Dështon seanca për prokurorin Ervin Karanxha, shkak lidhjet e anëtares Sanxhaktari me Ben Blushin

Seanca dëgjimore me prokurorin e Tiranës, Ervin Karanxha dështoi të zhvillohej të mërkurën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Karanxha nuk u paraqit në seancë, ndërsa dy avokatët e tij deklaruan se ai gjendej në spital për shkak të përkeqësimit të shëndetit nga ‘trysnia e procesit të rivlerësimit’.

Avokatët Ndue Pjetra dhe Klodian Reçi paraqitën kërkesa për shtyrje të seancës dhe përgjatë dy orëve e gjysmë, trupa e KPK-së i rrëzoi ato.

Procesi i vetingut për prokurorin Ervin Karanxha po kryhet nga trupa e kryesuar nga Etleda Çiftja, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Pasi kryesuesja Çiftja bëri me dije hapat proceduralë të seancës dëgjimore, përfaqësuesit ligjorë të prokurorit Karanxha, avokatët Pjetra dhe Reçi kërkuan mundësinë për të paraqitur një kërkesë paraprake.

Përfaqësuesi ligjor Pjetra tha se vinin nga ‘Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion” dhe kërkoi shtyrjen e seancës.

Ne jemi ftuar dje nga subjekti dhe jemi pajisur sot me prokurorë të posaçme. Nuk e dimë se për çfarë bëhet fjalë. Ndërkohë, subjekti është i shtruar në spital. Ai është në vazhdimësi të problemeve shëndetësore për shkak të trysnisë së procesit të vetingut dhe mbrëmë është shtruar në spital,” tha avokati i Karanxhës.

Pjetra tha më pas se prokurori Karanxha sulmohej prej televizionit kombëtar ‘Top Channel’ dhe se veprimet kundër tij nuk ishin njerëzore.

Pasi trupi gjykues u tërhoq për të shqyrtuar kërkesën për shtyrje të seancës, vendosi ta rrëzojë atë. Kryesuesja Etleda Çiftja solli në vëmendje se Karanxha ishte njohur në fillim të muajit maj me rezultatet e hetimit dhe se i ishte pranuar dy herë më parë kërkesa për shtyrje.

Çiftja sqaroi se u vendos vijimi i seancës për paraqitjen e rezultateve të hetimit nga relatorja e çështjes, ndërsa avokatët të paraqisnin mbrojtjen në një seancë të dytë.

Vendimi për rrëzimin e kërkesës së parë pasoi me një kërkim të dytë të avokatëve të Karanxhës. Ata kërkuan dorëheqjen e Sanxhaktarit ose në të kundërt do të kërkonin përjashtimin e saj.

Sipas avokatëve Pjetra dhe Reçi, komisionerja Sanxhaktari nuk përmbush kriteret për qenë anëtare e KPK.

Ata pretenduan se Sanxhaktari kishte qenë e proceduar penalisht, se kishte arritur nivel të ulët pikësh në konkursin për Shkollën e Magjistraturës dhe se nuk arrinte nivelin shumë mirë në gjuhën angleze.

Mbrojtësit e Karanxhës pretenduan se Sanxhaktari i kishte fshehur këto të dhëna, duke e konsideruar trupën se nuk është e formuar sipas ligjit. Avokatët kërkuan që të pyetej komisionerja Sanxhaktari nëse e konsideronte të arsyeshme të hiqte vetë dorë, ose në të kundërt të përjashtohej.

Më tej, avokatët Pjetra dhe Reçi akuzuan se disa publikime në televizionin Top-Channel ndaj prokurorit Karanxha kishin qëllim fitimin e proceseve gjyqësore duke i bërë presione gjyqtarit, por nuk identifikuan çështje konkrete në seancë.  Sipas përfaqësuesve ligjorë të Karanxhës, Sanxhaktari ka miqësi me drejtorin e Informacionit të Top Channel, Ben Blushi, se ata jetojnë në një pallat dhe se sipas tyre kishin pirë kafe së bashku. I pyetur nga BIRN për akuzat në seancë, Blushi nuk iu përgjigj një kërkese për koment deri në publikimin e shkrimit.

