Nga Boldnews.al
Fatmir Xhafaj, vëllai i trafikantit të drogës Agron (Geron) Xhafaj, u shfaq me lot në sy dhe me një barrë gënjeshtra në studion e “Opinion” të Blendi Fevziut mbrëmjen e 9 Tetorit 2024, ku foli për herë të parë publikisht pas dënimit të deputetit demokrat, Ervin Salianji.
Ligjvënësi demokrat dhe gazetari Jetmir Olldashi u shpallën fajtor për “kallëzim të rremë” nga Gjykata e Apelit, pasi, sipas trupës gjyqësore, i kanë dëmtuar imazhin Geronit, një person i dënuar me 7 vjet burgim në Itali për pjesëmarrje në grup që trafikonte lëndë narkotike nga Shqipëria drejt vendit fqinj përtej Adriatikut.
Historia ka nisur në Tetor të vitit 2017, kur Jetmir Olldashi, në atë kohë gazetar në emisionin “Të Paekspozuarit”, siguroi një audio-regjistrim mes Albert Veliut dhe Agron (Geron) Xhafaj, në të cilin flitej për trafik narkotikësh.
Ai material audio u publikua në Maj 2018 nga Ervin Salianji, nga selia e Partisë Demokratike. Pas më shumë se 6 vitesh hetim e gjykim, Gjykata e Apelit vendosi në shtator 2024 që të dënojë Salianjin e Olldashin për “kallëzim të rremë”, ndërkohë që nuk pati asnjë hetim për Agron (Geron) Xhafaj.
Intervista me gënjeshtra
Në intervistën prej rreth 1 orë e 30 minuta, Fatmir Xhafaj, deklaroi se po i referohej vendimit të drejtësisë për të vërtetën e tij, lidhur me vëllain dhe Salianjin.
Por, në këtë intervistë, ai tha të paktën 15 gënjeshtra ose episode gjysëm të vërteta.
“Boldnews.al” po i rendit këto të dhëna të rreme të Xhafajt, sipas radhës kronologjike të përmendura gjatë intervistës.
- Baltë mbi familjen
Fatmir Xhafaj pretendoi që, prej vitesh, po hidhet baltë mbi familjen e tij të madhe, duke përmendur “një episode rinie” të vëllait të tij, Agron (Geron) Xhafaj.
Kjo “baltë”, siç e pretendon ai, është një vendim i formës së prerë të një gjykate italiane, e cila e ka dënuar Agron (Geron) Xhafaj në vitin 2012 me 7 vjet e 2 muaj burgim.
- “Kontakt i papërshtatshëm”
Fatmir Xhafaj përkëdhel sedrën e tij, duke u vetëquajtur “babai i Reformës në Drejtësi”. Falë asaj Reforme, shumë gjyqtarë e prokurorë u larguan nga detyra për “kontakte të papërshtatshme” me persona me precedentë penalë.
I pyetur nga Fevziu nëse konsiderohej “kontakt të papërshtatshëm” vëllai i tij, i dënuar për trafik narkotikësh, Xhafaj e mohoi këtë gjë. Ai deklaroi se gjyqtarët nuk kanë ikur nga detyra se kanë pasur njohje me persona me precedent penalë, por për faktin se janë vënë në shërbim të atyre personave.

Kjo deklaratë ishte tërësisht e pavërtetë. Shumë gjyqtarë e prokurorë janë larguar nga detyra vetëm pse kanë pasur njohje me persona me precedentë apo ka rezultuar që kanë kryer udhëtime jashtë vendit, pavarësisht se nuk kanë pasur asnjë vendimmarrje pë rata.
- Albert Veliu i është vetëofruar PD-së
Fatmir Xhafaj deklaroi se Albert Veliu (Babalja), personi që ka kryer regjistrimin e bisedës audio me Agron (Geron) Xhafaj është vetëofruar tek PD për të bërë atë që, ai e konsideroi si “skenar”.
Sipas versionit të Xhafajt, Albert Veliu ka takuar fillimisht Salianjin dhe më pas ky i fundit ka vënë në lëvizje gazetarin Jetmir Olldashi, i cili në atë kohë punonte në emisionin “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit.
Pra, sipas Fatmir Xhafajt, skenari është vënë në lëvizje nga Salianji dhe më pas nga Olldashi.
E vërteta është tërësisht ndryshe, siç edhe ka dalë në dëshmitë që janë marrë gjatë hetimit apo gjykimit të rastit “Geron”.
