“Tirja” është mendësia që Edi Rama instaloi si sukses të Rilindjes

Nga Boldnews.al

Tirja, personazhi i bërë publik dhe i sjell me bujë nga një emision televiziv zbuloi majën e një ajsbergu, mbi atë se ku është katandisur ky shtet dhe në veçanti një prej sistemeve më jetike, ai i shëndetësisë.

Pavarësisht denoncimeve të vazhdueshme mbi abuzimet me fondet qindra miliona euro, konçensioneve apo çdo keqpërdorimi që iu bë sistemit shëndetësor, duhej një Tire që të paktën të trondiste opinionin.

Tirja është një nga personazhet, ndoshta më pak i rrezikshmi në gjithë mendësinë e instaluar, pavarësisht se në sytë e opinionit ajo u shfaq si ato shtrigat në filmat për fëmijë, që ka gjithçka të keqe në dorë.

Në fakt Tirja, ajo sanitarja që u denoncua se kishte përfituar 8 mln lekë nga të afërm të të pacienteje, që fatkeqësisht humbi jetën në spitalet Covid, është pasqyra e asaj që është trumpetuar si sukses.

Nëse Tirja do të ishte më e zgjuar, sot ajo nuk do të ishte në bankën e të akuzuarve, por do të vazhdonte punën e saj, ndoshta do të nderohej për përkushtimin, madje mund të shfaqej edhe duke mbledhur vota për Rilindjen.
Fatmirësisht ose fatkeqësisht, fatin e Tires tani e dimë, do të dënohet përsa i jep ligji, ndërsa pyetja që lind është: edhe sa Tire të tjera kemi sot në zyrat e shtetit?

Tirja, për sa është shfaqur na rezulton jo thjesht një sanitare, por ajo paska qenë e plotëfuqishme në spitalin Shefqet Ndroqi.

Nga denoncimet e njërës prej zonjave thuhet se e ëma e saj i ka thënë “nuk më japin për të ngrënë edhe ujin ma kanë prerë sepse nuk ka njeri që mund të më ndërroj bebelinën, por mos thuaj gjë se mos më bëjnë ndonjë vaksinë dhe vdes fare”.

Pra kjo sanitare, nëse qenka rast i izoluar sikundër deklaron Kryeministri, paska vënë në rrjesht infermierë, mjekë, shefa pavionesh, madje gjithë strukturën drejtuese të spitalit.

Për një moment le të pranojmë këtë variant. Sërisht është një dështim, jo i vogël. Si ka mundësi që një sanitare të komandojë një spital të tërë, pra jeta e një pacienti të varet pikërisht nga duart e Tires?

Nëse kjo ka ndodhur vërtet, atëherë e gjithë struktura drejtuese e spitalit duhet të ndjehet e turpëruar, jo se Tirja paska mashtruar familjarët e një apo disa pacientëve, por sepse ato s´paskan pasur kurajo të bëjnë zap një sanitare. Dhe pa e banalizuar pyetja që lind është: çfarë detyrimi apo frike kanë pasur nga Tirja që kanë heshtur?

Sigurisht që rasti i Tires nuk mund të përgjithësohet, as që me të, të identifikohen të gjithë bluzat e bardha, qofshin sanitare, mjekë apo infermierë, por as mund të pranohet kështu si aforfe se sanitarja që sot ndodhet në burg, paska qenë Zot në spitalin Shefqet Ndroqi.

LEXO EDHE  Kreu veprime të turpshme ndaj të miturit, arrestohet 45-vjeçari

Është i njëjti spital ku të paktën 4 pacientë janë vetëvrarë, duke u hedhur nga lartësia. Prokuroria thuhet se po heton mbi këto vetëvrasje, mjekët kanë nxituar të justifikojnë veprimet e pacientëve ose me faktin se ato kanë pasur probleme të çrregullimit mendor, ose janë pasojat e Covid-19. Megjithatë sot pas disa muajsh nga Prokuroria nuk ka një përcaktim sepse pacientët e “Shefqet Ndroqi” janë vetëvrarë.

Në një vend normal, Prokuroria duhej minimalisht të kishte dalë me një konkluzion, qoftë edhe formal. Dhe në vend të këtij konkluzioni sot duket se u gjet fajtori: një sanitare, e cila duke shfrytëzuar një moment kritik, mashtroi familjarët e një prej pacientëve, duke i marrë shuma të konsiderueshme në emër të përkujdesjes ndaj të afërmes që ndodhej e shtruar në spital.

“Nuk ka pyll pa derra”, tha Edi Rama, duke na e paraqitur situatën si një ngjarje të rëndomtë dhe jo një kalbëzim të plotë të sistemit të ngritur nga ai vetë.

“Mjekët janë heronj”, nxitoi të deklaronte, a thua se ndaj mjekëve u hodhën akuza, apo dikush i linçoi. Në fakt i vetmi që deri më sot ka linçuar mjekët, i ka përdorur apo i ka përfshirë në lista të zeza, është vetë Kryeministri. Këtu mjafton të kujtoni atë listën e famshme të muajve të parë kur morri pushtetin, ku nuk kurseu të përfshinte edhe emra mjekësh.

Në 8 vitet e tij si Kryeministër, Edi Rama ka treguar se ka një problem: që sa herë kapet “mat”, jo si individ, por me sistemet që promovon si suksese, bëhet palë me të keqen.

Kjo ka ndodhur me Elvis Roshin, Sajmir Tahirin, Gerond dhe Fatmir Xhafaj, Rrahjat, Salillarin, Fushën dhe çdokënd tjetër që në këtë vend është akuzuar. Nuk është rastësi, por siç duket është një mendësi që Kryeministri e ka të rrënjosur dhe vështirë që mund të ndahet.

Kjo ndodhi edhe me Tiren, jo si individ, por si fenomen. Kryeministri nxitoi ta paraqesë si një rast të izoluar, njëlloj sikundër ndodhi me deputetët, ministrat dhe kryebashkiakët që për shkak të problemeve me dekriminalizimin apo të tjera vepra penale, u konsideruan si raste të izoluara.

Por po ti mbledhësh të gjitha bashkë, nuk janë më raste sporadike, as rastësi, por tregojnë në thelb frymën që vetë Rama instaloi nga dita e parë që u ul në karrigen e Kryeministrit. Ai s´mund të qëndrojë në atë karrige pa një Tire, pa një Gerond, pa një Sajmir, Fatmir apo pa grupin e oligarkëve që i puth në ballë kur ndërtojnë nga një shtëpi, ndërsa në anën tjetër i shemben rrugë.