Po për Ardit Gjoklajn do e mbjellë një pemë ulliri, Erion Veliaj?

Nga Boldnews.al

Erion Veliaj, Kryebashkiaku i Tiranës, u shfaq sot në krah të familjarëve të Klodian Rashës, ndërsa mbolli një pemë ulliri .

Me atë shprehjen e fytyrës të një pafajshmi, Veliaj tha “ me Qazimin, babain fisnik të Klodian Rashës, e shumë të afërm e miq të familjes, mbollëm një pemë ulliri në Parkun “Europa”, simbol i paqes dhe i vazhdimësisë. i jam mirënjohës familjes Rasha, e cila pavarësisht dhimbjes së madhe, diti të japë mesazhe bashkimi për të mirën e qytetit”.

Veliaj u kujdes që të zgjedhë momentin e mbjelljes së pemës, pikërisht atëherë kur ndodhet nën akuzat për lidhje me mafien.

Ditën që kundër tij në SPAK u depozitua një kallzim penal pas publikimit të përgjimeve të realizuara nga anti-mafia italiane, Veliaj kishte programuar gjithçka, për tu shfaqur si një njeri i dhembshur, si një personazh që ndjen shumë dhe i dhimbsen shumë qytetarët e qytetit që e konsideron të tijin.

Është pikërisht i njëjti kryebashkiak që ndërsa sot ishte gati të qante, jo për dhimbje, por për show, nuk kurseu të shembte banesat e qytetarëve të Tiranës.

I mbani mend pamjet nga stacioni i Trenit apo Unaza e Re? U sulmuan nga policia me gaz lotsjellës ende pa zbardhur dita, dhe mes atyre që iu hodh gazi kishte edhe fëmijë.

E mbani mend se si fadromat e bashkisë nisën shembjen e Teatrit Kombëtar, kur brenda godinës kishte ende njerëz, madje të rinj në moshën e Klodianit, që sot Kryebashkiaku zgjodhi ti mbjellë një pemë ulliri?

Është po i njëjti, që sot u shfaq me atë fytyrën e gjynafqarit, ndërsa në të gjitha episodet e mëparshme, kërciste dhëmbët, kërcënonte dhe tallej.

LEXO EDHE  Zgjedhjet e 25 prillit/ Kryemadhi: Përfaqësimi me dy lista kandidatësh maksimalizon votat

Një ditë më parë, Veliaj u fsheh, madje la edhe biçikletën në selinë e PS-së, doli nga dera e pasme e selisë, pasi ndoshta ende nuk e dinte qëndrimin që do të mbante shefi i tij politik, që kishte 4 ditë që nuk reagonte lidhur me përgjimet.

Erion Veliaj është bërë i dhembshur? Jo, ai thjesht sot shfrytëzoi një moment për t´u shfaqur para kamerave, pa pasur frikën se dikush mund ta pyeste për përgjimet. U shfaq pikërisht pasi Kryeministri, shefi i tij politik, i dha garancinë se përgjimet janë ca dokrra, që edhe sikur 1 mijë padi të bëhen në SPAK nuk kanë asnjë vlerë.

Kryebashkiaku sot u shfaq si “qengj”, me atë pamjen që merr sa herë që ka ndonjë siklet ose hall.

Në vitin 2016, pak pasi kishte marrë detyrën si Kryetar Bashkie, në landfillin e Sharrës, u vra Ardit Gjoklaj. Një krim që u tentua të fshihej, një adoleshent që u vra dhe për të cilin Veliaj nuk shprehu as ndjesë.

U akuzua publikisht për krimin e rëndë, madje u zhvilluan edhe protesta në Tiranë, ndërsa Kryebashkiaku u justifikua në përfundim të një procesi fars, se drejtësia foli.

Sot ai u zotua se sa të kishte mundësi dhe frymë do të ndikonte që drejtësia për Klodian Rashën të shkonte deri në fund, që autori të merrte dënimin e merituar dhe që asnjë prind të mos provonte një vuajtje të tillë.

Po për Ardit Gjoklajn pse nuk e bëri një zotim të tillë?

Dhe në fund: a do të mundet Kryebashkiaku të mbjellë një pemë ulliri edhe për Arditin?