Gazetari Olldashi, në funksion të detyrës së tij të atëhershme, është vënë në kontakt me Albert Veliun. Pas audio-regjistrimit, drejtuesi i emisionit, Ylli Rakipi, nuk ka pranuar ta publikojë, pasi materiali ishte vetëm audio, pa video, ku të dallohej biseda mes Babales dhe Geron Xhafaj. Në vijim, Olldashi e ka diskutuar rastin me Salianjin.
Ky version, i cili është tërësisht i vërtetë, gjendet i tillë edhe në dosjen gjyqësore. Por, Fatmir Xhafaj, i cili pretendoi se po i përmbahej dosjes hetimore, i devijoi të gjithë detajet në funksion të versionit të tij të rremë.
- Qindra orë përgjime. Përse?
Fatmir Xhafaj deklaroi se e vërteta e tij u provua nga qindra orë përgjime proceduriale.
Së pari, Xhafaj, si një jurist i aftë, është në dijeni që, për veprën penale të kallëzimit të rremë, nuk aplikohet përgjimi.
Së dyti, ai nuk tha se, Prokuroria për Krime të Rënda në atë kohë e regjistroi rastin për një vepër penale që e parashikonte përgjimin, “Trafik narkotikësh”, me subjekt kryesor Geron Xhafajn, por që, siç rezultoi nga dosja gjyqësore, nën survejim janë mbajtur vetëm Salianji, Olldashi, Babalja dhe “dëshmitari i rremë”, Fred Alizoti.
Së treti, Xhafaj nuk përmendi aspak faktin se në ato përgjime proceduriale ishin regjistruar drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, të cilët “instruktonin” dhe “orientonin” dëshmitarin e rremë, Fredi Alizoti, i cili mori përsipër të deklaronte se zëri në audio-regjistrimin me Babalen ishte ai dhe jo Agron (Geron) Xhafaj.
- Qelizat telefonike
Fatmir Xhafaj deklaroi se tabulatet telefonike tregojnë se në 24 Tetor 2017, ora 13:36, kur pretendohet se është bërë audio-regjistrimi Albert Veliu-Geron Xhafaj, vëllai i tij nuk ishte në Vlorë, por në Fier.
Por, Fatmir Xhafaj nuk tha që vetëm gjysëm orë para asaj që ai pretendon, tabulatet zyrtare tregojnë se Albert Veliu, gazetari Jetmir Olldashi dhe Agron (Geron) Xhafaj kanë qenë në të njëjtën zonë, të mbuluar nga të njëjtat antena telefonike në Vlorë.
Ky fakt tregohet më së miri edhe në materialin që mbrojtja e gazetarit Olldashi paraqiti në gjykatë.

- “Babalja do të merrte 200 mijë euro nga PD”
Fatmir Xhafaj, gjatë të gjithë intervistës, e konsideroi Albert Veliun (Babalen), si “mashtrues”. Megjithatë, ai ia mori si të mirëqenë një bisedë telefonike që Babalja dhe Fredi Alizoti flisnin me njëri-tjetrin për një pagesë 200 mijë euro, për të cilën Xhafaj thotë se “do u jepej nga Partia Demokratike”.
Kjo “pagesa 200 mijë euro” ishte një shashkë, e cila nuk rezultoi askund gjatë procesit hetimor dhe gjyqësor. Por, Xhafaj, i cili deklaroi gjatë emisionit se po mbështetej vetëm në dosjen e gjykatës, e ri-hodhi si tezë në publik, në përpjekjen e tij për të treguar se sulmi ndaj Geronit dhe atij vetë ishte orkestruar nga Partia Demokratike.
- “PD i kërkoi ndihmë Besim Hajdarmataj”
Fatmir Xhafaj deklaroi se, kur Partia Demokratike dështoi të siguronte prova për përfshirjen e vëllait të tij në trafikun e narkotikëve, “ajo (PD) i kërkoi ndihmë Besim Hajdarmatajt, që në atë kohë ishte drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda”.
Kjo është një rrethanë që nuk gjendet askund në dosjen hetimore apo gjyqësore. Pra, rezulton që të jetë një rrethanë tërësisht e rreme.
Në vijim, Xhafaj tha se prokurori nuk mori asnjë kallëzim, por, pasi ka marrë kontakt me Albert Veliun, ka aktivizuar punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror, të cilët pas tre ditësh nuk kanë gjetur prova që lidhnin Agron (Geron) Xhafaj me trafikun e narkotikëve.
