Pasuria/ Pas shkarkimit të Gent Osmanit, ONM rekomandon ankim për bashkëshorten, gjyqtaren Marinela Osmani

Nga Boldnews.al

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit rekomandon ankimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të magjistrates Marinela Osmani (Nuni), duke ngritur pikëpyetje mbi kriterin e pasurisë.

Gjyqtarja e Tiranës, Osmani, e cila është komanduar si këshilltare në Këshillin e Lartë Gjyqësor, u konfirmua në detyrë në 11 shkurt 2021 dhe vendimi u zbardh të Enjten e kësaj jave (22.04).

Në të njëjtën ditë, vëzhguesit ndërkombëtarë i drejtuan Komisionerit Publik rekomandimin për dërgimin e çështjes për shqyrtim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Në foto: ONM kërkon ankimimin e vendimit të konfirmimit të magjistrates Marinela Osmani

Sipas Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, trupa e shkallës së dytë e Vetingut duhet të rivlerësojë faktet mbi mungesën e burimeve financiare të gjyqtares për krijimin e pasurive.

Rast atipik

Rasti i gjyqtares Marinela Osmani është atipik në procësin e Vetingut. Më herët, institucionet e Vetingut kanë kryer rivlerësimin e bashkëshortit të saj, ish-prokurorit të Krimeve të Rënda dhe më tej ish-anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gentian Osmani.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në një vendim më të hershëm, konfirmoi në detyrë Gentian Osmanin, me një vendim kontrovers dhe që pati dyshime se u mor nën ndikim politik, pas përfshirjes së tij në hetimet dhe penalizimin e personave që denoncuan përfshirjen në trafik të Agron (Geron) Xhafaj, vëllait të ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafaj.

Megjithatë, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi shkarkimin e tij nga detyra, për probleme me pasurinë, të cilën e ka të përbashkët me bashkëshorten, gjyqtaren Marinela Osmani (Nuni).

Në foto: Vendimi i KPA për shkarkimin e ish-prokurorit Gentian Osmani

Përballë këtyre rrethanave, gjyqtarja Osmani kërkoi nga trupa e Vetingut që të konsideronte si “res judicata” (gjë të gjykuar) kriterin e pasurisë së saj, përsa kohë ajo ishte marrë në shqyrtim në rastin e bashkëshortit në të dy shkallët e Vetingut.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në vendimin e zbardhur, ka arritur në konkluzionin se procesi i rivlerësimit për Marinela Osmanin nuk përfshihet në “res judicata”, duke qenë se bashkëshortët magjistratë janë përfshirë në Veting veçmas dhe për shkak të pozicioneve të tyre në sistemin e drejtësisë.

Gjithësesi, shumë prej aspekteve dhe dokumentave të shqyrtuar për ish-prokurorin Gentian Osmani, u bënë pjesë e procesit të rivlerësimit për bashkëshorten e tij, gjyqtaren Marinela Osmani.

Por, megjithëse rezultatet ishin të njëjta, sidomos për kriterin e pasurisë, KPK vendosi konfirmimin në detyrë të gjyqtaren Marinela Osmani, ndryshe nga sa kishte vendosur Kolegji i Posaçëm i Apelimit për të njëjtat fakte, për bashkëshortin e saj, Gentian Osmani.

Problemet me pasurinë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi gjatë procesit të rivlerësimit se gjyqtarja Marinela Osmani, në vitin 2011, ishte në pamundësi financiare në shumën 1.352.894 lekë të reja, e cila ishte përdorur për blerjen e një apartamenti në Tiranë.

Gjithashtu, KPK konstatoi se subjekti Marinela Osmani ishte gjithashtu në pamundësi financiare në shumën 2.645.858 lekë, e cila është përdorur për shlyerjen e një huaje 20 mijë euro, të marrë një të afërmi të bashkëshortit, për blerjen e të njëjtit apartament.

Gjyqtarja Osmani i kundërshtoi këto gjetje, duke paraqitur provat e saj, me të cilat mbështeste qëndrimin se kishte qenë në gjendje financiare për të mbuluar shpenzimet.

KPK, siç lexohet në vendimin e zbardhur, analizoi provat e paraqitura nga magjistratja dhe, në përfundim, arriti në konkluzionin se ajo nuk justifikonte me burime të ligjshme një shumë prej 1.760.497 lekë.

Kjo shumë ishte saktësisht e njëjtë me atë që kishte konstatuar më herët edhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit, kur vendosi shkarkimin nga detyra të bashkëshortit të saj, ish-prokurorit Gentian Osmani.

Ndërkohë, KPK deklaron se kishte marrë edhe 14 denoncime për aktivitetin profesional të gjyqtares, një pjesë prej të cilave të përsëritura nga i njëjti person.

KPK konstatoi vonesa në këto procese gjyqësore, megjithatë i justifikoi duke marrë në konsideratë ngarkesën dhe natyrën komplekse të tyre.

Në përfundim, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të gjyqtares Marinela Osmani (Nuni), duke e vendosur mungesën e burimeve financiare në kriterin e pasurisë në balancë me saktësinë në dy kriteret e tjera, atë të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Në foto: Vendimi i KPK, dt. 11.02.2021, për konfirmimin në detyrë të magjistrates Marinela Osmani

ONM kundër

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, megjithëse mbështet verifikimin dhe analizimin e kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, duket se nuk është dakord me rezultatin përfundimtar.

Vëzhguesit ndërkombëtarë, së pari, ndajnë të njëjtin qëndrim me KPK se hetimi i pasurisë së gjyqtares Marinela Osmanit (Nuni) nuk mund të konsiderohet “res judicata” (gjë e gjykuar) me rastin e bashkëshortit të saj, Gentian Osmani, pasi bëhet fjalë për dy magjistratë të ndryshëm.

Gjithashtu, ONM vlerëson faktin që trupa që kreu Vetingun e gjyqtares Osmani është mbështetur, në pjesën më të madhe të procesit, në praktikën e konsoliduar të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA).

Megjithatë, ONM, në mënyrë diplomatike, lë të kuptohet se KPK nuk ka mbajtur standartin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në konkluzionin përfundimtar për magjistraten.

Duke kujtuar se KPA shkarkoi nga detyra ish-prokurorin Gentian Osmani për pamundësi financiare, ONM kërkon që i njëjti standart të zbatohet edhe për bashkëshorten e tij, Marinela Osmani (Nuni).

Problemet (për kriterin e pasurisë, shën.red) në çështjet e Gentian Osmani dhe Marinela Osmanit janë, jo vetëm të ngjashme, por, ‘de facto’, identike, duke nxjerrë në pah mungesën e konseguencës mes standardeve të aplikuar nga KPK për konfirmimin ndaj standardeve të aplikuara nga KPA në vendimin 19/2019, pa një arsyetim të kënaqshëm nga KPK për këtë dallim,” citohet rekomandimi i ONM-së.

Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, “Është e nevojshme që çështja të dërgohet në KPA përmes Komisionerëve Publikë dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit duhet ta vlerësojë këtë rast në dritën e standardeve ekzistuese”.