Fushata propagandistike “Vjosa Park Kombëtar”, e orkestruar nga qeveria, u diskreditua në Vlorë fundjavën e shkuar, kur një grup banorësh të Labërisë protestuan kundër marrjes së ujit nga burimi i Lepushës, i planifikuar për të furnizuar ujësjellësin e ri të Himarës. Në një sallë me kapacitet disa herë më të vogël, krahasuar me volumin që kërkoi pjesëmarrja faktike, banorët bënë thirrje për ndalimin e punimeve. Përplasja ndodhi gjatë zhvillimit të dëgjesave në kuadër të hartimit të Planit të Menaxhimit të Vjosës, kjo e fundit e shpallur park kombëtar, qysh prej një viti, si i vetmi lumë i egër i madh në Europë.
“Kjo që bëni është krim”, – thirri Lela Qejvani nga Kallarati. “Ujë ka në Dhërmi, ka në Palasë, ka në Himarë; ka në Syrin e Kaltër. Pse merrni ujin e Kuçit? …”Nuk më duhet ku po vete uji, por ju po ma prisni këtu!”, – iu drejtua ajo përfaqësuesve të Administratës Kombëtare të Zonave të Mbrojtura që drejtonin takimin.
Burimi në fjalë shkarkon rreth 200 l/s në Shushicë. Por 70 përqind e prurjeve janë planifikuar të devijohen nga shtrati për t’u transferuar 20 kilometra më tutje në një rezervuar grumbullimi e më pas të shpërndahen për të përmbushur nevojat e fshatrave të Bregut matanë malit dhe një pjesë të mirë të industrisë turistike që ka shpërthyer gjatë dekadës së fundit përgjatë Rivierës. Si një prej degëve kryesore të Vjosës, Shushica është pjesë e Parkut Kombëtar, duke siguruar, të paktën në letër, një mbrojtje të lartë.
“Po ç’park mund të quhet kur i merrni ujin”?, – protestoi në sallë Vladimir Ganaj nga Tërbaçi.
Autoritetet u përpoqën ta shuajnë hovin, duke i ftuar banorët nëpër tryeza të vogla diskutimi, por pa rezultat. Ndonëse të ngarkuar me emocione, banorët nuk u tërhoqën nga kërkesa për të marrë përgjigje të drejtpërdrejt për pyetjet e bëra.
“Jemi duke e ndjekur. Qeveria ka hartuar strategjinë kombëtare të ujit dhe i duhet që të zgjidhë problemin e ujit nëpër territoret e tjera të Shqipërisë”, – iu përgjigj më në fund, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), znj. Daniel Pirushi.
“Ajo nuk është, as çezma juaj, as e imja. Por ju po merrni nga çezma jonë për çezmën e të gjithëve”, i kthehet znj. Qejvani.
Shqipëria është vend me ujëshmëri të lartë: e treta për frymë në Europë. Por kriza për ujë vijon të jetë e pranishme. Ndërkaq, betejat për ujin po shënojnë një situatë të re. Lebërit e Lumit të Vlorës nuk janë të vetmit. Në Zall Çoçaj, mirditorët kundërshtojnë ujësjellësin e Matit; në Kërçisht të Epërm, dibranët protestojnë kundër planeve për kalimin e ujit në Maqellarë.
Në bregdet, shtimi i turistëve të huaj po rrit presionin për furnizimin me ujë të vijës bregore. Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) sapo ka miratuar edhe njëzet projekte të tjera të mëdha turistike. Vëmendja po spostohet drejt turizmit, industria e së cilës ka nevojë për ujë dhe për energji. Vetë energjia ka nevojë për akoma më shumë ujë…
Shumë pak njerëz janë të ndërgjegjshëm se vetëm 0,007 përqind e sasisë së përgjithshme të vlefshme të ujit të ëmbël të planetit, ushqen tetë miliardë banorët e tij. Pjesa tjetër e vlefshme shërben për prodhimin ushqimor, bujqësor dhe industrial.
Por sidoqoftë, kriza e ujit të këtyre banorëve nuk ndodh për shkak të ndryshimeve klimatike, ndonëse rreziqet nga ngrohja janë të mëdha. Kriza e ujit është së pari, krizë politike e shkaktuar, përposh të tjerash, nga mungesa e vizionit të planifikimit urban dhe lëvizjet e pakontrolluara të popullsisë. Nën presionin e ndryshimeve klimatike ajo thellohet edhe më shumë.