Në dosjen gjyqësore rezulton se Prokuroria për Krime të Rënda ka aktivizuar agjentë të SHISH-it për rastin, por kjo është një situatë që ndodh rëndom, kur ka të dhëna që duhen verifikuar. P
Për më tepër, Krimet e Rënda në atë kohë ishin të detyruar të angazhonin oficerë të SHISH-it, pasi ekzistonte frika që policët të dekonspironin veprimet, duket qenë se Fatmir Xhafaj ishte Ministër i Brendshëm.
- “Pse e fshehu PD mjetin e regjistrimit”?
Fatmir Xhafaj deklaroi se Partia Demokratike fshehu mjetin me të cilin është kryer audio-regjistrimi (stilolaps), pasi, sipas tij, zëri original do të tregonte të gjithë skenarin e sajuar.
Detaji i stilolapsit është tërësisht i pavërtetë. Ai mjet ishte në dispozicion të gazetarit Olldashi, në funksion të ushtrimit të profesionit të tij në emisionin “Të Paekspozuarit”.
- Përgjimet Babale-Alizoti
Fatmir Xhafaj iu referuar disa përgjimeve proceduriale të bisedave mes Albert Veliut e dëshmitarit të rremë, Fred Alizoti, për të mbrojtur tezën e tij se e gjithë historia është skenar i sajuar.
Por, në intervistë, Xhafaj shmangu qëllimisht faktin që, ky Fredi Alizoti, mbante kontakte të shpeshta me drejtuesit e Policisë së Fierit, ku këta e “mbanin me të mira”, me qëllim që ai të deklaronte në prokurori e gjykatë se ishte ‘aktori” që kishte luajtur rolin e Geron Xhafaj në audio-regjistrimin me Albert Veliun.
- “Nuk e di që Alizoti ishte bashkëpunëtor i Policisë”
Fatmir Xhafaj, i cili pretendoi gjatë të gjithë intervistës se për çështjen “Geron” po i referohej vetëm dosjes hetimore e gjyqësore, deklaroi se “nuk kam dijeni që Fred Alizoti ishte kontigjent dhe bashkëpunëtor i Policisë”.

Kjo deklaratë është tërësisht e pavërtetë. Në dosjen gjyqësore dhe gjatë procesit gjyqësor është përmendur shpesh fakti se Fred Alizoti është person me precedent penale e me disa dënime mbi kurriz dhe që vepronte si “bashkëpunëtor” i Policisë së Fierit.
Këto janë në dosje, të cilën Xhafaj thotë se e ka lexuar me detaje.
- Si e njohu Geroni zërin e Babales?
Vetëm pak orë pas Salianji publikoi audio-regjistrimin, në të cilin Albert Veliu nuk shfaqej me emër, por “dëshmitari X”, Agron (Geron) Xhafaj, në një reagim publik e identifikoi menjëherë.
Fatmir Xhafaj, gjatë intervistës, deklaroi se vëllai i tij nuk ka pasur thuajse fare kontakte me Albert Veliun dhe se “mund të ketë komunikuar vetëm 3-4 herë në 4 vjet me Babalen dhe ato telefonata kanë zgjatur vetëm nga 30 sekonda”.
Por, Fatmir Xhafaj nuk arriti të jepte një shpjegim bindës se, si ka mundësi, që Agron (Geron) Xhafaj dalloi menjëherë zërin e Babales në audio-regjistrim, kur me këtë person nuk kishte asnjë lloj kontakti të afërt.
- Mostra e zërit
Fatmir Xhafaj deklaroi se ekspertiza e huaj hodhi poshtë pretendimin se zëri në audio-regjistrim ishte i Geronit. Sipas Xhafajt, vëllait të tij iu mor zëri në Prokurorinë e Tiranës, menjëherë pas publikimit të rastit në Partinë Demokratike.
Ai tha se ekspertiza e huaj rrëzoi pretendimet e PD-së, pasi zëri në audio-regjistrim ishte i pakuptueshëm dhe nuk mund të shërbente për krahasim, “pasi Partia Demokratike refuzoi të vinte në dispozicion të drejtësisë mjetin, me të cilin ishte bërë regjistrimi”.
Ky detaj është tërësisht i pavërtetë. Ekspertiza ka treguar se i pakuptueshëm ishte pikërisht zëri i Agron (Geron) Xhafaj, i marrë në Prokurorinë e Tiranës. Po ashtu, Prokuroria për Krime të Rënda mori si “mostër” të zërit të Geronit një material audio, të dorëzuar nga avokati i tij, Ardian Visha, pa kryer asnjë lloj verifikimi mbi vërtetësinë e tij.
Po ashtu, gjykata refuzoi kërkesën e avokatëve mbrojtjës të Salianjit e Olldashit që të merrnin një mostër të re zëri të Agron (Geron) Xhafaj në ambjentet e burgimit, në Itali, për të kryer një ekspertizë të saktë dhe me cilësi.
