Vetingu/ Kolë Hysenaj shpreson të fusë “sarajet e Korçës” në thesin e Rilindjes. 10 arsye që e penalizojnë

Nga Boldnews.al

Prokurori i Tiranës, Kolë Hysenaj, do të përballet sërish këtë të Enjte me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, pas një seance dëgjimore të parë, të zhvilluar në Shtator 2020, ku u përball me një seri të gjatë gjetjesh problematike në të tre kriteret e rivlerësimit-pasuri, integritet

Trupa e drejtuar nga Pamela Qirko, me relatore Firdes Shuli dhe anëtar Olsi Komicin vendosi të shtyjë për shtatë muaj seancën me prokurorin Hysenaj, pa dhënë shpjegime publike mbi këtë vendim.

Megjithatë, referuar gjetjeve të raportuara në seancën e parë, prokurori Kolë Hysenaj, me shumë mundësi, pritet të largohet nga sistemi i drejtësisë.

Bazuar në të dhënat e Komisionit të Pavarur dhe Kualifikimit (KPK), por edhe në informacionet e siguruara më herët nga “Boldnews.al”, për prokurorin Hysenaj rezultojnë të paktën 10 arsye, të cilat mund të ndërpresin karrierën e tij si prokuror.

Problemet me pasurinë dhe integritetin

  1. Prokurori Kolë Hysenaj është njohur, më së shumti, për blerjen dhe më pas investimin në një vilë luksoze në qendër të Korçës, me burim vetëm me të ardhurat nga puna në sistemin e drejtësisë.

Ky investim, në një zonë tejet të shtrenjtë në qytetin jug-lindor, e vendos prokurorin Hysenaj në një prej më të pasurve në sistemin e drejtësisë, aq më tepër që burim fillestar financiar për pasurinë e tij kanë qenë vetëm të ardhurat nga paga.

  1. Prokurori Kolë Hysenaj deklaron se, deri në vitin 2016, kishte kursyer rreth 18 milionë lekë të reja, me burim të ardhurat e tij, fitimet nga një bar-kafe e vogël në emër të bashkëshortes, si edhe transaksione me pasuri të luajtshme e të paluajtshme të kryera ndër vite.

Por, KPK konstatoi se prokurori nuk i kishte deklaruar këto kursime ndër vite. Hysenaj këmbënguli se atij i duheshin njohur këto likuiditete. Por, në një rast të ngjashëm, në procesin e rivlerësimit të ish-prokurorit Fatmir Lushi, dy shkallët e Vetingut nuk i konsideruan deklarimet e tij për kursime, përsa kohë ato nuk ishin deklaruar.

  1. Prokurori Hysenaj ka deklaruar se ka blerë një tokë në Bërxull të Tiranës, për shumën 11 milionë lekë të reja. Sipas tij, toka me sipërfaqe 2 mijë metra katrorë është blerë me kursimet, të cilat nuk i kishte të deklaruara në formularët e pasurisë.

Tashmë që KPK dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit kanë vendosur si standart që kursimet e padeklaruara nuk quhen, me shumë mundësi ky investim i prokurorit Hysenaj do të konsiderohet pa burime të ligjshme financiare.

 

  1. Prokurori Hysenaj rezulton se ka blerë në fshatin Fikas të Tiranës një sipërfaqe toke prej 1 mijë metra katrorë, me vlerë 390 mijë lekë, ndërkohë që shitësi e kishte blerë vetë më herët për një shifër shumë më të lartë, 1 milion lekë.

Subjekti Hysenaj sqaroi se e kishte blerë më lirë këtë tokë, pasi shitësi kishte probleme dhe i duheshin paratë.

  1. Mbi këtë tokë, Hysenaj ka ndërtuar një shtëpi 1-katëshe, për të cilën ka deklaruar se ka shpenzuar 1.9 milionë lekë, duke iu referuar kostove të Entit Kombëtar të Banesave.

Katër vjet më vonë, ai deklaron se e ka shitur tokën dhe këtë shtëpi për 135 mijë euro ose rreth 8 herë më shtrenjtë se sa ishte vlera e blerjes dhe ndërtimit, një transaksion që duket se nuk ka bazë logjike në tregun e pasurive të paluajtshme.

  1. Prokurori Kohë Hysenaj ka nënshkruar kontratë për shitjen e tokës në Fikas dhe ndërtesës mbi të në vitin 2012, duke shënuar në kontratë se “çmimi është likujduar në vend”.

Por, të dhënat e siguruara nga KPK treguan se pagesa për këtë transaksion me vlerë 135 mijë euro ishte bërë më shumë se një vit më vonë. Pra, më së paku, prokurori Hysenaj ka kryer kontratë fiktive.

