Më pak se dy orë zgjati protesta kombëtare e opozitës e cila u mbajt sot para Kryeministrisë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i është drejtuar menjëherë aeroportit “Nënë Tereza” pas përfundimit të fjalës së tij në protestën e thirrur nga opozita para Kryeministrisë.
Me të përfunduar fjalën e tij, u deklarua për pjesëmarrësit në protestë se kryedemokrati do të fluturojë drejt Romës për të zhvilluar ditën e nesërme një takim elektoral me shqiptarët në kryeqytetin italian.
Ky do të jetë edhe takimi i parë që Berisha zhvillon fizikisht me shqiptarët në diasporë, ndërsa disa ditë më parë ai udhëtoi drejt Gjermanisë ku mori pjesë në Kongresin e 37-të të CDU-së.
Protesta u hap me fjalën e zëdhënëses së PD-së Florjana Garo teka vijuan pas saj me fjalën e kreut të Partisë Republikane Fatmir Mediu, fjalën e kryetarit të Partisë Agrare Agron Duka, me një audio-regjistrim të Presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Meta dhe duke u mbyllur me fjalën e kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha.
Gjatë protestës nuk munguan dhe incidentet teksa disa protestues hodhën kapsolle dhe molotv në drejtim të godinës së Kryeministrisë.
Nga hedhja e këtyre lëndëve u raportua dhe për efektivë policie të lënduar.
- Molotov në protestën e opozitës, lëndohen dhe dërgohen në spital 3 efektivë
Tre punonjës të Policisë së Shtetit kanë përfunduar të lënduar në spital pas shpërthimeve me lëndë piroteknike në protestën e opozitës para kryeministrisë.
Forcat blu njoftojnë se si pasojë e hedhjes së lëndëve piroteknike një punonjëse është lënduar në sy, një tjetër në dorë e një tjetër në fytyrë.
“Si pasojë e hedhjes së lëndëve piroteknike drejt punonjësve të Policisë janë lënduar tre punonjës policie, ( një punonjëse në sy, një punonjës në dorë e një tjetër në fytyrë). Tre punonjësit e policisë të lënduar janë dërguar në spital”, njofton policia.
Protesta u zhvillua nën mbikqyrjen e forcave të shumta të policisë dhe nuk pati incidente të mëdha.
Në protestën kombëtare të opozitës, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nisi fjalën e tij me një falënderim dhe përgëzime për të gjithë qytetarët, demokratët dhe opozitarët që i janë bashkuar kauzës së kësaj proteste.
- Berisha: Ne do të përmbysim dy diktatura njëra pas tjetrës
![](https://boldnews.al/wp-content/uploads/2025/02/640-0-1739035339xsbjpg-594.jpg)
Berisha kujtoi momentet e kaluar, duke përmendur protestën e 20 shkurtit dhe si opozita ka arritur të mbijetojë dhe të forcohet edhe në kushtet e represionit. Ai theksoi se opozita është e pamposhtur dhe se ajo do të vazhdojë të mbrojë vlerat e lirisë dhe dinjitetit njerëzor.
Berisha nënvizoi se PD është më e bashkuar dhe më e fortë se kurrë, duke e konsideruar betejën me qeverinë si një luftë për liri dhe drejtësi.
“Të dashur qytetare dhe qytetarë, shqiptare dhe shqiptarë kudo që jeni sonte, në Shqipëri, jashtë saj dhe kudo në botë. E nis fjalën time me një përulje para jush, me një falënderim vëllazëror dhe me përgëzimet e mia për të gjithë ju, për të gjithë demokratët dhe opozitarët.
Në pak kohë, ne kemi bërë shumë. Le të kthehemi pak. Vetëm një vit më parë, në shkurtin e kaluar, ne ishim këtu në shesh në protestën e 20 shkurtit. Lideri i opozitës ishte i arrestuar në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me Kushtetutën.
Dhe unë, fjalën time e mbajta nga një ekran televiziv, i burgosur politik. Por në atë protestë ne hodhëm themelet e çdo fitoreje që meritojmë dhe që do kemi. Në atë protestë ne u dëshmuam shqiptarëve se nga hiri u ngritëm si Feniksi dhe se ata që menduan se do na mposhtin ne, dështuan me turp. Ne jemi të pamposhtur!
Ne jemi të pamposhtur sepse ne u bashkuam. Ne jemi të pamposhtur sepse ne mbrojmë kauzë të drejtë. Ne jemi të pamposhtur sepse ne mbrojmë vlerat më të arrira të njeriut, mbrojmë lirinë, interesin kombëtar, dinjitetin njerëzor familjen, kombin. Ndaj dhe vijmë sot këtu si opozitë e të pamundurës e bën të mundur.
Si PD që të pamundurat i bën të mundura. Sot kemi vulë dhe flamur. Sot jemi më të bashkuar se kurrë. Sot, me tre rezoluta ndërkombëtare, jemi forca politike më e përkrahur. Sot, jemi në këmbë më të vendosur se kurrë në betejë me diktaturën.