Kaluan 30 minutat e para, por gjendja vijoi të ishte e nderë. Një grup i vogël me kombësi të ndryshme, të cilët znj. Pirushi i quajti ekspertë, qëndroi në krye të sallës, në pritje të nisnin diskutimin më të pranishmit. Por situata u bllokua. Njerëzit qëndruan përballë tyre në këmbë me kamerat e ndezura të celularëve dhe regjistruan gjithçka.
Dikur, më të flaktit shpalosën nja banderolë të bardhë ku shkruhej kuq e zi: “Pa lumin e Shushicës, pa Buronjat e Kuçit, Vjosa Park Kombëtar Fallco”.
“Zotërinj, le të mos bëhemi qesharakë! Hiqeni atë banderolën se s’jemi në protestë”, – kërkoi Pirushi nga AKZM. “Shteti ka shpallur mbrojtjen e lumit dhe po tenton ta ruajë. Çfarë mund të zgjidhim ne që në vitin e parë?! Ky është një proces”, – përfundoi ajo.
Ishte pothuajse e pamundur të merrje vetëm një reagim nga salla. Siç ndodh rëndom në të tilla raste, njerëzit flasin në kor. Këtu, lebërit ishin të prerë dhe të palëkundur
“Përse të mos shkojmë e ta shohim në vend situatën, sugjeroi një prej banorëve. Shqipëria është e vogël e mund të ngjitet në këmbë e jo me makinë e me projekte”, – u hodh dikush tjetër.
Ekspertët, shumica e të cilëve ndërkombëtare, nuk po u vinte radha për të folur. Të shpërndarë individualisht, kush i ulur, kush në këmbë, kush i mbështetur mbi ndonjë bordurë dritareje, u përpoqën përmes kufjeve, që të kuptonin sa më shumë nga përkthimi i copëtuar për shkak të kakofonisë. Nga kabina e xhamit, përkthyesi e pati po aq të vështirë që të përcillte mesazhet e banorëve të zemëruar të cilët flisnin njëkohësisht të gjithë. Prefekti i Qarkut, z. Flamur Manaj e kishte lënë sallën në heshtje, ende pa filluar përplasja. Kishte mbetur vetëm znj. Pirushi, së bashku më një tufë reinxhërsash të rinj nga administrata rajonale e zonave të mbrojtura.
Leja për ujin është lëshuar në dhjetor 2021. Por burimi i Lepushës ndodhet brenda territorit të mbrojtur të Ilqeve të Zerecit, një monument natyre që i përket një formacioni të veçantë dushqesh, përherë të gjelbëra, habitatet e të cilit, në rang kombëtar, janë klasifikuar në listën e kuqe të llojeve të rrezikuara. Si i tillë, burimi është i mbrojtur. Ekziston një shpërfillje irracionale ndaj monumenteve të natyrës, kudo në Shqipëri, ndonëse legjislacioni siguron një hapësirë buferike (mbrojtëse) përreth tyre, deri në 200 metra.
Brenda kësaj hapësire zbatohet shkalla e parë e mbrojtjes, e njëjtë me atë të “Rezervës strikte”. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura nuk bëri asnjë vlerësim mbi ndikimin që mund të kishte shndërrimi i asaj hapësire në vepër marrje për ujësjellësin e ri, duke pranuar a priori propozimin e raportit teknik.
Në vendimin e Vlerësimit të Ndikimi në Mjedis (VNM), lëshuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), nuk u përmend që bëhej fjalë për një burim kaq të veçantë uji. Ai u referua teknikisht si Zona Kadastrale 2306, me numër pasurie 73.
Akoma më shumë, banorët u përjashtuan nga dëgjesat publike, pasi AKM urdhëroi indirekt, moskryerjen e tyre, si pjesë e një vendimmarrje arbitrare, ku projektet të cilat i nënshtrohen vlerësimit paraprak të VNM-së (e jo asaj të thelluar) nuk kryejnë dëgjesa me publikun – një interpretim i gabuar ende në fuqi nga ana e agjencisë, që rrit presionin ndaj natyrës.
