KPK jep vlerësim pozitiv, gjyqtarja Valbona Vata konfirmohet në detyrë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimi ka konfirmuar në detyrë gjyqtaren e Gjykatës së Apelit Shkodër, Valbona Vata pasi hetimi administrativ konfirmoi vlerësim të besueshëm përsa i përket pasurisë dhe figurës dhe kualifikues për sa i përket profesionalzimit.

Valbona Vata është bërë subjekt i procesit të rivlerësimit për shkak të funksionit të saj si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Shkodër. Trupa gjykuese për gjyqtaren Vata – e përbërë nga Xhensila Pine, Valbona Sanxhaktari dhe Etleda Çiftja është shortuar më 15 mars 2019.

Pas shortit janë administruar raportet e vlerësimit nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Pas administrimit të raporteve të institucioneve ndihmëse të vetingut, trupa gjykuese ka ndërmarrë një hetim administrativ të pavarur për subjektin, i cili ka përfunduar me 10 dhjetor 2020, dhe pasi ka marrë shpjegime nga subjekti me datë 22 dhjetor është mbajtur seanca dëgjimore në KPK.

Sipas KPK-së Vata ka qenë bashkëpunuese përgjatë gjithë procesit të rivlerësimit.

Sipas raportit të ILDKPKI të dorëzuar në KPK, deklarimet e subjektit për pasurinë janë të sakta dhe në përputhje me ligjin, gjyqtarja ka burime financiare të ligjshme, nuk ka kryer fshehje pasurie ose deklarim te rremë dhe nuk gjendet në konflikt interesi.

Si pjesë e hetimit administrativ të pasurisë së subjektit, Komisioni hetoi dhe vlerësoi provat dhe deklarimet e subjektit në ILDKPKI si dhe personat e lidhur me të – përfshirë bashkëshortin, prindërit, motrën dhe nipin e subjektit.

Si pjesë e hetimit administrativ KPK ka hetuar një apartament banimi 78 m2 në Shkodër, me vlerë 23475 lekë, ku subjekti i rivlerësimit ka pjesë takuese 25%. Një apartament banimi me sipërfaqe 71.9 m2 në Tiranë dhe vlerë 6.3 milionë lekë; një automjet tip Volsëagen Passat me vlerë 320 mijë lekë të blerë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

LEXO EDHE  Ndez zjarr për të djegur plehrat por asfiksohet, humb jetën 69-vjeçari

Për sa i përket aseteve të luajtshme dhe të paluajtshme të subjektit, KPK ka konstatuar një mungese burimesh prej 152 mijë lekë në vitin 2010, që kanë shërbyer për blerjen e apartamentit në Tiranë. Megjithatë, duke u bazuar në parimin e proporcionalitetit, Komisioni arsyeton se subjekti ka arritur të justifikojë burimin e ligjshëm të pasurive dhe të ardhurave që kanë shërbyer për ngritjen e tyre.

Komisioni konstaton se subjekti dhe personat e lidhura gjatë deklarimeve periodike në ILDKPKI nuk ka deklaruar llogari bankare me shumë të vogla. Subjekti i ka justifikuar këto pasaktësi si të paqëllimshme dhe burimi i tyre është i ligjshëm.

Gjithashtu, pas pasi analizoi të ardhurat, pasuritë dhe shpenzimet e personave të lidhur me subjektin, KPK del në konkluzionin se ato kanë pasur të ardhura të ligjshme të mjaftueshme për përballimin e shpenzimeve dhe krijimin e pasurive.

Për sa i përket pastërtisë së figurës, gjyqtarja Valbona Vata është vlerësuar pozitivisht nga grupi i punës në Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK. Ky vlerësim është konfirmuar edhe nga hetimi i pavarur i KPK-së për pastërtinë e figurë së subjektit.

Edhe përsa i përket kriterit të profesionalizmit, gjyqtarja Valbona Vata është vlerësuar “e aftë” nga KPK, pasi ka treguar cilësi të pranueshme në punë, gjykim të drejtë, ka respektuar të drejtat e palëve dhe është eficente në masë të pranueshme.

Duke u bazuar mbi vlerësimin pozitiv në të tre kriteret e vetingut, KPK ka konfirmuar në detyrë gjyqtaren Vata. /BIRN/