Do fitojmë! Historia e deshi që ne të jemi e vetmja forcë politike që përmbys dy diktatura njëra pas tjetrës. Diktaturën staliniste të Enver Hoxhës dhe narkodiktaturën e bastardit të bllokut komunist, Edi Ramës”, tha Berisha.
- Berisha: Salianji u burgos sepse u përball me klanin Rama-Xhafa!
Në fjalën e tij, Berisha tha se ai vetë ishte vendosur në arrest shtëpie me urdhër të Edi Ramës dhe se ish-presidenti i vendit Ilir Meta ishte goditur dhe përballur me dhunë për të trembur opozitën.
Ai po ashtu përmendi rastin e Ervin Salianjit, i cili sipas Berishës u burgos për shkak të përballjes së tij me “klanin mafioz të Ballkanit dhe Evropës Rama-Xhafa”.
Berisha theksoi se ato përpjekje nuk do të kishin sukses, dhe se opozita dhe populli i lirisë do të vazhdonin të luftonin për të drejtat e tyre. Ai i ftoi protestuesit të mos trembeshin, duke u shprehur se ata që përpiqen të trembin popullin opozitar, përfundimisht do të mjerohen.
“Kryetari i PD u vendos në arrest shtëpie me urdhër të Edi Ramës. Me urdhër të tij ish-presidenti i vendit u zvarrit, u godit në mes të rrugës dhe u filmua duke menduar ky kriminel se do të tmerronte opozitën. Me urdhër të Edi Ramës, me mbështetjen e monstrës së njerëzimit deputeti ynë Ervin Salianji, martiri i fjalës së lirë, u burgos sepse u përball dhëmbë për dhëmbë me klanin mafioz më të rrezikshëm të Ballkanit e Evropës, klanin Rama-Xhafa. Menduan se do të na trembnin, por gabuan rëndë. Ja ku e kemi ne, 200 metra më tej prijësin tonë të përjetshëm. Skënderbeun. Të harrojë kush se mund të trembet populli opozitar, populli i lirisë. Jo mor jo! Përkundrazi, do të mjerohen ata që mund të mendojnë se na trembin ne”, tha Berisha.
- Berisha: Vjedhjet e Lubi Ballukut më të mëdha se dëmet e tërmetit
Kreu i PD Sali Berisha, në fjalën e tij në protestën e Partisë Demokratike tha se ka zhvilluar takime të rëndësishme në Gjermani.
Berisha theksoi se CDU gjermane mezi pret fitoren e Partisë Demokratike në Shqipëri. Ai tha se vjedhjet e Lubi Ballukut janë më të mëdha sesa dëmet e tërmetit në vend.
Sali Berisha: Unë mora pjesë në Kongresin e partisë më të madhe në Europë, CDU. Atje shtrëngova duart me kancelarin e ardhshëm të Gjermanisë. Takova miq të hershëm dhe të rinj, ata mezi po presin fitoren e PD, që të ndërtohen marrëdhënie tepër të mira. U zotova se nga Shqipëria do ketë zero eksport të refugjatëve dhe krimit në Europë.
Rama me Lubi Ballukun në një udhëtim në Ankara, rritën çmimin e tunelit 50 mln euro për t’i marrë në xhep, Rama ka marrë dhjetëra milionë dhe ka grisur dy urdhër-arreste për baxhanakun dhe drejtoreshën e AKSH, ka duart e zeza në aferën e Porto Romanos. Vjedhjet e Ballukut shkojnë më shumë se dëmet e tërmetit. Të gjitha këto janë arsye pse jemi këtu.
- Meta flet në protestë nga burgu: Ahmetaj tregoi aferat e Ramës
Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka folur nga burgu në protestën e Opozitës.
Gjatë fjalës së tij, Meta ka deklaruar se mafja në Shqipëri, ka shtetin e saj që është qeveria Rama. Meta në nisje të fjalës së tij falënderoi të gjithë të pranishmit në protestë, duke përmendur këtu kreun e PD-së Sali Berisha dhe ish-deputetin Ervin Salianji.
“Cdo shtet ka mafjan e tij, por në Shqipëri, mafja ka shtetin e vetë. Kjo dëshmohet edhe nga ish-bashkëpunëtori i Ramës, Arben Ahmetaj, i cili tregoi aferat e tij. Edhe për arsye të rrethanave ku ndodhem, do të ndalem në dy çështje. Rama iu desh 12 vite që të hidhte sytë nga bujqësia. Nuk e ndaloi atë për t’i kthyer sytë nga bujqësia. Si shpjegohet që ka rënë shumë numëri i gjedhëve në vend. Ai i ndriti me fondet e IPARDIT. Ndaj sot jemi vendi me mbështetjen më të pakët për bujqësinë,” tha Meta.
- Protesta e PD, mungon Gazment Bardhi
Teksa protesta e PD-së pritet të nisë nga momenti në moment, u pa se kryetari Sali Berisha doli nga selia në krah të Flamur Nokës.
Një mungesë e rëndësishme në protestë është ajo e kreut të grupit parlamentar Gazment Bardhi. Deputeti ndodhet së bashku me një përfaqësi tjetër politike dhe parlamentare në SHBA.
