Dëmi i fundit që “pakica Basha” po i bën PD-së

Nga Andi Bushati

Kohët e fundit, më ka qëlluar shpesh në debatet ku kam marrë pjesë të ngërthehem në një diskutim absurd: Kush e ka shumicën në PD, Basha apo Berisha? Në studiot tona televizive, pavarësisht nga realiteti në terren, të dyja palëve i jepet e njëjta hapsirë dhe të ftuartit ndahen zakonisht në ata që mbështesin foltoren dhe të tjerët që hidhen në zjarr për PD-në zyrtare. Gjithçka duket sikur do luhet në një garë me foto finish, sikur palët kanë të njëjtin numër mbështetësish dhe sikur ende publiku nuk e ka kuptuar se kush e dominon partinë.

Më kot jam rekur, herë pas here, ti jap debateve një rjedhë të ndryshme. Të them se tashmë gjithkush e di se, për të mirë apo për të keq, PD po rezulton si parti e Berishës, se masiviteti i foltoreve e vërtetoi këtë, se anketat e opinionit na kanë dhënë një mendim të qartë se cilin përkrahin militantët, se shfaqja publike e delegatëve që kanë thirrur 11 dhjetorin ka vulosur përfundimisht gjithçka. Debati kthehet sërish në procedurat burokratike të statutit, në ndonjë emër periferik që s’dihet nëse ka nënshkruar apo jo dhe në pyetjen fatale: kush i ka bravat edhe vulën.

Si dikush që nuk është një mbështetës i PD-së, aq më pak i Berishës apo Bashës, e gjitha kjo më është dukur shpesh një komedi. Një nga ato hipokrizitë e të qenit politikisht korrekt që shpesh i bëjnë debatet tona televizive të pa besueshme dhe krejt të shkëputura nga ajo që ndjen dhe do publiku.

Duke e parë atë që po ndodh në gjirin e partisë më të madhe të së djathtës me syrin e reflektimit që kjo betejë përçon mbi skenën politike shqiptare, mbi fatet e opozitarizmit dhe mbi të gjitha, në funksion të përballjes me klikën kleptokratike të Ramës, mendoj se qasja duhet të ishte krejt e ndryshme.

Diskutimi nuk duhej të zhvillohej më rreth faktit tashmë ulëritës, nëse Berisha është shumicë apo jo, por, në të kundërt pse kemi arritur deri këtu dhe se ç’do të thotë kjo për të nesërmen.

Për këtë ka disa dilema që janë më pranë realitetit.

Si është e mundur që edhe pse tetë vite pas largimit nga drejtimi, madje pasi i bëri PD-së dhuratën më të helmuar, duke i imponuar në rrugë anti demokratike Bashën, Berisha mbetet kaq popullor mes demokratëve?

Si spjegohet që ndonëse i shpallur non grata nga SHBA, ai ka ndezur motorrët e një lëvizjeje të gjërë, që për herë të parë nuk ka frikë të shigjetojë në aulat e saj edhe ambasadoren amerikane edhe të deklarojë se do e heqin nga vatrat e tyre flamurin e vendit të saj?

Si duhet arsyetuar fakti se ndonëse u thotë se nuk e kishte njohur realisht birin e tij plangprishës, se nuk ia kishte pranuar eleminimet anti demokratike në krye të partisë, se nuk ia kishte toleruar humbjet elektorale, militantët sërisht e besojnë?

Si duhen kuptuar duartrokitjet idiote kur idhulli i tyre i thotë se Basha qenkesh i kapur me dosjen e Nik Muzinit dhe Tyota Yaris dhe se ai vetë, vetëm tani, qenkësh vënë në djeni të këtyre fakteve të rënda?

