Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është paraqitur në SPAK fiks në orën 10:00, për të zbatuar masën “detyrim paraqitje” të caktuar më 3 Janar nga Gjykata e Posaçme e Apelit.
Berisha ka qenë i shoqëruar nga avokati i tij, Genc Gjokutaj. Qëndrimi i tij në SPAK nuk ka zgjatur as 1 minutë, teksa është paraqitur para oficerit të Policisë Gjyqësore, Endri Meçi.
Sipas vendimit të marrë nga gjyqtari i Apelit, Engert Pëllumbi, Berisha duhet të paraqitet në SPAK, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji në lidhje me dosjen për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Lideri i opozitës është pritur para godinës së SPAK nga mbështetësit e tij nën brohorimat “Sali Berisha” apo “Poshtë Diktatura”, teksa të pranishëm kanë qenë dhe disa prej deputetëve dhe zyrtarëve të PD-së.
Kujtojmë se vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit për t’i caktuar Berishës “detyrim paraqitje” u mor pas shqyrtimit të ankimimit të bërë nga dy prokurorët e SPAK, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, të cilët kërkonin rikthimin e “arrestit në shtëpi” për liderin demokrat. Gjyqtari i Apelit nuk pranoi kërkesën e SPAK, por gjithashtu prishi edhe vendimin e GJKKO-së të marrë nga gjyqtarja Flojera Davidhi më 27 Nëntor, e cila i revokoi të gjitha masat e sigurisë ndaj Berishës.
Pas daljes nga SPAK, Berisha është prononcuar për mediat, ku deklaroi se Prokuroria kërkon që atij t’i rikthehet arresti vetëm për faktin se sulmon prokurorët dhe gjykatës. Lideri demokrat e konsideroi Altin Dumanin si një kryekriminel elektoral, teksa sipas tij, ai po fle mbi dosjet e krimit.
“Siç e dini, organizata kriminale Skapi i partisë kërkoi nga gjykatësi kukull që Sali Berishës t’i rikthehet arresti në shtëpi, jo se prish provat, jo se kanë asnjë fakt, por sepse ka sulmuar gjykatëset dhe prokurorët. Këtu ne arrijmë në një moment dramatik, në momentin kur këta kriminelë që flenë mbi dosjet e krimit dhe bashkëpunojnë me krimin, vendosin të bëhen xhelatë të fjalës së lirë. Sali Berisha i ka sulmuar, do t’i sulmojë të gjithë ata që bashkëpunojnë me krimin dhe kurrë njerëz të ndershëm, njerëz që bëjnë ligjin. Sali Berisha ka sulmuar dhe do faktojë që sot para jush se si Altin Dumani fle mbi dosje krimi. Do faktoj para jush se si këta anëtarë të organizatës kriminale, në deklaratat e tyre, deklarojnë siç deklaron Dumani se e kam blerë me 380 metër katror apartamentin, kurse ekspertët e tij i urdhëron të vlerësojnë me 520 metër katror ndërtimin e viteve ’70. Ndërtimi i viteve 2000 e sa vlerësohet me 380, kurse ndërtimi i viteve 70 vlerësohet me 520. Altin Dumani është një kryekriminel elektoral sepse ka mbyllur të gjitha dosjet e krimit monstruoz elektoral.
Aty gjeta McGonigalin që po i bënte kurs Altin Dumanit, po e trajnonte Dumanit. Nuk e solla unë McGonigalin aty, ai i thoshte se në këtë mënyrë duhet të veprosh herët e tjera. Gjeta aty Lali Vjedhësin, po rrihej me kolegët sepse ju thërrisni Ajolën këtu dhe nuk thërrisni Lindën që e keni të regjistruar duke ndërhyrë në tenderat e AKSHI-t, regjistrim ambiental. Gjeta aty Ulsin, po zihej me Dumanin aty për çantën Louis Vuitton. Sepse Ulsiu, pasi ka marrë një pagesë të madhe shumë, i kërkon me dokumente çunit të Londrës edhe një çantë Louis Vuitton. I thotë ai për kë e do ti, nuk e them bisedën tjetër se është intimitet familjar. Unë gjeta aty raftet me 130 milionë euro të djegësit të Tiranës që po i ndanin si çakej me njëri-tjetrin. Gjeta paratë e sterilizimit, të cilat përsëri kishin arritur këtu.” – tha kreu i opozitës.
Më tej Berisha denoncoi se si sipas tij, ministri Taulant Balla del në bisedat e kriminelëve të Elbasanit në aplikacionin e enkriptuar “Sky Ecc”. Sipas liderit demokrat, grupi i Suel Çelës i ka kërkuar Taulant Ballës arrestimin e Çapjave në këmbim të sigurimit të votave dhe sipas Berishës kjo gjë ndodhi më pas, duke u arrestuar Ardjan Çapja.
