VIDEO/ Fermerët e Myzeqesë sërish në protestë, 6 kërkesat që kanë

Fermerët e Myzeqesë kanë dalë në një protestë-marshim këtë të Hënë, me pikënisje nga vendi i quajtur “Rotondo e Plastmasit” deri para bashkisë së Lushnjës.

Qëllimi i protestës, sipas Sindikatës së Fermerëve të Bashkuar, është të sensibilizojë qeverinë dhe opinion publik në lidhje me ndryshimet e paketës fiskale për vitin 2022 në fushën e bujqësisë.

Dhjetra fermerë të zonës marshuan nga bulevardi kryesor i qytetit drejt bashkisë me pankarta “pa fermerët s’ka ushqim” dhe thirrje për qeverinë që të plotësojë kërkesat e tyre. Ata lanë gjithashtu arka me domate, kastravecë dhe specë në rrugë nën shënimin “dhuratë nga fermerët dhe ekspotuesit për qytetarët e Lushnjes. Produkte për eksport”.

Fermerët kanë parashtruar gjashtë kërkesa.

Megjithatë, në seancën e sotme plenare, kryeministri Edi Rama la të kuptohet se nuk do të ketë ndryshime në paketën fiskale për Bujqësinë.

Çështjen e preku dhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i cili tha se fermerët dhe blegtorët kërkojnë mbështetje serioze, por përgjigjen e vetme që marrin nga qeveria është dhuna policore për të shuar protestat e tyre të drejta. Ndërsa deputeti demokrat i Lushnjes Saimir Korreshi iu bashkua protestës.

LEXO EDHE  Përmbytet Shkodra, administratori i njësisë ‘Ana e Malit’: Situatën e dimë më mirë se Peleshi, banorët s'janë dëmshpërblyer nga hera e fundit

Për protestën e fermerëve reagoi dhe Presidenti Ilir Meta, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale, apeloi për dialog mes qeverisë dhe fermerëve për të marrë parasysh kërkesat e këtyre të fundit në paketën e re fiskale për bujqësinë.

Fermerë e Myzeqesë protestuan edhe të Premten e kaluar, kur patën edhe përplasje me policinë.

Kërkesat e fermerëve:

1- Të subvencionet direkt fermeri jo më pak se 10 lekë për kilogram, të pasqyruar në faturë tatimore.

2-Eksportuesit kërkojnë 3 lekë të reja për kilogram, të jepen direkt nga drejtoria e doganave pa procedura burokratike.

3- Barazimi i TVSH-së shitje me TVSH-në e blerjes.

4- Masa e planifikuar në paketën fiskale për vitin 2022 për të shtuar 10% TVSH-në e imputeve bujqësore të pezullohet.

5-Qeveria të marrë masa për të kontrolluar cilësinë e produkteve bujqësore, të ngrejë laboratore të akredituara të cilat të jenë të aksesueshme nga kushdo.

6- Të rregullohet me ligj marrëdhëniet tregtare në sektorin e bujqësisë midis fermerit dhe tregtarëve të këqinj të cilët nuk paguajnë faturën në kohë.