Deklaratat e Ramës për prokurimet/ Kreu i Dhomës Amerikane: Tenderat të bëhen njëherë e përgjithmonë me kritere të qarta!

Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, ndodhet prej disa ditësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për takime me zyrtarë amerikanë, por edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar.

Në intervistë për Zërin e Amerikës, Jaço ka folur për zhvillimet në Shqipëri, si dhe klimën e biznesit, ku një nga pyetjet ishte për deklaratat e fundit të kryeministrit Edi Rama në lidhje me abuzimet me tenderat publikë.

Zëri i Amerikës: Dhoma Amerikane ka publikuar së fundmi “Axhendën e Investimeve”, një raport me 40 rekomandime për klimën e biznesit në vend. Cili është synimi i këtyre rekomandimeve dhe sa shpresoni se ato do të merren parasysh nga autoritetet shqiptare?

Enio Jaço: Dhoma Amerikane ka pasur një diskutim të gjatë në lidhje me “Axhendën e Investimeve” dhe tani ka ardhur koha që të veprojmë. Të gjitha palët duhet të veprojnë dhe ky është edhe qëllimi kryesor i rekomandimeve. Pra, duhet të shkojmë nga ndërgjegjësimi në aksion. Nga reagimet e para që kemi pasur, si nga opozita ashtu edhe nga qeveria mendoj se do kemi një përqasje pozitive ndaj këtyre rekomandimeve.

Zëri Amerikës: Një ndër problemet, veçanërisht për sipërmarrësit e huaj është gara publike dhe dyshimet se në një pjesë të mirë të rasteve fituesi është i paracaktuar. Kryeministri Rama para pak ditësh në dy takime të ndryshme ka folur me tone kritike. Si i shihni ju deklaratat e zotit Rama duke marrë parasysh se ai qeveris vendin prej tetë vitesh dhe ka pasur të gjitha mekanizmat për të ndërhyrë?

Enio Jaço: Mendoj se deklaratat janë pozitive. Ndërgjegjësimi është shumë i rëndësishëm për të gjithë ne, gjithashtu është i rëndësishëm për publikun, duhet t’i kuptojnë të gjithë problemet që ne kemi me prokurimet publike. Por nga ana tjetër, deklaratat nuk janë të mjaftueshme. Bashkë me deklaratat, nga sa kemi ndjekur në media, unë me kënaqësi kam vënë re se, ka një dëshirë për të përgatitur një legjislacon të ri, i cili do të konsiderojë përmirësime të ndjeshme në fushën e prokurimeve publike. Ne nuk jemi konsultuar me këtë legjislacion, kështu që unë nuk mund të flas me detaje për cilësinë e këtyre ndryshimeve, por janë dy elementë që ne nuk i kemi vënë re. E para, është transparenca. Është shumë e rëndësishme që Prokurimet Publike njëherë e përgjithmonë të bëhen me kritere të qarta, transparente, me kritere Open Data. Dhe e dyta shumë e rëndësishme, është të kemi “eliminimin e përjashtimeve”, sepse kemi shumë raste që nuk shkojnë përmes standardeve të procesit të prokurimit publik por shkojnë përmes rasteve speciale. Nëse kemi këto dy elemente, unë mendoj se është një fillim shumë i mirë.

LEXO EDHE  Dhu*oi gruan, arrestohet 43-vjeçari në Lezhë

Zëri i Amerikës: Shqipëria është një vend i vogël për të qenë tërheqës për kompanitë e mëdha amerikane, megjithatë gjtë këtij viti kemi dy kompani të fuqishme që kanë hyrë në fushën e gazit dhe ndërtimiit të Hidrocentralit të Skavicës. Sa është Shqipëria e gatshme për të qenë tërheqëse për investimet amerikane?

Enio Jaço: Mendoj se të dyja këto investime janë shumë të mëdha për Shqipërinë, krijojnë oportunitete të tjera të rëndësishme. Kemi të gjitha shanset për të menduar se këto do të jenë dy investime shumë të rëndësishme, që do i hapin rrugën investimeve të tjera. Në këtë sens, duhet të jenë të qartë të gjithë për potencialin që Shqipëria ka për të tërhequr investime të tilla apo të tjera edhe më të vogla. Por ajo që është e rëndësishme, këto dy investime kanë pasur përfshirjen direkte të qeverisë shqiptare dhe ambasadës amerikane në Shqipëri. Që do të thotë, jo të gjitha investimet mund të ndodhin me një përfshirje të nivelit kaq të lartë. Pra, është shumë e rëndësishme që ne të përmbushim kriteret, ku ne të krijojmë një klimë ku investimet do ndodhin në mënyrë të pavarur, ato që ne i quajmë investime organike. Në këtë aspekt, Shqipëria ka shumë për të bërë, jemi në një proces i cili sapo ka filluar dhe shpresojmë që do ecim sa më mirë por kemi shumë punë për të bërë.

Zëri i Amerikës: Pyetja e fundit, një shtet ligjor funksional është siguri për investitorët, Shqipëria vuan në këtë aspekt, dhe Reforma në Drejtësi është parë si një mundësi për ta ndryshuar atë megjithatë besimi i bizneseve mbetet i ulët. A shihen veprimet e fundit të Prokurorisë së Posaçme SPAK, si një sinjal shpresë për të pasur këtë ndryshim?

Enio Jaço: Personalisht, në mënyrë të qartë mendoj që po. Megjithatë, unë gjithashtu e kuptoj shumë mirë që publiku shqiptar ka një lloj skepticizmi dhe është normale. Shqipëria është një vend, i cili nuk ka një traditë me institucione të fuqishme publike që të ketë besim dhe do marrë një kohë të gjatë derisa të arrijë në një pikë të tillë dhe atëherë do jemi vertetë në gjendje për të gjykuar nëse ajo që po bën SPAK-u tani do jetë në nivel afatgjatë shumë pozitive. Personalisht shikoj shenja pozitive. Do na duhet të kemi durim dhe të shikojmë edhe më gjatë sepse është vetëm fillimi.

Zëri i Amerikës: Ju falenderoj z.Jaço për këtë intervistë dhe ju uroj suekse për vizitën tuaj këtu në Washington. /VOA