Pak më herët, në 16 nëntor (2021), e njëjta Agjenci pati miratuar dokumentacionin që mundësonte fillimin e ndërtimit të Kaskadës së Shushicës, një koncesion prej katër hidrocentralesh, përgjatë gjithë rrjedhës së lumit. Akti u konsiderua nga grupet e interesit një pabesi, pasi negociatat për shpalljen e Vjosës dhe të degëve të saj park kombëtar kishin filluar më herët.
Shushica ishte pjesë e negociatave. Por autoritetet u justifikuan se kishte ndodhur një keqkuptim për shkak të ndërrimit të strukturës drejtuese të vetë agjencisë çka kishte sjellë pështjellim në vendimmarrje. Fakt është që kontrata koncensionare për ndërtimin e hidrocentraleve në Shushicë qëndron ende në fuqi, ndonëse ndaj saj është ngritur një padi nga banorët e fshatit Brataj të mbështetur nga EcoAlbania e të tjera organizata.
Por në mars të këtij viti, e tërë Shushica u shpall park kombëtar, si pjesë e një parku më të gjerë: Parku Kombëtar i Ekosistemit Natyror të Lumit Vjosa. Tashmë, 400 kilometra në letër do të mbrohen fizikisht edhe në terren, një premtim i jashtëzakonshëm, në raport me territorin modest që zë Shqipëria në perëndim të rajonit ballkanik. Kësisoj, shpresat për mbrojtjen e burimeve të Luginës së Egër të Vjosës, përfshirë degët e saj të virgjëra (Drinos, Kardhiq, Bënçë, Shushicë), u shtuan.
Por shpallja po ushqen një propagandë të gjelbër prej autoriteteve, e cila synon trushplarjen e publikut. Në fakt, nuk duhet shumë për të kuptuar se ç’fshihet realisht, prapa kësaj propagande, jo aq të sofistikuar. Mjafton të kujtojmë reagimin e Kryeministrit gjatë ceremonisë së shpalljes në Tepelenë, kur u kërkoi publikisht organizatave që ta braktisnin çështjen e aeroportit të Vlorës i cili është duke u ndërtuar në një zonë të mbrojtur, si për ironi, në ekosistemin ligatinor Pish-Poro-Nartë që është pjesë e grykëderdhjes së Vjosës.
Ai përsëriti të njëjtin qëndrim kundërshtues, dy muaj më pas, ku nga ekrani i një televizioni shpërfilli kërkesën e Konventës së Bernës (Shqipëria e ka ratifikuar këtë Konventë), për pezullimin e punimeve të aeroportit në fjalë.
Patagonia, Inc., një korporatë amerikane atipike, fitimet e së cilës ri-investohen për mbrojtjen e planetit, është përfshirë për mbrojtjen e ekosistemit lumor të Vjosës, në mbështetje të Ministrisë së Mjedisit (MTM) në vendimmarrjen për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar. Me mbështetjen e Patagonias u realizua studimi i fizibilitetit, si dhe u paguan rreth 30 ekspertë.
Listës i mungon ekspertiza e mirëfilltë mjedisore, por një numër ekspertësh nga fusha e ekoturizmit e dominojnë atë. Duket një qasje premtuese. Por deri tani, gjysma e territorit të parashikuar, me përjashtim të shtratit përgjatë gjatësisë së lumit, ka mbetur jashtë shpalljes. Ministria ka premtuar se rishikimi i kufijve do të bëhet në një fazë të dytë. Është premtuar se do të bëhet rivlerësimi i zonave speciale të konservimit, përfshirë dhe grykëderdhjen, aty ku po ndërtohet aeroporti.
Sidoqoftë, nuk ka ndonjë garanci, nëse do të ketë një fazë të dytë. Nevojat për zhvillim (përfshirë edhe ndërtimin e kundërshtuar ndërkombëtarisht të aeroportit) mund të përmbushen pa u miratuar zgjerimi i kufijve të Parkut Kombëtar të Vjosës. Eksperienca e qeverisjes, veçanërisht në dy dekadat e fundit e ka provuar këtë hamendim.
Pasi thanë gjithçka që kishin përgatitur, banorët pranuan që të dilnin jashtë në oborr. Organizatorët kishin vendosur tryeza diskutimi, rreth të cilave ngriheshin disa kavaleta ku ekspozoheshin hartat e Parkut.
