terezi, siç do të duhej t’i kishte, por do merret ai me rregullimin e këtyre çështjeve përgjatë rrugëtimit drejt BE mjafton që shqiptarët ta votojnë masivisht me 11 maj. Se si mund të quhet drejtësi ajo gruaja me shpatë, me sy me gjak dhe peshoreprishur, vec Edi Rama mund ta thotë e të mburret se çoç ka bërë. Një pyetje lind këtu për dashnorë(e)t e kësaj drejtësie të re, ata/ato të hipotezës së tretë. Si ka mundësi që dashurojnë kryeveprën e Ramës, ndërsa shajnë Edin?!
Hipoteza e pestë shndriti për fare pak, si meteor, në ditën kur u arrestua Erion Veliaj deri të nesërmen kur foli Edi Rama. Disa medie dhe analistë majtistë, mbështetës të Veliajt njëherazi të Ramës, e hodhën atë mbrëmje, në panik e sipër, hipotezën se SPAK, me arrestimin e Veliajt, po ndërhyn rëndshëm në procesin zgjedhor të 11 majit, haptazi kundër qeverisë. Që prej momentit kur foli Edi Rama e deri më sot kjo hipotezë nuk ka ngritur më krye. I qetësoi. E vetëkuptueshme.
**
Reforma e Drejtësisë rezultoi një kryqëzatë kundër saj. Në gjithë sistemin e zakonshëm të prokurorive e gjykatave, kohëzgjatja e çështjeve është shumëfishuar, dosjet stok gjithashtu. Para reformës, e si argument për kryerjen e saj u përdor stoku i afro 35 mijë dosjeve të prapambetura gjithsej, tashmë ato janë rreth 150 mijë. Ndikimi politik, një tjetër argument për reformën, jo vetëm që nuk është dobësuar por nga pluralist është bërë monist, në ndihmë të fuqizimit e lustrimit të pushtetit në një dorë të Edi Ramës. Për rrjedhojë as cilësia profesionale e drejtësisë nuk është rritur as ndershmëria dhe paanësia e saj. World Justice Project, në raportin e vitit 2024, na zbriti në vendin e 101-të ne vitin 2024 kundrejt vendit të 55-të që mbanim në 2015-ën lidhur me drejtësinë civile dhe respektivisht në vendin e 92të kundrejt atij të 46-të në drejtësinë penale, e ku rënia ka qenë e përvitshme, pak e nga pak, në pozicion dhe pikavarazh, dora-dorës formësohej drejtësia e rilindur.
Gjendja nuk është më mirë edhe në segmentin e posaçëm SPAK/BKH/GjKKO. Rezultatet e tyre kundër krimit të organizuar në këto pesë vitet e para të ekzistencës, ndonëse me mbështetje të shumëfishuar financiare e burimore të tjera, janë më të pakta në krahasim relativ me rezultatet spektakolare të Prokurorisë dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda në pesë vitet e para të veprimtarisë së tyre.
Pavarësia e SPAK-ut kundrejt qeverisë nuk ka arritur as nivelin kur Prokurore e Përgjithshme ishte Ina Rama dhe drejtues i Task-Force antikorrupsion ishte Altin Dumani, kohë kur prokuroria guxoi të akuzonte me qindra zyrtare e deri ministra në detyrë apo menjëherë pas largimit (Basha, Rusmali, Mediu, Meta, Pango) e për disa prej të cilëve hyri në konflikt të hapur me qeverinë e kohës, ndërsa SPAK mezi arriti, mbas kaq shumë hezitimesh, tek Veliaj në detyrë, ndërsa duket fare qartë tashmë se erdhi deri këtu për shkak të pëlqimit dhënë me kohë nga vetë Edi Rama i cili, për arsyet e veta të kuptueshme, ka planifikuar ta “vrasë politikisht” Veliaj shumë kohë me parë, qëkurse ky, me historitë dhe ambiciet e veta, iu bë më shumë barrë se ndihmë.
Drejtësia duhet reformuar nga e para. Drejtësi vetëm me shpatë dhënë nga Rama e që vepron me sytë dhe peshoren e Edi Ramës nuk është drejtësi, por diktaturë. Po ndodh ditë pas dite. Edhe Roma nuk u ndërtua ne një ditë, as diktatura e Ramës. Ndaj, duhet ndalur paqësisht, me votë masive kundër tij, sa jemi ende në kohë.