KPK në provë integriteti/ Vetingu i Kolë Hysenajt, lidhja me motrat Balluku-Qirko e arrestimi i Kajmakut

Në foto (nga e majta në të djathtë): Prokurori Kolë Hysenaj, Komisionerja e Vetingut, Pamela Qirko, motra e saj, ministrja e Infrastukturës Belinda Balluku dhe ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku

Nga BoldNews.al

Komisioni i Vetingut dhe sidomos drejtuesja e sapo-zgjedhur e këtij institucioni, Pamela Qirko, janë përballë një prove të rëndësishme integriteti, ndërkohë që do të shqyrtojë rezultatet e rivlerësimit për prokurorin e Tiranës, Kolë Hysenaj.

Qirko, e cila është drejtuese e trupës së Vetingut të prokurorit Hysenaj, është njëkohësisht edhe motra e ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Ministrja, nga ana e saj, thuhet se është nxitësja kryesore për arrestimin e ish-kryetarit të Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, i zgjedhur nga radhët e partisë ku bën pjesë edhe vetë Balluku.

“Dëshira” e ministres u plotësua. Prokurori Kolë Hysenaj lëshoi urdhër-arresti për Kajmakun.

Qarku duket i mbyllur. Ministrja shpreh “dëshirën” dhe prokurori “e zbaton”. E, më tej, prokurori duhet të japë llogari për pasurinë marramendëse dhe plot pikëpyetje përballë motrës së ministres.

Natyrisht, gjithçka është në terrenin e aludimeve, megjithëse për shumë ndjekës të procesit të Vetingut, lidhja Qirko-Hysenaj-Balluku nuk duket fare rastësi.

Kajmaku dhe “fijet” e Ballukut
Agim Kajmaku u emërua kryetar i Bashkisë së Vorës, në përfundim të votimeve mono-partiake lokale, të zhvilluar në 30 Qershor të vitit 2019. Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ishte e ngarkuara e kryesisë së Partisë Socialiste për zhvillimin e fushatës në zonën e Vorës.

Pasi Kajmaku mori detyrën, Partia Demokratike në opozitë publikoi të dhëna mbi një dënim të tij në Greqi, në vitin 2003, të cilin nuk e kishte deklaruar në formularin e “Dekriminalizimit”.

Kajmaku i mohoi akuzat publike, ndërkohë që Partia Socialiste e mori në mbrojtje, duke i konsideruar deklaratat e opozitës si “pjesë të lojës politike”.

Por, kur opozita publikoi dokumenta zyrtare greke mbi dënimin e Agim Kajmakut (Jorgo Toto), kryetari i Bashkisë së Vorës mori porosi nga partia e tij që të bënte një dalje të butë nga skena politike.

Kajmaku u tregua më i guximshëm sesa duhet. Pak para se të largohej nga zyra, ai zgjodhi si pasues të tij në krye të Bashkisë së Vorës një person, i cili nuk kishte aspak mbështetjen politike të të dërguarës së kryesisë së PS-së, Belinda Balluku.

Ky veprim i Kajmakut shkaktoi furi brenda kupolës së Partisë Socialiste, me Ballukun që u ndje shumë e zhgënjyer prej ish-kryebashkiakut të Vorës.

LEXO EDHE  Covid-19 pritet të “fshijë” 8 miliardë euro nga ekonomia shqiptare në tre vjet

Burime brenda Partisë Socialiste flasin me bindje se Balluku ka këmbëngulur që Agim Kajmaku të marrë një “dënim shembullor” për aktin e tij guximtar.

Në këtë moment hyn në lojë prokuroria dhe, më konkretisht, prokurori Kolë Hysenaj.

Kola dhe Kajmak
Prokuroria e Tiranës nisi hetimin ndaj Kajmakut për veprën penale të falsifikimit të formularit të Dekriminalizimit.

Kësaj akuze i shtoi edhe veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe kryerje të funksionit pas përfundimit të tij”, pikërisht për ato që kishte “merak” ministrja Balluku.

Hetimi u ndoq nga prokurori Kolë Hysenaj, i cili kërkoi në gjykatë edhe arrestimin e Kajmakut. Në fakt, arrestimi i ish-kryebashkiakut të Vorës u duk që nuk ishte qëllimi final dhe kjo u dëshmua nga mungesa e vullnetit të Policisë për ta gjetur dhe arrestuar.

Qëllimi i urdhër-arrestit duket se ishte vetëm nxjerrja “jashtë loje” e Kajmakut dhe ai të mos kishte ndikim në organizimin e mëtejshëm të Bashkisë së Vorës.

Dhe kjo u dallua qartë kur, Kajmaku u vetëdorëzua pas disa muajsh në arrati. Ai u lirua menjëherë dhe ai po e ndjek gjykimin në gjendje të lirë.

“Boldneës.al” ka mësuar edhe një detaj interesant, për rolin e Belinda Ballukut edhe në procesin gjyqësor.

Në një prej seancave, gjykata kishte thirrur dëshmitar një prej punonjësve të Bashkisë së Vorës, i njohur si “njeri i Belinda Ballukut”. Prokurori Hysenaj ka këmbëngulur që ky dëshmitar të mbahej sa më pak në seancë dhe, mundësisht, pyetja e tij të realizohej në mungesë të plotë transparence.

Gjithçka kaloi sipas planit. Ky dëshmitar ka qëndruar më pak se 10 minuta para trupës gjykuese dhe askush, përfshirë edhe median, nuk e ka mësuar se ishte zhvilluar një seancë e tillë.

Të gjithë të dhënat dëshmojnë qartë se prokurori Kolë Hysenaj, në rastin e Agim Kajmakut, ka vepruar në atë formë që i shkonte për shtat ministres Balluku.

Tashmë, është radha e komisioneres së Vetingut, Pamela Qirko, të dëshmojë nëse ka integritetin e duhur apo do e “respektojë” prokurorin Hysenaj për nderet që ai i ka bërë motrës së saj, Belinda Balluku.