Bashkë me të ndodhet edhe Bledion Nallbati. Por ka edhe shumë deputetë të tjerë që për shkak të tureve të Diasporës për zgjedhjet e 11 Majit ndodhen jashtë vendit.
- Maliqi: Sot janë mbledhur qytetarët dhe socialistët e zhgënjyer
Qytetarë nga e gjithë Shqipëria janë mbledhur sot përpara selisë së Partisë Demokratike në kuadër të protestës kombëtare të lajmëruar nga opozita.
Drejtuesi i Partisë së Lirisë në qarkun e Beratit, Lefter Maliqi për “Ora Neës” u shpreh i kënaqur nga pjesëmarrja e qytetarëve në këtë protestë.
“Kjo është protesta e qytetarëve dhe socialistëve të thjeshtë dhe të zhgënjyer nga kjo qeveri”, tha Maliqi.
- Zhupa: Sot vendosin qytetarët, janë ata që kanë irritimin më madh ndaj qeverisë
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, u shpreh se në protestën e sotme është qytetari ai që vendos.
Zhupa tha se opozita është ajo që e ka thirrur protestën dhe se, qytetarët duhet të protestojnë që të kuptohet se çfarë bëhet në kurriz të tyre.
“Ne jemi në krah të qytetarëve. Sot do të jetë një nga protestat më të fuqishme të PD, sot do të jetë edhe një mënyrë për të treguar se qytetarët nuk do të dorëzohen, do të rezistojnë, dhe më 11 Maj do të bëjnë ndryshimin që çdo qytetar shqiptare do sot. PD ka thirrur ketë protestë dhe do të jetë një protestë e opozitës së bashkuar, por qytetarët janë ata që vendosin, qytetarët janë ata që kanë irritimin më madh ndaj vjedhjeve që u bëhet.
Dhe sigurisht ne jemi aty për t’i mbështetur, ne jemi aty për të folur me ta, jemi aty për të dëgjuar mesazhet e tyre, por skenarin final e vendos qytetari. Gjithmonë ne do të jemi, do të jemi për të treguar forcën, forcën e numrave, forcën që kemi ndaj PS, që sot është partia që rrëmben të ardhmen e shqiptarit. Qytetarët sot duhet të protestojnë që të kuptohet që gjithçka bëhet në kurriz të tyre nuk mbetet pa u ndëshkuar. Duhet të protestohet dhe do të protestojnë për të treguar se nuk tremben më,” tha Zhupa.
- “Sot është dita e opozitës”, Luan Baçi: Jemi mazhorancë, jo minorancë!
Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, ka deklaruar se protesta e sotme e opozitës para Kryeministrisë nuk do të jetë e fundit.
Në një prononcim për News24, Baçi theksoi se opozita do të vazhdojë qëndresën e saj, pavarësisht sfidave dhe angazhimeve të deputetëve jashtë vendit.
“Sot është dita e opozitës. Nuk do të ketë vend në bulevard sepse opozita ka dalë në shesh. Kjo nuk është protesta e fundit, duke parë edhe vështirësitë e kohëve të fundit, me deputetë që janë në diasporë duke zhvilluar takime,” tha Baçi.
- “Sy më sy dhe xhep me xhep”/ Pankartat e veçanta në tubimin e opozitës
Qytetarët opozitarë janë mbledhur pasditen e sotme në shenjë proteste kundër qeverisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.
Protestues të shumët nga i gjithë vendi janë bërë bashkë fillimisht në selinë blu me pankarta në duar, për të marshuar drejt kryeministrisë.
Siç shihet edhe në foto, demokratët janë fotografuar me flamurin e PD-së në duar, ndërsa nuk kanë munguar as pankarat e veçanta dhe ironitë për qeverinë.
Një prej protestuesve shihet me një pankartë tek duket kreu i PD-së Sali Berisha “krah” presidentit të SHBA, Donald Trump.
Ndërkohë një tjetër është fotografuar me një pankartë tek shkruan “Sy më sy dhe xhep me xhep”, duke ironizuar kështu rubrikën e re të kryeministrit Edi Rama në rrjetet sociale,”Sy më sy”, ku kreu i qeverisë u kthen përgjigje pyetjeve dhe komenteve të qytetarëve në postimet e tij.
- Të rinjtë e vlorës mesazh për Ramën në protestë: EDVIN, KE MBARUAR!
Forumi Rinor i Partisë Demokratike Dega Vlorë vjen në protestën e opozitës në Tiranë me një mesazh ndaj kryerilindasit – Vlora flet: Edvin, Ke mbaruar!
Ky mesazh nuk është vetëm nga të rinjtë e Partisë Demokratike në Vlorë, ky është mesazh nga vlonjatët dhe më shumë, është thirrja që sot i drejton çdo shqiptar kryeministrit të selisë së turpit dhe korrupsionit.
Edvin, për socialistët Ti ke mbaruar kur zëvendësove ato pak vlera që kishin të majtët me dajret dhe kukullat e harremit të Rilindjes.