“Tani me datën 10.2.2020, target është njëri nga banditët e bandës së Elbasanit, informon me PIN, me telefonin e tij AM5P80, se kishin rënë dakord mes tyre që të mos i kërkonin Taos tender publik apo favore të tjera përveç atyre që kishin rënë dakord që t’i kërkonin Taos. Ky mesazh iu përcoll Taos dhe i dhanë afat deri në dhjetor. Taos i kishin kërkuar arrestimin e kundërshtarëve të tyre. Tao iu përgjigj kësaj: A garantoni që të gjithë ata njerëz do votojnë për ne nëse vendosim në listë ata që doni në burg? Pra, do na i siguroni ju votat nëse ne me listë i burgosim ata që kërkoni ju? Përgjigjia ishte: Po, ne e garantojmë këtë. Më pas Tao tha: Ata do shkojnë në burg këtë vit. Tani, komenti tjetër. Tao është fiks Taulant Balla, është një kriminel që është vetëm njëri nga të shumtat të dhëna që ka në dosjen e vet. Përgjigja është se ne garantojmë votat në qoftë se ti arreston listën që të kemi dhënë për të arrestuar. Sipas këtij premtimi u arrestuan Çapjat me kërkesë të Çelëve. Kjo është e vërteta.
Ata shkuan në burg në mars të vitit 2021, para zgjedhjeve, në mënyrë që Tao të dilte kampion i votave në Elbasan. Çfarë del nga kjo? Që Tao përcakton tendera, që Tao përcakton vendimet e gjykatave, që Tao merr përsipër me listë arrestimet, dhe në kundërpërgjigje, Tao merr garanci për votat. Ky është vetëm një aspekt i dokumenteve të pafundme që kam unë për organizatën kriminale që unë e quaj Skrapi i partisë. Tao shëtit nga një vend në një vend tjetër dhe këto janë vetëm njëri aspekt sepse janë të tjera, konkrete për të, po kaq të rënda dhe më të rënda. Avash-avash do keni me radhë, unë jam zotuar se do u faktoj pse e cilësoj Altin Dumanin kreun e një organizate kriminale. Sepse Altin Dumani i ka këto prej kohësh, por vepron njëlloj si Lubi Balluku dhe Edi Rama, Rama jepte për një hyrje një leje ndërtimi, Lubia që është e pashembullt në Ballkan dhe Europë, ndau 13 kilometra rrugë në 14 kontrata. Këto nuk janë nga Skrapi, janë një burim tjetër. Këto janë nga një qendër e huaj.” – deklaroi Berisha.
Lideri demokrat tha se masa e sigurisë “detyrim paraqitje” do t’i shtojë më shumë vota, teksa deklaroi se vendosi ta zbatonte vendimin pasi ka një proces parlamentar, edhe pse autorizimi për arrestimin e tij, sipas Berishës është dhënë nga pseudo mazhorancë.
“Vendosa të zbatoj vendimin sepse ka një proces parlamentar të pseudo-mazhorancës kundër meje, e cila autorizoi drejtësinë, unë nuk mund të them se nuk ekziston ajo, pavarësisht se ishte antikushtetues, por ishte një proces parlamentar. Dhe unë, në të gjithë kërkesën time, nuk kërkova asgjë tjetër vetëm të zbatohet Kushtetuta. Ata nuk zbatuan Kushtetutën, por parlamenti votoi. Përderisa votoi parlamenti… Unë e kam fituar 100 përqind kauzën time për mbrojtjen e Kushtetutës. Unë mbrojtja Kushtetutën dhe kushtetutshmërinë sepse unë jam personi që në vitin 2012 kam kërkuar abrogimin e nenit 73, pika 2 të Kushtetutës. E kam çuar në parlament. Por përderisa është në fuqi, çdo akt në ndeshje të tij është puç kushtetues. Kjo masë sigurie do më shtojë më shumë votat sepse u faktua kjo. Këtë qëndrim mbajtën Sorosianët ndaj Donald Trump, po kombi amerikan dha verdiktin e vet.” – tha Berisha.
Ndërkohë, gjatë kohës që Berisha u paraqitet në SPAK për zbatimin e vendimit të Apelit, paralelisht në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) po zhvillohej seanca paraprake për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Gjyqtarja Flojera Davidhi do të marrë vendimin nëse çështja e dosjes “Partizani” do të dërgohet ose jo për gjykim. Ajo mund të dërgojë për gjykim dosjen, mund ta kthejë pas për plotësim hetimesh ose e pushon çështjen.
Për çështjen në fjalë Berisha është marrë i pandehur për akuzën e veprës penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
Sipas SPAK-ut, Berisha në kohën kur ka qenë kryeministër ka vendosur në funksion të interesave të dhëndrit të tij Jamarbër bazën ligjore, si edhe ka ushtruar presion mbi vartësit për të nxitur plotësimin sa më të shpejtë të procedurave të kthimit të pronës dhe privatizimit të godinave të degraduara të ish-klubit sportiv “Partizani”.
Kujtojmë se Sali Berisha ndodhej në izolim që prej 30 Dhjetorit të vitit 2023, kur Gjykata e Posaçme vendosi t’i caktonte masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi lideri demokrat nuk zbatoi masën e mëparshme “Detyrim paraqitje”, duke e konsideruar si antikushtetuese. Pas këtij vendimi, avokatët e Berishës kishin bërë një sërë ankimimesh për t’i revokuar masën “Arrest shtëpie”, por kërkesat e tyre ishin rrëzuar si në Shkallën e Parë, po ashtu edhe në Apelin e Posaçëm.