Zbulohet lidhja e biznesit mes Pamela Qirkos së KPK dhe gjyqtares që iu rrëzuan raportet negative (Dokumetet)

Nga Boldnews.al

Disa të dhëna nga Qendra Kombëtare e Biznesit që dëshmojnë për lidhjet e ngushta jo vetëm familjare, por edhe biznesi ndërmjet kryetares së Komisionit të Vetingut, Pamela Qirko dhe gjyqtares Iliba Bezati, mund të përbëjnë shkak për ngritjen e dyshimeve për shkelje të detyrës dhe konflikt interesi nga kryekomisionerja e rivlërësimit dhe trupa që po verifikon drejtuesen e Gjykatës së Apelit të Vlorës.

Gjyqtarja Bezati, njëkohësisht motra e bashkëshortit të Pamela ​Qirkos, u përball mesjavën e kaluar me trupën e rivlerësimit, të kryesuar nga Olsi Komici, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtare Brunilda Bekteshi.

Gjatë seancës dëgjimore, trupa e Vetingut rrëzoi dy raporte negative, të dorëzuara për gjyqtaren Iliba Bezati nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPI) dhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) mbi pasurinë dhe integritetin e subjektit të rivlerësimit.

Ky zhvillim, shumë i rrallë për procesin e rivlerësimit, ngriti dyshime në opinionin publik se komisionerët e Vetingut po favorizojnë gjyqtaren Bezati për shkak të lidhjes së saj familjare me kryetaren e KPK-së, znj. Qirko.

Boldnews.al” ka sigruar të dhëna të tjera zyrtare, të cilat dëshmojnë se Qirko dhe Bezati kanë edhe lidhje të forta financiare mes tyre dhe pasuria e njërës afekton drejtëpërdrejtë pasurinë e tjetrës.

Rrjedhimisht, problemet e mundshme me pasurinë e gjyqtares Iliba Bezati, siç konstatoi ILDKPKI, mund të nxjerrin në pah probleme edhe me pasurinë e kryetares së Komisionit të Vetingut, Pamela Qirko.

Biznese të përbashkëta familjare

Bashkëshorti i drejtueses së Komisionit të Vetingut, Pamela Qirkos, është biznesmeni Meland Qirko. Ai është njëkohësisht edhe vëllai i gjyqtares së Apelit të Vlorës, Iliba Bezati.

Meland Qirko ka qenë ortak me 50 përqind në shoqërinë “Meleon” shpk. pjesën tjetër të aksioneve e ka pasur shtetasi Leonard Bezati, bashkëshorti i gjyqtares Iliba Bezati. Pra, Meland Qirko dhe Leonard Bezati janë njëkohësisht kunetër dhe ortakë në biznes.

Leonard Bezati, i cili është subjekt Vetingu, si person i lidhur me gjyqtaren Iliba Bezati, ka deklaruar të ardhurat e tij ndër vite pikërisht nga paga dhe përfitimet si aksioner në kompaninë që ka pasur me Meland Qirkon, bashkëshortin e Pamela Qirkos.

LEXO EDHE  Horoskopi 20 prill 2021, çfarë parashikojnë yjet

Në Shkurt 2020, dy ortakët, Qirko dhe Bezati vendosin të shesin të gjithë aksionet e tyre të kompanisë “Meleon” shpk tek shtetasi G.R.

Kjo kompani nuk është e vetmja pikë ku përputhen interesat financiare mes familjeve Bezati dhe Qirko.

Meland Qirko dhe Leonard Bezati kanë qenë gjithashtu bashkëortakë me 50 përqind secili në kompaninë “Meleon Tirana”.

Në mars 2020, Meland Qirko dhe Leonard Bezati kanë vendosur t’ia shesin aksionet e tyre të njëjtit person, G.R.

Në deklaratat e pasurisë së gjyqtares Iliba Bezati janë shënuar të ardhurat nga paga dhe fitimet si aksioner të bashkëshortit të saj Leonard Bezati.

ILDKPKI, sipas raportit të prezantuar në seancën dëgjimore për gjyqtaren Iliba Bezati, konstatoi problematika me burimin e pasurive, të krijuara nga të ardhurat familjare, pra edhe nga ato që bashkëshorti i saj, Leonard Bezati, ka ndarë me burrin e Pamela Qirkos në kompanitë “Meleon” shpk dhe “Meleon Tirana” shpk.

Pikëpyetjet e ngritura nga ILDKPKI mbi të ardhurat e Leonard Bezatit mund të përbëjnë shkak për të ngritur dyshime edhe mbi pasurinë e (ish) ortakut të tij, Meland Qirko e rrjedhimisht edhe mbi atë të Pamela Qirkos, kryetare e Komisionit të Vetingut.

Për të “shuar” çdo lloj dyshimi mbi kryekontrolloren e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duket se kanë menduar vartësit e saj, Olsi Komici, Lulzim Hamitaj dhe Brunilda Bekteshi.

Ata vendosën të mos i konsiderojnë problemet e gjyqtares së Apelit të Vlorës, Iliba Bezati, duke i hapur rrugën një konfirmimi të mundshëm në detyrë të subjektit të rivlerësimit, si edhe njëkohësisht duke i prerë rrugën aludimeve për probleme me pasurinë edhe të vetë Pamela Qirkos.

Situata duket tërësisht në konflikt interesi dhe vendimarrja e trupës së rivlerësimit mbi gjyqtaren Bezati mund të dëshmojë shumë integritetin e trupës dhe komisionerëve të Vetingut.