Komisioni Hetimor për TIMS është mbledhur këtë të martë për të dëgjuar dëshmitë e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe ish-drejtori i IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça.
“Frika nga mediat” e drejtorit të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullakut ka shkaktuar debat dhe përplasje të ashpër mes opozitës dhe mazhorancës në Komisionin Hetimor për vjedhjen e të dhënave të “TIMS”.
Komisioni Hetimor për TIMS debatoi për më shumë se 1 orë nëse dëshmia e Muhamet Rrumbullakut, duhej të bëhej me dyer të hapura ose të mbyllura, pra pa praninë e mediave.
Drejtuesi i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku kërkoi që dëshmia e tij të jetë sekrete në mbledhjen e komisionit “TIMS”. Rrumbullaku tha se nëse mbledhja bëhet e hapur do të flasë vetëm për ato që nuk janë sekret.
“Kërkesa jonë mbështetet në ligjin për komisionet hetimore dhe i qëndroj që dëshmia ime, përben sekret, për arsye qe do i shpjegoj pas vendimit te këtij komisioni. Ju kemi vene ne dispozicion materiale te paklasifikuara, por unë jam me shumë dokumente me vete, ligji për informacionin e klasifikuar, përcakton 4 nivelet e informacionit hetimor. Në të tre nivelet e tjera kërkohet pajisja me certifikatë respektive. Jam i hapur të jap shpjegime mbi sistemin TIMS se çfarë përfshin. Flitet parimisht sistemi TIMS. Unë nuk mund ta shkel në asnjë rast tagrin se çfarë përfshin dhe për çfarë shërben.’- tha Rrumbullaku.
Salinji u shpreh se është i detyruar të lexojë formulën e betimit, para se ta pyesë në lidhje me mënyrën e zhvillimit të mbledhjes. Në lidhje me praninë e avokatit, Rrumbullaku tha se do të dëshmojë vetëm.
”Dua të dëshmoj vetëm. Kolegët që kam, në krah nuk kanë të bëjnë me procesin njëri është këshilltar ndërsa zonja është drejtoresha juridike e Policisë së Shtetit”, tha ai.
- Përplasja PS-PD në “TIMS”
Mbledhja e Komisionit Hetimor për vjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS u zhvillua me debate të forta mes opozitës dhe mazhorancës, shkak është bërë kërkesa e Muhamet Rrumbullakut, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i cili kërkon të dëshmojë pa praninë e mediave.
Socialistët kërkojnë mbledhje me dyer të mbyllura, me nënkryetarin Toni Gogu, i cili shprehet se drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka bërë kërkesë që mediat të mos jenë të pranishme pasi informacionet që do të ndahen janë të klasifikuara sensitive.
Por, opozita, me kryetarin e Komisionit, Ervin Salianji, shprehet se mbledhja duhet të jetë e hapur për mediat, ndërsa akuzon mazhorancën për frikë nga transparenca.
Debat mes Tonin Gogut dhe Ervin Salianjit:
Salianji: I latë gazetarët të presin pas porte…
Gogu: I nderuar zoti kryetar, të nderuar deputetë, dhe ju qytetarë që na ndiqni, sapo dëshmuat që atë shprehjen që populli shqiptar e thotë aq bukur që ‘ujku qimen e ndërron dhe zakonin se harron’. Zakoni i showt televiziv për ta kthyer këtë komision në gjykatë popullore, mbisundon atë detyrim ligjor që ka gjithsecili nga ne për të zbatuar kushtetutën. Të nderuar gazetarë që sapo keni hyrë, kryetari i këtij komisioni, sapo harroi që në pikën e dytë të rendit të ditës, që mbledhja duhet të jetë e hapur, inskenoi një pretendim me demek këtu është marrë vendim që media të qëndronte jashtë. Këtu u mor një vendim në mbledhjen e kaluar nisur nga kërkesa e ministrit të brendshëm që dispononte informacione sensitive s ai përket një çështjeje që është nën hetim dhe kërkesa e ministrit u administrua nga ky komision dhe u vendos unanimisht që mbledhja të zhvillohej me dyer të mbyllura dhe në prani të deputetëve me certifikatë sigurie. Në vazhdim, pika dy e rendit të ditës është dëgjesa me Rrumbullakun, i cili ka sjellë me shkrim një kërkesë paraprake të cilën kërkon që ky komision ta vlerësojë dhe në zbatim, bëra një kërkesë procedurale, që do të thotë i kërkova këtij komisioni të shqyrtojë kërkesën e Rrumbullakut, i cili thotë; duke qenë se materiali referues përmban të dhëna sensitive…
Salianji: Kanë filluar punë drejtorët në Policinë e Shtetit 20 ditë para se të hapeshin aplikimet, pavarësisht se janë refuzuar. Pavarësisht është në masë arresti, vijon ai të jetë drejtor. Keni kapur këtë elementin e shoë-ut televiziv, këtu, te Rai, te Bildi… Në fakt kjo është katandisja që i keni bërë ju Shqipërisë dhe që po e turpëroni nga dita në ditë. Transparenca than çdo kalbëzim. Ça frike keni nëse nuk ka shkelje? Edhe ju hahet, edhe ju djeg! Thoni që doni ta mbroni paligjshmërinë, ne do e çojmë deri në fund këtë komision, hapur, mbyllur, fshehtas. Nëse doni ta bëjmë në bodrum dhe keni frikë nga drita, ça jemi ne? Lakuriqë nate? Ç’është ky muhabet mo?! Këtu do vendosim bashkë! Tha një propozim nënkryetari i komisionit nga një kërkesë që paskan bërë. Ikën me vrap se mos ishin kamerat herën e kaluar. Ju e njihni këtë fakt prandaj e keni çuar në Këshillin e Rregullores. Si e doni ju ta bëj këtë paligjshmëri, me vullnetin politik?.