Karanxha kërkoi përjashtimin e Sanxhaktarit:

Lidhur me këtë çështje edhe vetë prokurori Karanxha i është drejtuar e dy kërkesa Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ku kërkonte ërjashtimin nga trupa gjykuese të anëtares Valbona Sanxhaktari, pasi ajo njihet për lidhje të ngushta me Drejtorin e Top Channel, Ben Blushi.

Në kërkesërn e parë drejtuar KPK-së prokurori Karanxha shkruan se në të gjitha titujt e lajmeve të ‘Top Channel’ ka një sjellje mjaft tendencioze, ku ende pa u bërë gjykimi kjo media shkruan’ Në pritje të prokurorit.

Ju bëjë me dije që prej një periudhe gati 3 (tre) mujore, televizioni publik Top Channel nëpërmjet emisioneve televizive, dhe kronika lajmesh, ka theksuar në mënyrë të vazhdueshme se unë do të shkarkohem nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Në edicionet e lajmeve qëndrore janë dhënë kronika lajmesh me tituj të cituar: “Prokuroror Karanxha pret shkarkimit?”,  ose “Vetting pritet të shkarkojë Ervin Karanxhën” etj.

Më poshtë po ju parashtroj faktet.

Komisionerja Valbona Sanxhaktari dhe Z. Ben Blushi kanë njohje që në vitet 2000. Nga CV- ja e publikuar në faqen zyrtare të KPK, rezulton se kjo komisionere ka filluar punë në Ministrinë e Arsimit në muajin Tetor të vitit 2001. Nga Ëikipedia rezulton se Z.Ben Blushi në periudhën 2001-2002 ka qenë Ministër i Arsimit dhe Shkencës. Pra rezulton se Drejtori i Përgjithshëm i Top Channel ka marrë në punë komisioneren Valbona Sanxhaktari në vitin 2001 në Ministrinë  e Arsimit. (Në zbatim të nenit 13 të Kodit të Procedurës Civile ky është një fakt i njohur botërisht që nuk ka nevojë të provohet).

Komisionerja Valbona Sanxhaktari ka udhëtuar dhe përdorur gjatë detyrës makinën Rover i bardhë me targa TR 216 RP në pronësi të Alban Jahos (Drejtor i Përgjithshëm i Digit-alb) duke udhëtuar në drejtim të Malit të Zi bashkë me familjen e Drejtorit. (Theksoj se në atë kohë mbi aksionet e Digit-alb, kishte shumicën aksionerët e Top Channel) (Pra kjo Komisionere ka lidhje me Top Channel që publikon lajme rreth shkarkimit tim).

Komisionerja Valbona Sanxhaktari jeton në të njëjtin pallat me Drejtorin e Përgjithshëm të “Top Channel” dhe të dy së bashku janë parë në lokalin Lavazza, tek stadiumi Air Albania, pikërisht në periudhën që televizioni Top Channel transmetonte kronika lajmesh rreth meje për shkarkimin tim’, shkruan në kërkesën e tij të parë drejtuar KPK-së prokurori Karanxha.

LEXO EDHE  Vritet kryefamiljari, shoqërohen në polici gruaja dhe vajza

Pjesë nga kërkesa drejtuar KPK për shkarkimin e Sanxhaktarit

Ndërkohë në një tjetër kërkesë drejtuar KPK-së, prokurori Karanxha thekson se pjesëmarrja e anëtares Sanxhaktari në gjykimin e tij është në kundërshti me ligjin, pasi ajo nuk plotëson asnjë kusht ligjor për të mbajtur pozicionin në të cilin ndodhet.

Sipas Prokurorit Karanxha, Sanxhaktari e ka fituar titullin si magjistrate me vetëm 85 pikë, ndërkohë që numri i pikëve që duhet të merreshin ka qenë 300.

Gjithashtu ai thekson se zonja Sanxhaktari tashmë është e faktuar që kjo anëtare është proceduar penalisht për veprat penale Korrupsion dhe Shpërdorim fondesh.

