KPK konfirmon Iliba Bezatin, gjyqtaren e akuzuar për ‘fshehje pasurie”, me 4 apartamente dhe lekë me fajde

Nga Boldnews.al

Asnjë surprizë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka konfirmuar në detyrë këtë të Hënë gjyqtaren e Apelit të Vlorës, Iliba Bezati, njëkohësisht kunata e drejtueses së institucionit të Vetingut, pavarësisht problematikave të shumta me pasurinë.

Trupa e rivlerësimit, e përbërë nga kryesues Olsi Komici, relator Lulzim Hamitaj dhe anëtare Brunilda Bekteshi nuk i morën aspak në konsideratë gjetjet e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKPKI, ku konstatohej se gjyqtarja kishte “fshehje pasurie”, “deklarim të rremë” dhe një rast “konflikt interesi” të bashkëshortit të saj.

Po ashtu, treshja e Vetingut rrëzoi edhe një raport të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), i cili kishte konstatuar papërshtatshmërinë e gjyqtares Iliba Bezati.

Vendimi për konfirmimin në detyrë të gjyqtares ishte i pritshëm dhe i paralajmëruar më herët edhe nga “Boldnews.al”, i cili raportoi për lidhjet familjare dhe biznesi mes kryetares në detyrë të Gjykatës së Apelit të Vlorës Iliba Bezatit dhe Pamela Qirkos, titullare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Vendimi pritet të zbardhet brenda një muaji dhe më pas do të jetë Komisioneri Publik dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit që do të vlerësojnë nëse konfirmimi i Iliba Bezatit është në përputhje me ligjin dhe faktet ose jo.

Megjithatë, disa të dhëna publike mbi pasurinë e gjyqtares, janë të mjaftueshme për të ngritur dyshimet, si mbi ligjshmërinë e burimit, ashtu edhe për integritetin e trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Katër apartamente e para me “fajde”

Në deklaratat e pasurisë, të dorëzuar pranë ILDKPKI prej vitit 2003, gjyqtarja Iliba Bezat deklaron se ka në pronësi të paktën pesë apartamente. Këto të dhëna i referohen deklarimeve deri në vitin 2017.

Në formularin e dorëzuar në vitin 2003, Bezat deklaron se ka në pronësi tre apartamente, dy prej të cilëve 2+1 dhe një tjetër 1+1.

Në vitin 2005, gjyqtarja dhe bashkëshorti i saj blejnë edhe një apartament tjetër me vlerë 60.800 euro. Një pjesë të shumës e kanë paguar me paratë e fituara nga shitja e një prej apartamenteve të deklaruara më herët.

Në vitin 2010, bashkëshortët Bezati blejnë edhe një shtëpi tjetër në Orikum, duke e çuar në 4 numrin e apartamenteve në total.

Përgjatë kësaj kohe, të ardhurat e tyre ishin paga e gjyqtares Iliba Bezati dhe të ardhurat e bashkëshortit si pedagog në Universitetin publik të Vlorës.

Megjithëse me paga si të punësuar në sektorin publik deri në vitin 2010, Iliba dhe Leonard Bezati kanë shlyer një hua 30 mijë euro, të përdorur për blerjen e një prej katër apartamenteve.

LEXO EDHE  Rrihet brutalisht anëtari i LSI-së në Poliçan/Video

Ndërkohë, në vitin 2011, gjyqtarja deklaron se, në një truall në pronësi të bashkëshortit, është dhënë leje për ndërtimin e një godine shumë-katëshe. Deri në vitin 2017, gjyqtarja nuk deklaron se sa është përfitimi i saj nga kjo kontratë sipërmarrjeje.

Po në vitin 2011, gjyqtarja dhe bashkëshorti i saj deklarojnë në formularët e pasurisë se i kanë dhënë hua një subjekti juridik një shumë prej 1.5 milionë lekë të reja, me interes 8 përqind.

Ky veprim përbën aktin e ndaluar me ligj të “fajdeve”. Legjislacioni shqiptar u lejon dhënien e parave me interes vetëm institucioneve të licensuara për këtë aktivitet, përfshirë bankat dhe institucionet financiare jo bankare.

Ndërsa, për qytetarët është e ndaluar dhe përbën vepër penale. Është interesante të shihet se si do të jetë argumenti i trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për këtë moment në deklarimin e pasurisë së gjyqtares Iliba Bezati.

Makinat, bli lirë, shit shtrenjtë

Një tjetër pikë e diskutueshme në pasurinë e gjyqtares Bezati është shit-blerja e automjeteve. Në vitin 2003, subjekti i rivlerësimit deklaron se ka në pronësi një automjet, të blerë me vlerën 200 mijë lekë të reja.

Në vitin 2005, gjithnjë sipas vetëdeklarimeve të gjyqtares, familja Bezati shpenzon në blerjen e dy automjeteve të tjera, njëri, tip “Golf” me vlerë 100 mijë lekë dhe tjetrin me vlerë 200 mijë lekë.

Në vitin 2007, gjyqtarja deklaron se ka shitur automjetin tip “Golf” për shumën 500 mijë lekë. Pra, rezulton se automjeti është shitur 4 herë më shumë se sa është blerë.

Konflikt interesi?

Vendimi për konfirmimin në detyrë të gjyqtares Iliba Bezati, ndaj të cilës ishin hartuar dy raporte negative për pasurinë dhe pastërtinë e figurës, ngre pikëpyetje mbi cilësinë e vendimmarrjes së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Ilia Bezati është motra e bashkëshortit të kryekomisioneres së Vetingut, Pamela Qirko. Lidhja e tyre nuk është thjesht familjare, por edhe interesash pasurore.

Bashkëshortët respektivë, Leonard Bezati dhe Meland Qirko kanë pasur në pronësi për shumë vite dy kompani, “Meleon” shpk dhe “Meleon Tirana” shpk, të cilat i kanë shitur në vitin 2020.

Pamela Qirko nuk ka qenë pjesë e trupës që realizoi rivlerësimin e gjyqtares-kunatë, Iliba Bezati. Megjithatë, sjellja e trupës së Vetingut, dukshëm favorizuese për gjyqtaren, lë vend për dyshime mbi një ndërhyrje të mundshme të papërshtatshme të drejtueses së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.