Salianji: Ky është manipulim. Lexoje nga fillimi. Nuk të lë
Gogu: Ti ke marrëdhënie të çuditshme me manipulimin, mos më nërprit.
Salianji: Të pavërtetat nuk mund të thuhen këtu. Lexoje nga fillimi.
Gogu: …informacione që lidhen me procedim penal, ndaj presonit nën hetim, informacion i klasifikuar shtetëror dhe policor, kërkon nga komisioni ta vlerësojë nëse komisioni duhet të vijojë me dyer të hapura apo të mbyllura. Kërkon që të zhvillohet me dyer të mbyllura. Ky komision vlerëson përmes votës së çdo anëtari, e kuptoj kulturën politike nga vjen kryetari, por nuk duhet të ndodhë kështu në komisionin tonë, duhet të zbatojmë rregulloren dhe kushtetutën dhe duhet marrë një vendim për kërkesën. Meqë thoni ju keni frikë, fobira e gjithë ato akuza nga gjyqi popullor. Mos vazhdoni t’i vidhni kohë komisionit nga hetimi i kësaj ngjarjeje, hidhni në votim. rregullorja është ajo e cila nën autoritetin e së cilës ne jetojmë. Ky komision vlerëson përmes votimit. Nuk doni ta hidhni në votim, ftojeni drejtorin e policisë dhe pyeteni. Mos e vazhdoni më tutje paligjshmërinë e komisionit, por kërkesën time hidheni në votim në mënyrë që komisioni të përmbushë funksionin.
Salianji: E vlerësoj shumë cilido predikon të mirë, por të predikosh të mbrapshtën, kjo nuk e di… të lexosh mbrapsht është si gënjeshtra me gazetarët. Juve edhe ju hahet edhe ju djeg.
Në debat u përfshinë edhe deputetë të tjerë:
Xhemali Qefalia: Varet si ju e lexoni shkresën…
Ervin Salianji: Parsh e lexojmë, jo mbrapsht!
Xhemali Qefalia: Nëse drejtori i Policisë mendon se mbledhja duhet të jetë e hapur, atëherë po. Pse duhet të bëjmë debat me njëri-tjetrin?!
Ervin Salianji: Gjithçka që është sekret shtetëror ta bëjmë me dyer të mbyllura.
Lefter Gështenja: Edhe dëshmia që dha ministri i Brendshëm nuk kishte asnjë sekret, nuk na u tha ndonjë sekret i klasifikuar. Këtu ishim në komision dhe nuk kishte sekrete. Mendoj se mbledhja duhet të zhvillohet me dyer të hapura, publiku të njihet me atë që ka ndodhur, edhe për hir të transparencës.
Nasip Naço: Dëshmia e Drejtorit të Përgjithshëm përbën sekret, qoftë edhe për atë dëshmitarin tjetër që pret. Pse kërkoni, qoftë edhe pa dashje të shkelni ligjin. Nga dëshmia e drejtorit mund të jepen detaje që mund të ndihmojnë atë dëshmitarin tjetër.
- Me votat e PS-së, Komisioni Hetimor zhvillohet me dyer të mbyllura
Më votat e Partisë Socialiste, u vendos që mbledhja e Komisionit Hetimor për ndërhyrjet në të dhënat e sistemit TIMS, ku do të dëshmojë Drejtori i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, të zhvillohet me dyer të mbyllura.
Tetë ishin votat pro zhvillimit të seancës me dyer të mbyllura dhe 6 vota kundër nga opozita.
“Unë do të hedh në votim kërkesën paraprake që Komisioni Hetimor të vlerësojë që deklarimi të vijojë të jetë i hapur për publikun. 6 pro, kundër ka? Abstenim nuk ka. Shumë mirë. Kush do që mbledhja të të bëhet në terr, njësoj si ndërhyrja në sistemin TIMS në errësirën, natën dhe pa vëmendjen e publikut duke iu fshehur të vërtetave që duhet të jetë transparencë. Kush është pro zhvillimit të mbledhjes me dyer të mbyllura? 8 pro, 6 kundër. Mbylleni. Njësoj si lakuriqët e natës, natën. Duke falënderuar median dhe publikun, ne do të kemi një komunikim më pas. Do të bëjmë 10 minuta pushim”, tha Salianji, kryetar i Komisionit.