- Pse nuk e kreu dënimin Geroni
Fatmir Xhafaj deklaroi se vëllai i tij kishte mësuar, nëpërmjet avokatit, për dënimin me 7 vjet e 2 muaj burgim në Itali, në vitin 2012. Por, ai zgjodhi që të mos dorëzohej, ndërkohë që, sipas Xhafajt, autoritetet italiane nuk e kishin shpallur në kërkim.
Ai deklaroi gjithashtu se “PD-ja ishte në pushtet për 8 vjet. Pse nuk e arrestoi vëllain e tij? Sepse nuk kishte urdhër-kërkimi ndërkombëtar”.
Në këtë detaj, Fatmir Xhafaj luan me fjalët. Partia Demokratike ka qenë në pushtet në periudhën 2005-2013. Deri në vitin 2013, që përkon me kohën që PD ka qenë në pushtet, autoritetet italiane nuk kanë pasur ndonjë nxitim për të shpallur në kërkim Agron (Geron) Xhafaj.
Autoritetet shqiptare janë vënë zyrtarisht në dijeni të dënimit të Geron Xhafaj në vitin 2016, kur Fatmir Xhafaj ishte politikisht shumë i fuqishëm dhe drejtonte Komisionin e Reformës në Drejtësi.
Agron (Geron) Xhafaj qëndronte i lirë në Shqipëri, edhe kur vëllai i tij u emërua Ministër i Brendshëm. Geroni u detyrua të largohej “hajdutshe” për të kryer dënimin në Itali, vetëm pas publikimit të audio-regjistrimit të Albert Veliut.
- Pse dhashë dorëheqjen?
Fatmir Xhafaj dha dorëheqjen nga posti i Ministrit të Brendshëm në Tetor 2018. Ai mohoi që është larguar nga kryeministri Edi Rama, por se ka qenë një akt i tij i vullnetshëm.
“Kjo historia (e Geronit) u bë shumë problematike për mua dhe familjen time dhe unë dhashë dorëheqjen për të mos patur pretendime se do të ndikoja në hetimin e çështjes së vëllait tim. Kryeministri Rama nuk e dinte që unë do të jepja dorëheqjen. Edhe partnerët ndërkombëtarë, të cilët e mësuan dorëheqjen time nga media, nuk ishin dakord me këtë vendim, pasi nuk mund të mbaja përgjegjësi për një çështje të vëllait tim”, deklaroi Fatmir Xhafaj.

Ky qëndrim nuk përputhet aspak me realitetin dhe disa të dhëna të njohura botërisht.
Fatmir Xhafaj dha “dorëheqjen” rreth 5 muaj pasi dorëzoi vëllain e tij si “pako postale” para autoriteteve të burgjeve në Itali. Para se të jepte “dorëheqjen”, Fatmir Xhafaj ushtroi të gjithë pushtetin e tij politik mbi disa “ushtarë” të tij tek Prokuroria për Krime të Rënda, për të manipuluar dhe kanalizuar hetimin e çështjes “Geron” në favor të tij dhe vëllait të tij.
Ndërsa, sa i përket “dorëheqjes” si akt, mjafton që të kthehemi pas në kohë, për të kuptuar se ai u “largua” me egërsi nga kryeministri Edi Rama.
Në Tetor 2018, Policia u angazhua në një hetim të Prokurorisë për Krime të Rënda, në atë që u quajt operacioni “Volvo 4”.
Në hetimin për grupin kriminal “Avdulaj” të Shijakut kishte të dhëna se ishte përfshirë edhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, një prej njerëzve më të ngushtë të Ramës.
Një arrestim i mundshëm i Dakos në atë kohë solli një përplasje të fortë mes Ramës dhe Xhafajt, gjë që përfundoi me largimin e këtij të fundit nga posti i Ministrit të Brendshëm.
- Nuk kam qenë hetues i komunizmit
Në fund të intervistës, Fatmir Xhafaj mohoi që të ketë qenë hetues i çështje me natyrë politike gjatë periudhës së komunizmit, megjithëse njerëz që janë ende të gjallë e kanë akuzuar publikisht për dhunën dhe terrorin që ka ushtruar ai në vitet 1986-1988, kur ka qenë pjesë e Hetuesisë së Krujës.
Ai i konsideroi “shpifje” këto akuza dhe tha që akuzatorët e tij publike “janë nxitur nga Partia Demokratike për të goditur imazhin e tij”.