LEXO EDHE  Afera që e shndërroi Tiranën në një gropë të madhe septike

Ai u shpjegua se, pavarësisht shënimit në kontratë, pagesa për shitjen i është dorëzuar më vonë, për shkak të raporteve të mira që kishte me blerësin.

Ndërkohë, KPK konstatoi se ai kishte marrë një kapar në vlerë 35 mijë euro nga blerësi, i cili ishte kthyer më pas, ndërkohë që kishte nënshkruar me vullnetin e tij të lirë se ishte paguar plotësisht që në momentin e hartimit të kontratës.

Për relatoren e çështjes, këto lloj transaksionesh ishin “të palogjikshme”.

  1. Prokurori Kolë Hysenaj ka deklaruar se ka blerë një automjet, në vlerën 500 mijë lekë, ndërkohë që shitësi, vetëm një javë më parë, e kishte blerë për 21 mijë dollarë amerikanë.

Pasi u konstatua se çmimi që prokurori kishte paguar për mjetin ishte 4 herë më i ulët se sa ishte blerë nga shitësi pak më herët, Hysenaj deklaroi se makina kishte difekte dhe prandaj ishte ulur vlera. Argumenti nuk e bindi trupën e KPK-së.

  1. Dy vjet pas blerjes së mjetit për 500 mijë lekë, prokurori Kolë Hysenaj deklaroi se e shiti atë rreth 5 herë më shtrenjtë, 22 mijë euro. Të gjitha këto veprime u konsideruan të dyshimta nga relatorja Firdes Shuli.

  1. Prokurori Hysenaj dyshohet për kontakte të papërshtatshme me një avokat, si edhe me një prej biznesmenëve që kishte nën hetim në një çështje për rimbursimin e Tatimit Mbi Vlerën e Shtuar.

Prokurori, i cili nuk ndjek hetimet për krimin ekonomik, deklaroi se raporti i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) ishte i pavërtetë në këtë pikë, megjithëse nuk shpjegoi se përse ai ishte ngarkuar për të zhvilluar këtë hetim.

  1. DSIK ka ngritur gjithashtu dyshimet se prokurori Kolë Hysenaj ka ndërhyrë në dokumentat e një dosjeje penale, duke ndryshuar datat dhe numrat e protokollit të disa shkresave.

Ai i kundërshtoi këto konstatime të DSIK, duke pretenduar se një “dorë e padukshme” ka ndërhyrë në sistemin e të dhënave policore, duke shtuar informacione të dyshimta ndaj tij.

“Shërbim politik”

E, megjithatë, prokurori Kolë Hysenaj duket se shpreson të kalojë procesin e Vetingut, nëpërmjet “dorës së ngrohtë” të Rilindjes në qeveri.

Ai u ka shërbyer më së miri zyrtarëve të lartë qeveritarë, përfshirë ish-ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe ministren aktuale të Infrastrukturës, Belinda Balluku, njëkohësisht edhe motra e Pamela Qirkos, kryesuese e procesit të Vetingut për prokurorin Kolë Hysenaj.

Kolë Hysenaj ishte prokurori kryesor i çështjes “Geron”, në të cilën u mundua maksimalisht të ruante imazhin e Fatmir Xhafajt, i cili ishte ministër i Brendshëm kur pati akuza publike se vëllai i tij, Agron (Geron) Xhafaj vijonte aktivitetin kriminal të trafikut të narkotikëve.

Hysenaj, në hetimet e nisura për Geronin, devijoi hetimet, duke akuzuar publikuesit e të dhënave për vëllain e Fatmir Xhafajt, i cili tashmë është i burgosur si trafikant në Itali.

Po ashtu, Hysenaj ishte prokurori i çështjes penale kundër ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, i akuzuar për falsifikim të formularit të Dekriminalizimit.

Në momentin që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi ta shkarkonte nga detyra, Kajmaku emëroi shefin e tij të kabinetit si pasues në krye të Bashkisë së Vorës.

Ky veprim acaroi shumë të plotfuqishmen politike të Partisë Socialiste në Vorë, në atë kohë, Belinda Balluku.

Acarimi i Ballukut duket se nxiti prokurorin Hysenaj që të kërkonte arrestimin e Kajmakut, një veprim i paprecedentë për raste të tjera të ngjashme.

Tashmë, pas këtyre “shërbimeve” të dukshme politike, me shumë mundësi, prokurori Kolë Hysenaj shpreson të marrë në këmbim mbështetjen nga trupa e Vetingut, e drejtuar nga Pamela Qirko.