Afera 60 mln USD, arrestohet përfaqësuesi i Klodian Mërtirit, hetim edhe nga Interpol Budapest

Në Shqipëri, një vend që aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Europian, biznesmenit kontravers  Klodian (alias Mirel) Mërtiri, i konsideruar “njeriu-hije” i inceneratorëve të përpunimit të mbetjeve, i ka shkuar çdo gjë vaj, pavarësisht dyshimeve për afera korruptive.

Por, Mërtiri, duket se po përballet me probleme serioze në një vend që pakkush në vendin tonë mendon se ka një shtet funksional-në Zimbabve, një vend në qendër të Afrikës, ku biznesmeni shqiptar prezantohet me emrin Ilir Dedja.

Përfaqësuesi i kompanisë së tij, Delish Nguvaya, një biznesmen nga Zimbabvja, i dënuar më parë për pastrim parash, është arrestuar së fundmi, në vijim të hetimeve të nisura për tenderin 60 milionë euro të fituar nga “Drax SAGL” e Klodian Mërtirit, për furnizimin me aparatura mjekësore dhe medikamente kundër Covid-19.

Në foto: Urdhëri i arrestit për Delish Nguvaya, përfaqësuesi i Klodian Mërtirit (Ilir Dedja), në Zimbabve

“Boldnews.al” ka raportuar më herët për këtë skandal financiar që ka shpërthyer në Zimbabve e që përfshin kompaninë “Drax SAGL” të Ilir Dedjas (Klodian Mërtiri), si edhe familjarë të Presidentit të atij vendi, Emmerson Mnangagva.

Raportimi i mëhershëm shoqërohej edhe me një foto, në të cilën dallohej presidenti Mnangagva, nën shoqërinë e Klodian Mërtirit, që atje prezantohet me emrin Ilir Dedja.

Në atë foto gjendej edhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, roli i të cilit është ende i paqartë në historinë e skandalit 60 milionë dollarë amerikanë.

Në foto: Klodian Mërtiri (alias Ilir Dedja), i dyti majtas dhe ish-deputeti i PD, Gerti Bogdani, në zyrën e Presidentit të Zimbabves

Krahas hetimeve në shtetit afrikan, “Drax SAGL” e Klodian Mërtirit, me seli në Zvicër dhe Dubai, është subjekt edhe një hetimi të nisur nga Interpol Budapesti, nën dyshime për përfshirje në një rrjet kompanish që financojnë krimin e organizuar.

Arrestimi i njeriut të Klodian Mërtirit

Afera 60 milionë USD ka marrë së fundmi një rrjedhë të rëndësishme, duke e vendosur në shënjestër kompaninë “Drax SAGL” të Klodian Mërtirit (Ilir Dedja).

Autoritetet e Zimbabves njoftojnë se kanë arrestuar në fundjavë përfaqësuesin vendor të Klodian Mërtirit, Dalish Nguvaya.

Biznesmeni afrikan dyshohet se është përfshirë një skeme për përfitime të parregullta në tenderat për aparatura mjekësore dhe medikamente kundër Covid-19, për llogari të kompanisë “Drax International” të atij që në Zimbave njihet si Ilir Dedja, por që “Boldnews.al” e ka identifikuar si Klodian (alias Mirel) Mërtiri.

LEXO EDHE  Shtohen masat në Tiranë, 9 shoferë të arrestuar, qindra gjoba për të ‘pabindurit’

Autoritetet e shtetit afrikan dyshojnë se Dalish Nguvaja ka shfrytëzuar lidhjet e tij me Kollins Mnangagva, djali i Presidentit të vendit, Emmerson Mnangagva, për të fituar në mënyrë të dyshimtë tenderin 60 milionë dollarësh.

Në foto: (Majtas) Dalish Nguvaja, përfaqësuesi i Klodian Mërtirit (Ilir Dedja) në Zimbabve dhe (djathtas) Kollins Mnangagva, djali i Presidentit të Zimbabve, Emmerson Mnangagva

Siç ka raportuar më herët “Boldnews.al”, kompania “Drax SAGL”, pjesë e “Drag International”, e krijuar nga Ilir Dedja (Klodian Mërtiri) me seli në Zvicër dhe Dubai, ka nënshkruar së fundmi dy kontrata, me 20 milionë dollarë dhe 40 milionë dollarë.

Në bazë të këtyre kontratave, kompania Klodian Mërtirit merrte përsipër furnizimin e agjencisë shtetërore shëndetësore të Zimbabves, “Natpharma”, me pajisjet e nevojshme për përballimin e korona-virusit.

Media vendase zbuloi se “Drax SAGL” ka përfituar kontratat e majme, në kundërshtim me legjislacionin vendas dhe nën dyshime për korruptimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë, përfshirë familjarë të presidentit të vendit.

“Drax SAGL” dhe djali i Presidentit të Zimbabves, Kollins Mnangagva, i kanë mohuar më herët akuzat për lidhje mes tyre, në dy deklarata të veçanta, por me tekst të ngjashëm, të lëshuara në fund të muajit Maj 2020.

Por, pavarësisht mohimeve publike, autoritetet në Zimbabve kanë avancuar me hetimet, duke arrestuar fillimisht përfaqësuesin e Ilir Dedjas në shtetin afrikan, Dalish Nguvaya.

Hetimet nga Interpol Budapest

Zyra Qendrore e Interpolit i ka shkruar Policisë së Zimbabves për të siguruar informacion mbi një pagesë prej 2 milionë dollarë që qeveria e shtetit afrikan ka bërë për llogari të kompanisë “Drax Consult SAGL”, e cila njihet edhe me emrin “Drax International”, në pronësi të shtetasit shqiptar Ilir Dedja (Klodian Mërtiri).

Kërkesa është bërë pasi autoritetet e Hungarisë kanë hapur një hetim për pastrim parash pasi kompania, vetëm dy javë pasi ishte krijuar, përfitoi pagesën prej 2 milion dollarësh nga qeveria e Zimbabves.

Sipas raportimeve të medias vendase, “Zimlive”, kur Interpol u njoftua për këtë pagesë, kompania “Drax SAGL” hapi një degë të sajën në Dubai dhe që prej aty transferoi 1 milion dollarë në një llogari në Mairitiues, një vend “parajsë-fiskale” në Afrikë.

Interpoli i Budapestit i shkruan Policisë së Zimbabves në kërkesën e datës 29 Prill 2020: “Këto kompani (në pronësi të Ilir Dedja-alias Klodian Mërtiri) mund të jenë të lidhura me të tjera kompani që janë subjekte të hetimit kriminal”.