Arsimimi ndër shqiptarë: dje dhe sot

Nga Ilir Kalemaj

Një nga shenjuesit kryesorë të diferencimit socio-kulturor, por edhe politiko-ekonomik të vendeve të Perëndimit ndaj atyre të Lindjes (ne kontekstin evropian), është padyshim niveli aktual i edukimit të popullsisë, si dhe tradita në këtë fushë. Me këtë kemi parasysh sesa është përqindja e analfabetizmit, sa është përqindja e nxënësve që kryejnë të plotë arsimin e detyruar, sa prej tyre mbarojnë gjimnazin dhe shkojnë në shkollë të lartë si dhe numri i atyre që vazhdojnë studime të thelluara. Gjithashtu i rëndësishëm është evoluimi historik pasi ndihmon të kuptojmë disa nga shkaqet strukturalë që kanë penguar/stimuluar trendet që vihen re në ditët e sotme. Për shembull disa nga qendrat universitare të para në Evropë janë Universiteti i Bolonjës themeluar më 1088, Univesiteti i Parisit, dy vjet më vonë apo Univesiteti i Oksfordit në 1096-ën. Qendra ekselence këto që vazhdojnë të ruajnë traditën e shkëlqyer edhe sot e kësaj dite. Por si paraqitet situata në disa prej vendeve të rajonit ku bëjmë pjesë dhe a mund të hiqen paralele mes zhvillimit që ka patur arsimi në trojet shqiptare me disa nga fqinjët e drejtëpërdrejtë?

Për të cituar vetëm disa nga të dhënat që gjejmë për evolucionin e sferës së institucioneve në republikat ish-Jugosllave, duke iu referuar Ivo Lederer-it, gjejmë se në Pashallëkun e Beogradit që në 1810-ën kishte dy shkolla fillore. Në Mal të Zi shkolla e parë u themelua në 1834-ën. Për mos të folur për Kroacinë që numëronte njëzet e katër shkolla fillore që në 1767-ën apo Slloveninë që në mes të shekullit të 19-të numëronte më tepër se 1000 shkolla fillore. E njëjtë paraqitet gjendja edhe përsa i përket gjimnazeve dhe shkollimit të mesëm profesional ku Kroacia kishte 8 të tillë dhe një insitut pedagogjik në të njëjtën periudhë, ku i pari ishte themeluar që në shekullin e 16-të dhe Akademinë e Zagrebit (pararendësen e Universitetit shtetëror) themeluar që në vitin e largët 1632. Serbinë e gjeti dekada e parë e shekullit të 20-të me 12 shkolla të mesme të përgjithshme, dy institute pedagogjike, pesë shkolla tregtie dhe profesionale dhe një Universitet. Kjo është pak a shumë panorama që na jepet nga statistikat e disa prej vendeve fqinjë.

Nëse e krahasojmë me disa të dhëna për gjendjen në Kosovë, ku gjejmë të tilla për periudhën pas luftës së dytë botërore te ‘Kosova: një histori e shkurtër’ e N. Malkolmit, gjejmë se “pak para LFD-së kishte vetëm 252 shkolla fillore në Kosovë, të cilat jepnin mësim vetëm në serbisht.., ndërsa rreth fundit të 1945-ës kishte rreth 392, ku klasat në serbisht ishin 392, ndërsa ato shqip 279.” Gjithashtu i njëjti autor përmend se “për shkak të politikave Otomane dhe jugosllave të kombinuara, më tepër se 74 përqind e shqiptarëve të Kosovës mbi moshën 10 vjeç ishin analfabetë. Kishte vetëm 300 mësues, nga të cilët rreth 50 ishin nga Shqipëria. Më vonë, me lëshimet që u bënë me kushtetutën e 74-ës, shumë pedagogë të UT-ës patën mundësinë të shkonin dhe të punonin në Universitetin e Prishtinës.

