Koronavirusi/ Muka: Shqipëria e papërgatitur për variantin ‘Delta’

Në lidhje të drejtëpërdrejtë me edicionin e pasdites në Syri Tv, eksperti i shëndetësisë, Taulant Muka tha ndër të tjera se Shqipëria është ende e papërgatitur për variantin Delta.

Ndërsa qeveria nuk ka bërë ende studime serologjike për të parë prezencën e virusit.

‘Unë nuk besoj se Shqipëria ka shans ti mbijetojë përhapjes se një varianti që po shikohet në të gjithë Evropën.

Për më tepër që Shqipëia i ka të hapur kufijtë.

Është shumë herët për të thënë se cili do të jetë një impakt i mundshëm i këtij varianti nëse përhapet në mënyrë të lartë në vendin tonë.

Shqipëria mund të ketë arritur një përqindje të infektimit të lartë të popullatës, nëse ne shikojmë vdekshmërinë totale.

Në këtë kontekst shumë studime, imuniteti natyral mund të jetë aq potent sa edhe vaksinë, në mos më shumë.

Do jetë interesante për të parë se si do të sillen variantet e reja në Shqipëri.

Pra se sa imuniteti natyal është krijuar në Shqipëri dhe do i mbijetojë varianteve që po shikohen në popullata evropiane ku në fakt imuniteti është arritur kryesisht nëpërmjet vaksinës.

Në Shqipëri ka një anë pozutive, që është koha e mirë, që nuk e shikojmë në Hollandë, Britani, apo Zvicër ku unë jetoj.

LEXO EDHE  COVID-19 në Shqipëri, si u katërfishuan rastet dhe u zgjerua harta e shpërndarjes

Të dhënat paraprake që kemi është që ky variant është më shumë  i transmetueshëm.

Nuk ka studime për impaktin për vdekshmërinë dhe shtrimet spitalore, por ajo që shikojmë në Britani, ku shikojmë një përqindje të lartë të prezencës së virusit dhe një rritje të rasteve, shikojmë që ka një diferencë midis rasteve të shtuara dhe shtrimeve spitalore, që nuk e kishim parë më parë.

Kjo do të thotë që vaksinimi së bashku me imunitetin po funksionojnë.

Vaksinat kanë treguar që janë efikase në parandalimin e shtrimeve spitalore dhe vdekshmërinë.

Fatkeqësia në vendin tonë është që nuk kemi studime serologike për të kërkuar se ku jemi me prezencën e infeksionit në popullatë.

Po të shikojmë vdekshmërinë totale, do shikojmë që nuk kemi rritje vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe.

Qeveria duhet të fillojë të bëjë testime për të kuptuar se ku është me imunitetin e tufës, për të marrë masa për përballimin e situatës në vjeshtë.

Vaksina duhet thënë që nuk ka efekt 100 përqind. Doza e tretë do të jetë e mundur vetëm nëse do të jetë e nevojshme.

Mungojnë studimet për vaksinë kineze, nuk kemi të dhëna.

Vaksinat e tjera të certifikuara kanë treguar që janë efikase.’