Basha: Buxheti 2022 për oborrtarët e zakonshëm, 6 oligarkë marrin 113 mln euro

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha kritikoi buxhetin për vitin 2022, duke e quajtur një buxhet të përshtatur për klientët oligarkë të qeverisë.

“Kërkojnë ta vendosin buxhetin e shtetit në funksion të klientëve të qeverisë përmes PP-ve që bëjnë motin e mirë e të keq në vend”, u shpreh Basha nga foltorja e Kuvendit, ku këtë të Hënë diskutohet projektligji për buxhetin e vitit 2022.

Basha tha se gjatë viteve të qeverisjes së kryeministrit Edi Rama, çmimet janë rritur, ndërsa rritja e pagave dhe pensioneve parashikohet e vobektë. Kryedemokrati tha se shqiptarët janë zhytur në varfëri.

“Deri më tani, plani kryesor që keni bërë të ditur është hapja e thesit për të dyshuarit e zakonshëm, oborrtarët e koncesioneve. Ndërsa radhët e gjatë të njerëzve në vështirësi ekonomike, që përballen me pamundësinë për të shtruar sofrën për veten dhe fëmijët e tyre. Të atyre që përditë shënojnë emrat në listat e pafundme të borxheve nëpër ushqimoret e Shqipërisë, mbeten të braktisurit e mëdhenj, sepse asgjë nuk është parashikuar për ta. Sepse po menduat për ta, rrezikoni që vitin e ardhshëm të mos jepni dot 113 milionë euro për PPP-të e klientëve tuaj. Një shifër 5 herë më e lartë se fondi i parashikuar për indeksimin e pensioneve, ose 3 herë me e lartë se fondet vjetore që ndahen për ndihmën ekonomike për familjet në nevojë. Do ti marrim ata oligarkë vitin e ardhshëm përmes këtij projekt buxheti”, u shpreh Basha.

Kryetari i PD tha se qeveria e ka shndërruar ekonominë në “putiniste, e përqendruar në pak duar”.

“E ndonëse qeverisni këtë vend prej 8 vitesh, gjysmën e të cilave të vetëm, pyetjet për çështjet kryesore që shqetësojnë shqiptarët I keni lënë pa përgjigjje. Sepse ndonëse keni marrë më shumë borxh se të gjitha qeveritë e mëparshme të bëra bashkë, keni rritur taksat dhe tarifat më lart se kurrë më parë në historinë e këtij vendi që nga Tanzimati, nuk keni ditur t’i ktheni miliardat që keni keqmenaxhuar as në mirëqënie për qytetarët, as në paga dhe pensione më të larta dhe të dinjitetshme, as në përmirësimin e produktivitetit të sipërmarrjeve. Përkundrazi. Miliardat që keni marrë borxh në emër të shqiptarëve, taksat që keni rritur për të financuar makutërinë tuaj, kanë shërbyer për ndërtimin e një ekonomie të përqëndruar në pak duar. Me shtetin e përdorur si punëdhënës patronazhistësh dhe i pak oligarkëve, me të cilët keni vrarë konkurencën e lirë, keni ndrydhur zhvillimin ekonomik, keni penguar investimet e huaja. E keni bërë Shqipërinë një vend nga i cili largohen të rinjtë e të rejat, largohen profesionistët dhe forca prodhuese e shoqërisë”, u shpreh ai.

LEXO EDHE  E RËNDË/ Vetëvaret shqiptari në burgun grek

Basha u shpreh se vendi po plaket me shpejtësi marramendëse. Rritja e numrit të të moshuarve po shoqërohet me emigrimin e familjeve të reja dhe me normat më të ulëta të lindshmërisë në vend, shtoi ai.

Fermerët

Basha foli dhe për kërkesat e fermerëve, që kundërshtuan paketën për Bujqësinë. Ai tha se fermerët dhe blegtorët kërkojnë mbështetje serioze, por akuoi qeverinë se përgjigjen e vetme kanë dhunën policore për të shuar protestat e tyre të drejta.

“Bujqësia, që jep gati 20% të prodhimit të brendshëm bruto, merr në këmbim mbështetjen më të ulët në krahasim me vendet e rajonit. Duke i bërë jo konkuruese produketet tona. Duke i shkatërruar fermerët tanë. Dhe ndërkohë që fermerët dhe blegtorët kërkojnë mbështetje serioze, përgjigjen e vetme keni dhunën policore për të shuar protestën e tyre të drejtë. Edhe tani që flasim, fermerët janë në rrugë për të drejtat e tyre, për mbijetesën e tyre, për të marrë atë që kolegët e tyre në rajon e gëzojnë cdo ditë, nga qeveri që mbështesin bujqësinë, që u shpërblejnë mundin dhe sakrificën me të cilën kontribuojnë në ekonomi. Brenga, dëshpërimi dhe zemërata e tyre janë të përligjura, sepse ata detyrohen të flakin produket e tyre, detyrohen të emigrojnë, të punojnë tokat e vendeve fqinjë, sepse paratë e taksave që ju shpërdoroni, nuk shkojnë për ta”, tha Basha.

Lexo edhe:

VIDEO/ Basha: 52 mln euro për shpenzimet e luksit të qeveritarëve, ekonomi putiniste