U arrestua për drogë, Anton Gjinaj i “Alesio 2014” ka marrë 1 mld lekë tendera publikë

Nga BoldNews

Kompania e ndërtimit “Alesio 2014”, në pronësi të Anton Gjinaj (Pashko Rrapi), i arrestuar në Mal të Zi për llogari të autoriteteve të Spanjës, ku është dënuar me 8 vjet burgim për trafik narkotikësh, rezulton se ka përfituar rreth 1 miliardë lekë në tendera publikë në dy vitet e fundit.

Kompania “Alesio” është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në maj 2014. Deri në vitin 2018, ajo nuk ka qenë shumë aktive në tregun e ndërtimit në Shqipëri.

Por, më pas, kompania e Anton Gjinaj mori një hov të menjëhershëm, duke u shndërruar në një prej kompanive kryesore në ndërtimet shumë-katëshe në Tiranë.

Referuar të dhënave të Thesarit të Shtetit, kompania “Alesio 2014” ka përfituar, vetëm në periudhën 2019-2020, pagesa publike në vlerë 980 milionë lekë të vjetra.

Të gjithë punët publike të fituara nga “Alesio-2014” janë përqëndruar në tenderat e zhvilluar nga Bashkia Krujë, e drejtuar nga Artur Bushi, si edhe nga Ndërmarrja e Rrugëve në Bashkinë e Tiranës.

Sipas informacioneve zyrtare, kompania e Anton Gjinaj (Pashko Rrapi) është angazhuar në asfaltimin e një numri të konsiderueshëm aksesh rrugore, kryesisht rurale, por edhe urbane në dy qytetet fqinjë me Tiranën.

Ndërkohë, në kryeqytet, “Alesio 2014” është përfshirë fort në tregun e ndërtimit të godinave private dhe shumëkatëshe.

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, “Alesio-2014” zotëron një numër të madh automjetesh të rënda, përfshirë kamionë dhe betoniere, detaj që dëshmon se Anton Gjinaj (Pashko Rrapi) ka pasur shuma të konsiderueshme parash për të investuar në makineri profesionale.

Tashmë, Anton Gjinaj (Pashko Rrapi), duhet të përballet me autoritetet spanjolle, të cilat kanë shpërndarë, nëpërmjet Interol-it kërkesën për arrestimin e tij si pjesë e një organizate kriminale.

Policia e Malit të Zi njoftoi së fundmi se ka arrestuar biznesmenin shqiptar Anton Gjinaj, 55 vjeç, i kërkuar nga Spanja për trafik droge dhe vuajtje të një dënimi me burg.

Media serbe “Novosti” shkruan se Gjinaj u arrestua në vendkalimin kufitar Rozaje dhe hetimi përcaktoi se ai ishte në kërkim nga NCB Interpol Madrid.

Bazuar në njohuritë operacionale, dhe më vonë në verifikimin dhe konfirmimin e identitetit, u përcaktua që ky person kërkohej nën një identitet tjetër (Pashk Rrapi) nga NCB Interpol Madrid, në mënyrë që të vuante një dënim me burg prej tetë vjet e nëntë muaj për krimin e trafikut të drogës.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi, Anton Gjinaj është anëtar i një organizate kriminale, e cila në vitin 2006 organizoi dhe koordinoi importimin, magazinimin dhe shitjen e mëtejshme të 50 kilogramëve heroinë në territorin e Spanjës, në zonat përreth qyteteve të Murcia dhe Alicante.

Ekstradimi i tij u urdhërua për këtë person nga gjykatësi i Gjykatës së Lartë në Podgoricë.