Prokurori i Elbasanit, Alfred Shehu përballet me vetingun

Nga Vladimir Karaj/ BIRN

Prokurori i Elbasanit, Alfred Shehu pati një seancë të shkurtër dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit të martën.

Trupa që hetoi rastin e kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Etleda Çiftja dhe anëtar Roland Ilia vuri në dukje se Shehut i ishte kaluar barrë prove për një bilanc negativ prej 129 mijë lekësh në një transaksion mes anëtarëve të familjes dhe një tjetër prej 1.4 milion lekësh lidhur me blerjen e një shtëpie në vitin 2013.

Gjithashtu, KPK tha se kishte kaluar barrë prove për një rast të shkeljes së afatit për njoftimin e një vendimi mosfillimi hetimesh. Komisioni tha se kishte rrëzuar ndërkohë një raport negativ të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar mbi figurën e Shehut, pasi të dhënat e referuara prej këtij institucioni “nuk përputheshin” me ato që KPK kishte gjetur në dosjen penale.

Shehu foli gjithashtu shkurt në seancë. Ai tha se bilanci negativ vinte nga mosllogaritja prej KPK-së e 700 mijë lekëve që ishin deklaruar si kursime në fund të vitit 2012 dhe nga të ardhurat e nënës së tij, të cilat ai tha se ajo i kishte mbajtur veçmas. Shehu kundërshtoi edhe barrën për shkelje të procedurës, ndërsa shpjegoi se çështja nuk ishte regjistruar ditën e kallëzimit, por disa ditë më vonë.

Alfred Shehu e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe ka punuar fillimisht si prokuror në Prokurorinë e Gramshit. Prej vitit 2007, Shehu e ushtron funksionin në Prokurorinë e Elbasanit. Shehu po heton aktualisht një nga konfliktet më të diskutueshme të situatës parazgjedhore në Elbasan, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.

Relatorja e çështjes, Etleda Çiftja veçoi në kriterin e pasurisë tre veprime të Shehut në të cilat Komisioni kishte gjetur probleme. Veprimi i parë ishte një mungesë burimesh prej 129 mijë lekësh, për të blerë pjesën takuese të motrave në shtëpinë e prindërve lënë trashëgim nga babai.

Shehu tha në Komision se në këtë transaksion ishte përfshirë nëna e tij dhe se kjo e fundit kishte vendosur po ashtu kursime të vetat me të cilat ishin paguar motrat. Shehu tha se pas formalizimit të kontratës, motrat ia kishin kthyer pas paratë dhe se këto po ashtu ishin menaxhuar nga e ëma.

Relatorja vuri në dukje se shitja e kësaj shtëpie dhe një shumë prej 2 milionë lekësh me burim kursimet ishin deklaruar si burim për blerjen e një apartamenti në Elbasan. Çiftja vuri në dukje se nga hetimi i KPK-së kishte rezultuar se Shehut i kishte munguar në këtë pikë një shumë prej 1.4 milion lekësh.

Në përgjigje të kësaj barre prove, Shehu tha se Komisioni nuk kishte marrë parasysh një shumë prej 700 mijë lekësh të deklaruar si kursim në vitin 2012. Po ashtu ai ritheksoi se nëna e cila jetonte me të dhe kishte kursimet e saj kishte financuar pjesën tjetër, që KPK e cilësonte mungesë.

Vetë KPK nuk qe e qartë në relatimin e problemeve të pasurisë. Në kontradiktë nga sa ishte thënë në pjesën e parë të relatimit mbi mungesën e burimeve, Çiftja tha në fund se nga analiza financiare për vitet 2000 deri në 2016 nuk ishin gjetur probleme.

“Rezultoi se ka pasur të ardhura të ligjshme”, tha ajo.

Çiftja kërkoi gjithashtu detaje mbi një makinë “Alfa Romeo” dhe e pyeti Shehun në seancë mbi marrëdhënien e tij me makinën që ai e kishte pasur në përdorim. Shehu tha se ai i jepte rrallë makinës dhe vetëm në raste emergjence, ndërsa tha se makina ishte e kunatit. Ai tha se polica e sigurimit për të ishte prerë për ato raste të rralla kur i nevojitet.

Shehu nuk u gjet me probleme në kriterin e figurës edhe pse ndaj tij pati një raport negativ nga DSIK. Çiftja tha se Komisioni hetoi për dosjen në të cilën pretendohej se Shehu kishte kryer shpërdorim detyre dhe i rezultoi që informacioni i përcjellë nga DSIK nuk ishte i saktë.

“Komisioni gjeti se të dhënat nga organet ligjzbatues nuk përputhen me ato në dosjen penale,” tha Çiftja.

Ndërkohë dy kallëzime penale ndaj Shehut u përmendën në seancë së bashku me vendimin e Prokurorisë së Tiranës për të vendosur mosfillimin e tyre. Disa denoncime kryesisht për mos fillim apo pushim hetimesh ndaj Shehut dhe një grupi prokurorësh u gjetën nga KPK pa indicie për të hetuar më tej dhe pa shkelje të subjektit.

Në fund të seancës, Shehu kërkoi të konfirmohej në detyrë. Seanca u caktua me 20 maj, në orën 9.45.