Piktori synon të mbulojë të kaluarën e “vëllait” të vet, Vuçiçit!

Nga Kim Mehmeti

Që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë e këtej, Kosova dhe shqiptarët jashtë kufijve të mëmëdheut, ishin dhe mbetën pasqyra e paaftësisë së Tiranës zyrtare që t’i kundërvihet diplomacisë serbe dhe që t’ i demaskojë e luftojë qarqet antishqiptare të Beogradit.

Jo vetëm sot, por edhe në të shkuarën, shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë, Tirana zyrtare i ka trajtuar thuajse si të marrë peng nga shtetet fqinje, por për fatin e të cilëve e ka ngritur zërin vetëm kur ka dashur ta mbulojë keqqeverisjen e vet dhe disfatën që kanë përjetuar vëllezërit tanë të mëmëdheut.

Dhe që nga mëvetësimi i Shqipërisë dhe copëzimi i shqiptarisë, Kosova ishte dhe mbeti djepi i atdhetarisë shqiptare, por njëkohësisht, edhe kalendari i dhembshëm i manipulimeve të shumta që Tirana zyrtare ia bëri asaj, edhe atë vetëm që t’i sundonte më lehtë shqiptarët e mëmëdheut.

Dhe nga ky këndvështrim duhet parë edhe grindja e fundit mes pozitës dhe opozitës shqiptare, të nxitura nga Piktori, e që ka të bëjë me të shkuarën kosovare të Kryetarit të PD’së.

Nga ky këndvështrim duhet shikuar edhe mbledhjet e përbashkëta të qeverisë së Piktorit me atë të Kosovës, të cilat takime, përpos ahengut të përbashkët, kanë për qëllim edhe ta largojnë nga mendësia shqiptare të vërtetën se Shqipëria e Kosova nuk kanë nevojë për mbledhjet të përbashkëta qeveritare, por për qeveri të përbashkët.

Por çka do që të ketë ndodhur në të shkuarën, duhet pranuar se shqiptarisë kurrë nuk i ka ndodhur ta përjetojë turpin e sotëm, e që ka të bëjë me atë se kryeministri i Shqipërisë të jetë më i pëlqyer për Beogradin se sa për Prishtinën e për Shkupin.

Siç nuk ka ndodhur kurrë që Kryeministri i mëmëdheut tonë të ngrejë akt-akuzë kundër heroit që ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga robëria serbe, e të vëllazërohet me Vuçiçin që ka marrë pjesë në realizimin e projekteve shfarosëse antishqiptare.

Andaj përçarja dhe grindja e fundit ndërshqiptare në Tiranë, duhet shikuar nga këndvështrimi se nga ajo ka dobi vetëm Beogradi dhe se Piktori atë e ka nxitur jo pse ka për qëllim ta shpalosë të shkuarën kosovare të kryetarit të opozitës, por për ta mbuluar të kaluarën kriminale të ‘vëllait’ të vet – Vuçiçit.

LEXO EDHE  Djemtë e Tom Doshit dhunojnë moderatorin e njohur, policia fsheh ngjarjen! Detajet

Dhe ai ka nevojë ta mbulojë këtë të shkuar të Presidentit serb sepse i frikohet asaj më shumë se vet Vuçiçi. I frikohet sepse Piktori e din se çdo shqiptarë që ka tru për të menduar e sy për të parë duhet ta shtrojë pyetjen e logjikshme: ç’është ajo që Piktorin e bënë aq të afërt me Presidentin serb, të cilin vetë qarqet serbe e akuzojnë për pjesëmarrje në krimet e bëra mbi viktimat e pafajshme myslimane e shqiptare.

Dhe duke u frikuar nga pyetjet se si u bë aq i afërt me një politikanë që është rritur politikisht duke ‘shkelur’ edhe mbi kufomat shqiptare, Piktori tani don që të gjithë të grindemi me të gjithë dhe tani vepron sipas parimit: sa ma e madhe është zhurma, aq më i trashë është jorgani që e mbulon turpin e tij!

E ndërkohë jo se ai nuk e dinë se nga e gjitha kjo zhurmë përfiton vetëm Beogradi dhe qarqet antishqiptare që fabrikuan dëshmi të rrejshme për shtëpi të ‘verdha e të kuqe’, por ai nuk ka rrugë tjetër, ngaqë fatin e vet politikë e ka lidhur me atë të pushtetarëve serb.

Dhe jo se ai nuk e dinë se për parlamentin shqiptar është e turpshme të ngrejë komision që do e hulumtojë të shkuarën kosovare të Kryetarit të PD’së, por pa sjellë as një rezolutë të vetme për t’i dënuar krimet serbe mbi shqiptarët e Kosovës, por ai nuk ka si të kthjellet nga politika me ‘shlivkë’ serbe, e cila, siç duket, e ka dehur aq keq sa të ndjehet më mirë në Beograd se sa në Prishtinë.

Dhe gjithsesi ai nuk e rrënoi Teatrin Kombëtar, e nuk përçau shqiptari pse është antishqiptar, apo pse është tradhtar i kombit, por pse i mungojnë ndjenjat kombëtare dhe pse e ka të trashëguar gjenin e politikanit që gjithmonë ndjehet inferior ndaj burrështetasve serbë dhe që e ka adhuruar Beogradin!

Andaj edhe shpeshherë, kur e sheh Piktorin e buzëqeshur pranë Vuçiçit, e të vrenjtur krahë politikanëve kosovarë, të vijnë edhe mendime perverse dhe thua; mos vallë ky njeri ka në plan që pas 25 prillit të vitit të ardhshëm, nëse i humb zgjedhjet, karrierën politike ta vazhdojë ne Beograd. Edhe atë si një nga drejtuesit e projektit serb, si një nga udhëheqësit e ‘Mini Shengenit ballkanik’?!