Kriteret e zgjedhjes se antarëve të institucioneve të rivlerësimit

  1. c) të ketë marrë një vlerësim të lartë për aftësitë e tij profesionale, etike, dhe integritetin moral të tij, , nëse iu është nënshtruar vlerësimeve të mëparshme
  2. d) ndaj tij të mos ketë nisur nje hetim penal, të mos jetë dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi , për kryerjen e një kundravajtjeje penale me dashje, …..
  3. gj) zotëron shumë mirë gjuhën angleze

Në lidhje me pikën c të këtij neni 6 sjellë në vëmendjen Tuaj se kjo anëtare ka konkuruar në Shkollën e Magjistraturës në vitin 1997 për pozicionin e gjyqtarit ose prokurorit dhe  është vlerësuar me 85 pikë, kur në atë konkurim magjistratët fitues kanë qënë mbi 300 pikë. Pra ky është një tregues i qartë i mungesës së formimit të saj në aspektin professional, fakt ky që bie në kundërshtim me parashikimin ligjor të sipërcituar.

Në lidhje me pikën d të nenit 6, tashmë është e faktuar që kjo anëtare është proceduar penalisht për veprat penale Korrupsion dhe Shpërdorim fondesh, referuar kallëzimit pnal të datës 5.5.2004 nr. 1086/16 Prot nga KLSH-ja në Prokurornë e Tiranës në lidhje me “Rikonstruksionin e konviktit të shkollës së mesme K Isak Berat,” me fond limit 17.000.000’, shkruan në kërkesën e tij të dytë Sanxhaktari .

Pjesë nga kërkesa e dytë drejtuar KPK për shkarkimin e Sanxhaktarit

Pasi u tërhoq, trupi gjykues vendosi me shumicë votash të rrëzojë kërkesën e avokatëve. Kryesuesja Çiftja u tërhoqi vëmendjen përfaqësuesve ligjorë të Karanxhës për qëndrimin e tyre ndaj Sanxhaktarit.

Trupi gjykues tërheq vëmendjen për presionet ndaj një anëtareje të trupit gjykues për dorëheqjen e saj. Nuk do të lejohet më një qëndrim i tillë,” tha Çiftja dhe u tha avokatëve të përgatisnin mbrojtjen deri më 30 qershor.

Çiftja u tërhoqi disa herë vërejtje avokatëve dhe theksoi se një media nuk mund të ndikojë në procesin e vetingut.

Nëse keni dyshime të tilla, atëherë ky është proces penal. Nëse keni kërkim dorëzoni kërkesë dhe prova,” tha Çiftja.

Avokatët e Karanxhës këmbëngulën në pretendimin e tyre për gjendjen në kushtet e konfliktit të interesit të anëtares së trupit gjykues, Valbona Sanxhaktari, duke pretenduar edhe për një udhëtim të saj në Mal të Zi me makinën e drejtorit të Digitalb. Pjetra dhe Reçi thanë se kishin dyshime të arsyeshme se Sanxhaktari kishte dhënë informacione nga hetimi i rivlerësimit të Karanxhës që ishin publikuar në media dhe se kjo situatë nuk garantonte gjykim të rregullt.

Subjekti është rivlerësuar në të tre kriteret dhe pa e mësuar ai, e ka mësuar më parë media,” pohuan Pjetra dhe Reçi, por nuk paraqitën prova gjatë seancës për pretendimet e ngritura.

Sipas avokatëve, Karanxha kishte bërë gjithë përpjekjet e mundshme për të reaguar ndaj sulmeve ndaj tij duke i kërkuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që të mbanin qëndrim, si dhe kishte njoftuar Ambasadën Amerikane.

Avokati Pjetra deklaroi se nuk ishte i qartë se përse nuk reagonte për këtë situatë vëzhguesi ndërkombëtar. Përfaqësuesi i ONM-së, Francesco Ciardi theksoi se i siguronte avokatët e subjektit të rivlerësimit se e ushtronte funksionin e tij sipas ligjit.

“Është në konflikt të hapur interesi”, pohoi Pjetra dhe dorëzoi një kërkesë tjetër me shkrim për përjashtimin e anëtares Valbona Shanxhaktari.

Pasi u tërhoq për të tretën herë, trupi gjykues vendosi t’ia paraqesë për shqyrtim kërkesën për përjashtimin e Sanxhaktarit një tjetër trupe gjykuese dhe të shtyjë seancën për një afat të pacaktuar.