Skandali, Gonxhja “ngatërroi” letrat e veta dhe skualifikoi kompaninë nga tenderi 150 mijë euro

Nga Boldnews.al

Blendi Gonxhe duket se është një ndër ata zyrtarë të lartë që nuk e ka aspak problem të lërë gjurmë negative në zhvillimin e tenderave publikë.

Ai është kallëzuar penalisht së fundmi pranë Prokurorisë Speciale (SPAK), nën dyshimet se ka favorizuar, në kushtet e konfliktit të interesit, dy kompani private të lidhura me të për dhënie makinash me qera, gjatë kohës që drejtonte Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit në Bashkinë e Tiranës.

“Boldnews.al” ka identifikuar një tjetër rast të ndodhur së fundmi, ku dallohen nota të theksuara absurdi, në një tender me vlerë rreth 150 mijë euro, të zhvilluar nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor, institucion që drejtohet nga Gonxhe prej nëntorit 2018.

Të dhëna zyrtare, të siguruara nga redaksia, tregojnë se autoriteti kontraktor, i drejtuar nga Blendi Gonxhe, ka skualifikuar një konkurent, pasi i ka “ngatërruar” letrat që i kishte lëshuar vetë Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor.

Në Shkurt 2020, institucioni i drejtuar nga Gonxhe shpall tenderin për “Rikonstruksioni i ambienteve të Zyrës së Shërbimit Lushnje”, me fond limit 16.479.148 lekë të reja (rreth 150 mijë euro bashkë me TVSH).

Në 21 Prill shpallet rezultati. Drejtoria e e Transportit Rrugor njofton se nga 6 pjesëmarrës në tender, 5 kompani ishin skualifikuar, duke mbetur në garë vetëm kompani që kishte dhënë ofertën më të lartë. Rrjedhimisht, ajo kompani u shpall fituese e tenderit.

Situata absurde

Një ndër kompanitë pjesëmarrëse në tender ka ankimuar vendimin e skualifikimit fillimisht pranë Autoritetit Kontraktor, pra Drejtorisë së Transportit Rrugor.

Në mungesë të një përgjigjeje brenda afatit ligjore 3-ditor, kompania private i drejtohet Komisionit të Prokurimit Publik (KPP).

Vetëm pak këtij ankimi, institucioni i drejtuar nga Gonxhe i kthen përgjigje ankimuesit, ku pranon edhe “gafën”.

LEXO EDHE  Me pseudonimin "Dragoi", emrat e parë që spiunoi Nasho Jorgaqi në organet e Sigurimit

Çfarë ka ndodhur? Institucioni, në specifikimet teknike të tenderit, kishte përcaktuar ndër të tjera se kompania fituese do të duhej që të kishte siguruar një autobot për mbajtje dhe transport uji të pijshëm.

Drejtoria e Transportit Rrugor vendosi skualifikimin e kompanisë ankimuese, me argumentin se ajo nuk kishte autobot për ujë, por për transport nafte.

Por, kompania e skualifikuar e ankimuar këtë vendim, duke konstatuar edhe absurdin në vendimin e institucionit të drejtuar nga Gonxhja.

Leja e qarkullimit të autobotit është shoqëruar me simbolin ‘C8”, kod që i korrespondon “Çisternë për trasportin e qumështit ushqimor”. Pra, autoboti nuk është për naftë, por për prodhime të konsumueshme nga njeriu dhe të pastra.

Dhe me e habitshmja- theksohet në ankim- përcaktimi se ky mjet është për transport Nafte vjen nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor Tiranë, Autoritet, i cili është organi më i specializuar për të njohur dhe klasifikuar mjetet sipas Kodit Rrugor dhe ligjeve që veprojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Për ankimuesin, Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor duhet të kishte bërë minimumin dhe të kishte konsoltuar ligjet e rregullat mbi të cilat funksionon, por edhe të kishte shqyrtuar sistemin e saj të brendshëm, për të parë llojin e mjetit.

Tenderi u anulua, pasi Komisioni i Prokurimit Publik vendosi të pranojë ankimin dhe i kërkoi Drejtorisë së Gonxhes që të rihapë tenderin “Rikonstruksioni i ambienteve të Zyrës së Shërbimit Lushnje”.

Pas anulimit, nuk ka asnjë të dhënë tjetër mbi ecurinë e tenderit 150 mijë euro.

“Boldnews.al” konstatoi në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik (APP) se procedura vijon të jetë e hapur.