Në periudhën e viteve 90-të një tablo të gjendjes në arsim në Kosovë na e jep Denisa Kostovicova në librin e saj “Kosova: Politika të Identitetit dhe Hapësirës”, duke u fokusuar vencarisht te edukimi paralel i cili ishte një nga shfaqjet më patriotike të shqiptarëve të Kosovës dhe formë rezistence aktive ndaj represionit në rritje në institucionet shtetërore. Por nga ana tjetër, ky lloj formimi krijoi dhe handikape të rëndësishëm duke parë mungesat infrastrukturore, si laboratorë etj, por edhe të masës kritike të stafit të kualifikuar, që con drejt një ridimensionimi dhe energjie të dyfishtë që kërkohet në këtë periudhë tranzicioni për të rikuperuar kohën e humbur dhe kapjen e trenit në kohë. Një ndihmë e shkëlqyer në këtë proces mund të jetë edhe shkollimi sidomos në nivel pasuniversitar në qendra ekselence nëpër botë që shumë shqiptarëve të Kosovës ju dha mundësia të kryejnë gjatë kësaj periudhe. Mekanizmat e brain gain natyrisht duhet të luajnë një rol të dorës së parë në këtë drejtim. Por edhe fakti që thuajse të gjithë universitetet kaluan në sitën e vlerësimit ndërkombëtar para pak kohe, mundësoi një reformë të mirëpritur, diferencim mes institucionesh arsimorë dhe vendosjen e rregullave të lojës bash në fazat e para të zhvillimit të këtij tregu të dijes, që në vendin fqinj, ende nuk eshte bitisur.

LEXO EDHE  Koronavirusi dhe Skënderi si “virusi” i propagandës

Nëse në Kosovë ka patur probleme të rëndësishme që nuk lidheshin vetëm me situatën e përbrendshme por edhe me gjeopolitikën e rajonit dhe mungesën e autonomisë vendore, të paktën deri në 74-ën dhe më pas për një periudhë që zgjati mbi një dekadë në vitet 80-të dhe 90-të, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për vendin amë, ku megjithëse shkolla e  pare shqipe u hap vetëm në 7 mars 1887 dhe Universiteti 70 vjet më vonë, në 1957-ën, pra në rastin më të mirë dekada apo shekuj mbrapa fqinjëve më të afërt, gjasat ishin që zhvillimi të kishte qenë cilësisht më i arrirë. Kjo për shkakun se nuk ekzistonin ato lloj barrierash si në Kosovë, që nuk vareshin prej shqiptarëve, si dhe mundësitë më të mira, për shkak se dhe disa prej profesorëve të brezit të parë kishin formim universitar jashtë vendit në institucione prestigjioze të Lindjes apo Perëndimit, ndonëse këta të fundit më të rrallë. Por fryma dogmatike dhe ideologjike enveriste e mbyti në gjenezë atë lloj mendimi kritik duke aplikuar një lloj metodologjie të ngurtë sovjetike, si dhe izolimi i gjatë prej gati mëse 50 vjetësh, bën të mundur një lloj prapambetje të përligjur ndonëse irracionale. Gjithsesi një nga meritat e pakta që pati, ishte shkollimi bazë i detyruar dhe kurset kundër analfabetizmit, çka bën të mundur që statistikisht Shqipëria të renditet ndër vendet me shkallën më të ulët të analfabetizmit në botë dhe vazhdimi i kultivimit të pasionit për dijen mbeti në traditën e hershme.

Ky trend pozitiv vazhdon edhe sot dhe treguesit më të mirë janë si rezultatet përgjithësisht të shkëlqyera që arrijnë nxënësit dhe studentët shqiptarë nëpër botë, por edhe flukset gjithnjë e në rritje të nxënësve që mbarojnë shkollën e mesme drejt auditoreve universitare. Natyrisht, më tepër punë duhet bërë për arsimin e detyrueshëm, atë profesional, dhe luftën ndaj analfabetizmit në zonat ku mungon tërësisht infrastruktura dhe ku vazhdon të mos ndjehet mjaftueshëm dora e shtetit. Por disa nga trendet pozitive në reforma si tekstet alternative, matura shtetërore, stimulimi i kthimit të trurit, reformat për shpërhapjen e internetit masivisht çka shërben si dhe testimi dhe rikualifikimi mësuesve dhe stafit pedagogjik, vëmendje në rritje ndaj kërkimit shtetëror dhe reforma të ngjashme duket se janë në rrugë të mbarë dhe në pararojë të sfidave gjithnjë e më komplekse që përballon arsimi, ose u zhbënë, ose u hodhën poshtë si reforma nën premisën e tokës zero ku gjithcka dhe përherë fillon nga zero. Rritja e vëmendjes për arsimin duke pasur disa parime bazë si liberalizëm me cilësi, arsim dinjitoz për një punësim të sigurtë, ekonomia e dijes etj, janë parakushte për një sistem cilësisht më të garantuar dhe konkurrues në rajon ose minimalisht për mbijetesën afatshkurtër të sistemit arsimor shqiptar.

*Shkruar enkas për BoldNews.al