Izraeli dhe Libani kanë rifilluar bisedimet e paqes në Romë, ndërsa mbetet e paqartë nëse armëpushimi mes palëve do të zgjasë, në një kohë kur tensionet mes Iranit dhe SHBA-së janë përshkallëzuar sërish.
Qeveria libaneze synon të sigurojë tërheqjen e forcave izraelite nga Libani jugor, ndërsa Izraeli këmbëngul se do të vijojë të mbajë nën kontroll një “zonë tampon”, të cilën e konsideron të nevojshme për sigurinë e vendbanimeve të tij në veri.
Sipas mediave ndërkombëtare, zyrtarë iranianë i kanë bërë të ditur Hezbollahut se nuk do të mbështesin një marrëveshje përfundimtare paqeje pa tërheqjen e Izraelit nga kjo zonë.
Nga ana tjetër, një zyrtar libanez ka deklaruar se Bejruti do të propozojë një plan me “zona pilote”, që parashikon çarmatimin gradual të Hezbollahut, tërheqjen e forcave izraelite dhe vendosjen e ushtrisë libaneze në zonat e liruara.
Megjithatë, analistët vlerësojnë se armëpushimi mbetet i brishtë për shkak të zhvillimeve të fundit në rajon. Sipas analistit ushtarak Michael Clarke, zgjedhjet e ardhshme në Izrael mund të ndikojnë në vendimet e qeverisë së Benjamin Netanyahut për të shmangur një përshkallëzim të ri të konfliktit.
“Luftëra të tjera në Liban nuk do të sillnin shumë përfitime. Për momentin, Netanyahu duket më i fokusuar te pasojat e brendshme politike sesa te vetë lufta“, vlerëson Clarke.