Të gjitha çështjet e mësipërme të bëjnë të mendosh se shumica e antarësisë së PD kërkon një lider absolut, një patriark që nuk vihet në diskutim, një njeri që i emocionon pa i bërë të mendojnë, një prijës kalorsiak dhe jo një udhëheqës normal të përshtatshëm me një sistem të hapur demokratik. Por thënë këtë, pak kush e shtron për debat frikën, se me një profil të tillë drejtuesi është pothuasje i pazbatueshëm projekti i demokratizimit të partisë që ai vetë propozon. Foltorja, që në pamje të parë duket sikur propozon rritje të kontrollit të bazës mbi kryetarin, në fakt po prodhon një nënshtrim total të antarësisë ndaj njëshit.

LEXO EDHE  I dënuar me 8 vjet burg në Itali, arrestohet 45-vjeçari me dy emra

Por, përveç këtyre paqartësive që lidhen me të ardhmen e ngushtë të PD-së ka edhe të tjera që riskojnë të prekin të gjithë shqiptarët. A është një opozitë krejtësisht e dominuar nga ish kryeministri i viteve 2005-2013 e aftë të konkurojë Edi Ramën? A i flet dot Berisha, përpos të vetve, edhe elektoratit gri, që gjithmonë ka pasur një marëdhënie të vështirë me figurën e tij? A mund të drejtohet opozita nga një lider i shpallur, qoftë dhe pa të drejtë, “non grata” nga SHBA?

I gjithë ky bagazh dilemash reale është zëvendësuar në realitetin e trishtë të debatit tonë publik me hamendësimet se a ka bazë mbajtja e formularëve në kasafortë, apo ato duhen dorëzuar në protokoll; nëse kongresi i PD mblidhet dot nga poshtë, apo duhet kontrolluar edhe nga burokratët e partisë lart; nëse mbi kartat e delegatëve të 11 dhjetorit duhet shtypur sigla e PD-së, apo ato fletushka shkelin normat e privacisë.

Në këtë varfërim të pështirë të debatit politik, në këtë rrokullisje pas cic miceve pa të nesërme, peshën totale të fajit e kanë Basha dhe mbështetësit e tij. Ata fatkeqësisht e kanë ngritur të gjithë premisën e luftës së tyre politike mbi një fakt të paqenë, mbi sjelljen si shumicë, ndërkohë që janë një minorance tragjike. Dhe pikërisht për këtë kanë hequr dorë nga debati i ideve për tu kacavjerrë pas teknikaliteteve. Lideri i PD-së zyrtare ka zgjedhur edhe ndaj Berishës të njëjtën qasje anekdodike që adopton prej vitesh edhe ndaj Ramës, atë se ai fiton edhe kur humbet.

Por, barcaleta e të mundurit që del më i fortë pas disfatës do të ketë pasoja tragjike për të ardhmen e PD-së. Sepse duke mos pranuar realitetin e të qenit pakicë, Basha dhe ata që i shkojnë nga pas, kanë dorëzuar armët që të jep statusi i minorancës. Ato të kontrollit ndaj shumicës, ato të kritikës mbi fluksin e foltores, ato të hapjes së debatit dhe zbulimit të shkaqeve për një parti që po rreshtohet në mënyrë të pa imagjinueshmë pas një njeriu të vetëm.

Duke u sjellë në mënyrë hipokrite, Basha dhe të tijët e humbën dhe mundësinë për të bërë rolin e fraksionit. Duke mos e parë realitetin në sy, duke e trajtuar foltorën si diçka pa vlerë, pa peshë dhe pa numra, ata hoqën dorë nga detyrimi për të bërë kontestimin e aksionit të saj.

Ata imponuan në debatin politik një fabul fallco që e privoi publikun jashtë mureve të selisë nga e drejta për të kristalizuar një opozicion ideor ndaj foltores. Duke u përqëndruar tek bravat, tek kartat dhe tek reportazhet e përgjysmuara të Fiks Fare, ata i hapën Berishës një autostradë pa pengesa. Pikërisht ky qe me sa duket dëmi i fundit që kjo pakicë i bëri PD-së.

/Lapsi.al/