“Po ku e keni burimin? Nuk e keni të plotë hartën”, – pikasi e para Lela Qejvani nga Kallarati. U kuptua se hartat nuk ishin të plota. Sidoqoftë, situata kishte ndryshuar dhe njerëzit ishin bërë më miqësorë. Lela kërkoi një laps për t’u treguar ekspertëve vendndodhjen e burimit të Lepushës. Ata u treguan të gatshëm, por edhe të lehtësuar.
“Më duket sikur Shushica nuk është park kombëtar. Është fals”, – tha 73-vjeçari Sotir Zavalia nga Brataj. “Në vend që të na ktheni edhe ato burime që na kanë marrë deri tani, ju vazhdoni ende të merrni prej tij”. Nuk mori përgjigje.
Xhek Delf (Jack Delf), me përvojë 25-vjeçare në fushën e turizmit, hartues i strategjive për turizmin në shumë shtete, ishte gjithashtu pjesë e ekspertëve ndërkombëtarë, në cilësinë e ekspertit për turizmin. I ulur në tryezën e tij, ai gjeti më në fund mundësinë t’u shpjegonte të pranishmëve strategjinë që duhej ndjekur për një turizëm të qëndrueshëm.
“S’duhet synuar rritja e numrit të turistëve, por shpenzimet e tyre”, -këshilloi. “Jam i shqetësuar se në këtu suksesi matet nga numri. Të qenit një destinacion i lirë turistik përbën problem” – vijoi. Më pas ai shpjegoi se turizmi kontrollohej nga kompanitë e mëdha turistike të cilat zotëronin rrjete të mëdha hotelesh, si Hyatt, Sheraton, Regency etj, por vetëm 12 përqind e shpenzimeve i mbetej komunitetit. Duke krahasuar të dhënat me turizmin e aventurës, eksperti u shpreh në favor të këtij të fundit, ku komunitetit i mbetej 65 përqind e shpenzimeve.
“Vendet me natyrë të bukur dhe me diversitet kulturor janë të pakta në botë, ndaj kërkesa për to po shtohet. Kjo do të thotë që ju duhet të rrisim çmimet”, – rekomandoi ai.
Në Shqipëri, autoritetet nuk e përmbajnë entuziazmin për shifrat. Natyrisht, shumica e qeverive do të silleshin në mënyrë të ngjashme. Por shifrat mund të arrihen edhe nëse nuk ke fare qeveri. Por të synosh ndryshimin e cilësisë së turistëve dhe jo inkurajimin për më shumë turistë, kërkon një vizion dhe një strategji të orientuar. Të nxitësh dhe të ushqesh me burime të sforcuara turizmin e resorteve të rezidencave private do të thotë që t’i shndërrosh komunitetet bregdetare në kamerierë të këtyre strukturave. Përkundrazi, ekoturizmi dhe i tërë spektri i tij i gjelbër, po bëhet një turizëm i kushtueshëm, por edhe më i preferueshëm. Kësisoj, anëtarët e komuniteteve mund të shndërroheshin lehtësisht në pronarë dhe në menaxherë të bizneseve dhe të burimeve të tyre. Në këtë mënyrë nuk do t’ua shisnin tokat të huajve, por do të vazhdonin të qëndronin pranë trojeve dhe do të ishin akoma më shumë të motivuar për t’i mbrojtur ato nga çdo përpjekje e qeverive të ardhshme.
Takimi u mbyll pas pak. Ishte takimi i katërt që shënonte fundin e ciklit të dëgjesave për Vjosën. U tentua të promovohej një model diskutimi emancipues, ku palët do të shpërndaheshin rreth tryezave në grupe të vogla, në një format të përshtatshëm në varësi të nevojave të palëve. Por revolta e banorëve i ndryshoi planet. Ajo tregoi të vërtetën që fshihet pas fasadës estetike të organizimit që mbrojtja në terren dhe ajo në letër nuk kanë përputhshmëri.
Kur do të zbresë mbrojtja në terren? Askush nuk mund ta pohojë këtë. Sidoqoftë, një gjë e dimë me siguri: se sa të pasigurta janë fitoret mjedisore, kur çështja dhe interesat e komunitetit konfiskohen nga qeveria.
Për aq kohë që Vjosa Park Kombëtar është ende në letër, beteja për të nuk ka përfunduar…
/Citizens Channel