Qindra qytetarë kanë mbushur sot rrugët e Tiranës në shenjë protestë pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani duke kërkuar drejtësi dhe më shumë siguri për fëmijët e tyre në shkolla.
Me një pankartë të madhe në dore ku shkruhej “Institucionet e papërgjegjshme vrasin” prindër dhe të rinj u mblodhën bashkë për tu solidarizuar në një marshim protestë nga shkolla “Fan Noli’ në Tiranë drejt Ministrisë së Arsimit.
“Nuk ka dhimbje më të madhe. Ai ishte si djali im se ishte shoku i djalit tim. Nuk di çfarë të them, jam shumë i prekur. Ai i ka fut thikën të gjithëve”, tha një prind në nisje të marshimit.
“Apel shtetit shqiptar të mos flejë gjumë, mjaft më. Nuk durohet”, tha një prind tjetër.
Një nga të pranishmet u shpreh se shteti duhet të marrë masa për këtë ngjarje duke kërkuar dënim të rëndë për autorët.
Me pankarta në duar “Martin Cani një fëmijë më pak, një dështim më shumë”, “Pse bën sikur jeton në një vend normal”, “Heshtja jonë po na vret fëmijët. Sa viktima duhen që ne të ngremë zërin? Martin, të kemi vrarë të gjithë nga pak”, qytetarët kanë kërkuar drejtësi për të miturin dhe siguri nga autoritetet në shkolla dhe në vend.
Disa prej qytetarëve e prindërve janë të shokuar nga ngjarja, e të tjerë nuk gjejnë fjalëts e duhura për ta përshkruar dhimbjen e madhe që ka lënë pas vrasja e Martinit.
“Është e tmerrshme, kam fëmijë vetë. Zero siguri, më shumë ligje e të zbatohen të paktën. Realisht është e tmerrshme”, thotë një nënë e re.
Në marshim kanë dalë edhe bashkëmoshatarë të Martinit, të cilët të prekur nga ngjarja tregojnë se si kanë frikë të shkojnë në shkollë, pasi ndihen të pasigurtë.
- Hidhet bojë e kuqe mbi fëmijët dhe në rrugë, gjesti simbolik i protestuesve
Prindërit dhe nxënësit kanë hedhur bojë në asfaltin para Ministrisë së Arsimit te Rruga e Durrës në shenjë proteste pas vrasjes së 14-vjeçarit, Martin Cani.
Me pankarta të shumta në duar, me mesazhe për institucionet, shoqërinë, por edhe për 14-vjeçarin e vrarë, qytetarët kanë kërkuar drejtësi dhe siguri.
Gjithashtu, ata kanë lyer duart e tyre me bojë të kuqe dhe i kanë vendosur në muret e institucionit të arsimit.
“14 vjet ëndrra të shuara, kush mban përgjegjësi”, shkruhet në pankartën që mban një nga fëmijët në protestë.
- “Largohu, jep dorëheqjen, ik”, qytetarët shpërthejnë kundër Ogerta Manastirliut
Mijëra qytetarë që i janë bashkuar protestës marshim kundër vrasjes së nxënësit të ‘Fan Nolit’, Martin Cani kanë shpërthyer ndaj ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu duke i kërkuar largimin nga posti i saj si ministrej.
Dorëheqje, largoju, ik, iku’ kanë vazhduar për disa minuta thirrjet e qytetarëve në protestën e nisur nga shkolla ‘Fan Noli’ e më pas tek Ministria e Arsimit.
- Aktivistja: Edhe pse kjo qeveri na ka shkatërruar gjithçka, dhuna nuk është zgjidhje
Qytetarë të shumtë i janë bashkuar protestës së sotme, pas vdekjes së 14-vjeçarit Martin Cani nga bashkëmoshatari i tij në ambjentet e shkollës.
Në fjalën e saj, aktivistja Sidorela u shpreh se nuk ka asnjë kuptim që sot të flasim për cilësimi arsimi, na duket lluks moment që ne nuk jemi të sigurt në shkolla, rrugë apo shtëpi sepse të gjithë këta politikanë duke nisur nga kjo minister që nuk mban dot as një minutë heshtje, nuk ka as përgjegjësi institucionale apo morale.
“Unë kam një vëlla që sot është në vit të dytë në gjimnaz dhe sot në vend që të jem e shqetësuar se çfarë mësimi merr im vëlla, sot jam e tmerruar se vëllai im nuk do të vjerë i gjallë në shtëpi.
Çfarë kuptimi ka që ne sot flasim për cilësimi arsimi, na duket lluks moment që ne nuk jemi të sigurt në shkolla, rrugë apo shtëpi sepse të gjithë këta politikanë duke nisur nga kjo ministre që nuk mban dot as një minutë heshtje, nuk ka as përgjegjësi institucionale apo morale.
Deru kur do presim që këta të ikin? Derisa arkivoli të vjerë në shtëpinë tonë, deri kur do presim pasi jemi të pasigurt sepse çdo ditë ka një atentat, kjo qeveri ka normalizuar dhunën e cila është kthyer në institucion e me anë të dhunës matet je apo jo i suksesshëm.
Unë përveç dorëheqjes nuk shoh asnjë mundësi tjetër që kjo gjë të zgjidhet. Si ka mundësi që nuk ka asnjë deklaratë që kësaj që ka ndodhur, çfarë na duhen ne ngushëllimet tuaja ju jeni aty për të mbajtur përgjegjësi dhe duhet të mbani përgjegjësi
Dua ta mbyll sot me një mesazh për vëllain e shokët e shoqet e tij.
Edhe pse ata na kanë shkatërruar gjithçka, dhuna dhe ky model nuk janë zgjidhje. Ky model nuk është zgjidhje e ne duhet ti themi ‘JO’ dhunës ndaj njëri-tjetrit”, tha aktivistja.
- Rrëfehet shoku i Martin Canit: Ditën e vrasjes më tregoi për sherrin
Me foton e Martinit në dorë, edhe shokët e 14 vjeçarit iu bashkuan marshimit protestë që vijon drejt Ministrisë së Arsimit.
Një shok i klasës së Martin Canit teksa marshon tregon se të hënën, ditën kur dhe ndodhi vrasja ai i kishte treguar për sherrin që kishte me autorin. Shenjë që 14 vjeçari ka qenë i shqetësuar.
“E kisha shok klase. Ishte djalë i urtë. Nuk merrej me sherre. Më tha vetëm një herë që ishte zënë me atë por gjë tjetër nuk më ka thënë. Më tregoi të hënën” tha shoku i Martinit.
- Prindërit: Jemi vonë! Një i ri sot nuk është pranë familjes
Një nga prindërit, në fjalën e tij u shpreh se mbledhja e tyre sot është vonë, pasi sot një i ti nuk ndodhet më afër familjes.
Ai dhe prindër të tjerë ia kanë hedhur fajin institucioneve për gjithçka që ndodhi.
“Për fat të keq ne që jemi sot këtu kemi ardhur shumë vonë, për të gjitha problemet që në një mënyrë apo në një tjetër ne i dinim. Kemi ardhur por një i ri nuk është më dhe nuk është më pranë familjes së tij. Për këtë arsye sigurisht që qytetarët, prindërit, nxënësit që sot janë këtu, duhet të japin një mesazh të fortë e të menjëhershëm. Duhet të ndërgjegjësohemi e të edukojmë fëmijë të denjë. Siguria e fëmijëve tanë nuk pret. Ndaj vendi ynë ka institucione, shkolla duhet të edukojë fëmijët para se siç shohim shpesh të kthehen në vatra votash e punësimesh”, tha Migen Qiraxhi.