KLP “lodhet” nga vonesat e KPK: “Kandidatët për shefa prokurorie do i Vetojmë vetë”

Nga Boldnews.al

Procesi i emërimit të drejtuesve të prokurorive pritet të vendosë së shpejti në një kurs përplasjeje Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK).

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur që të kryejë vetë Vetingun e kandidatëve për shefa të prokurorive lokale, në një garë që pritet të hapet pas pak ditësh.

Ky vendim, i cili duket se mbivendoset me kompetencat e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, është marrë në mbledhjen e KLP-së, të zhvilluar mesditën e kësaj të Marte.

“Këshilli vlerësoi se procesi i vettingut nuk duhet të pengojë e aq më pak të shërbejë si justifikim që Këshilli të mos realizojë procese shumë të rëndësishme për karrierën e prokurorëve ku përfshihet edhe ngritja në detyrë”, thuhet në një njoftim zyrtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Sipas “qeverisë së prokurorëve”, në “këto procese (të ngritjes në detyrë) ligji i ngarkon në mënyrë eksplicite Këshillit të drejtën dhe detyrën (pra kompetencën) për të kryer verifikimin e pasurisë dhe figurës së kandidatëve dhe më pas të kryejë edhe procedurat e vlerësimit dhe pikëzimit të kandidatëve. Këtë kompetencë që ligji i ka dhënë Këshillit, ai nuk mund t’ia delegojë një organi tjetër, siç është Komisioni i Pavarur të Kualifikimit”.

Ky qëndrim i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dëshmon se ai duket i lodhur nga pritja e procedurave të stërgjaturave të strukturave të Vetingut, ndërkohë që prej tre vitesh shumica e strukturave lokale janë me drejtues të komanduar.

Por, vendimi i KLP-së krijon përplasje me kompetencat e KPK-së.

Kushtetuta dhe ligji për rivlerësimin kalimtar njeh vetëm strukturat e Vetingut, Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjin e Posaçëm të Apelimit si institucionet përgjegjëse për verifikimin e trefishtë të gjyqtarëve dhe prokurorëve në detyrë.

Ndërkohë, ligji i njeh Këshillit të Lartë të Prokurorisë kompetencën e Vetingut vetëm për kandidatët për magjistratë, pra për studentët e rinj të Shkollës së Magjistraturës të profilit prokuror.

LEXO EDHE  Horoskopi 29 nëntor 2020/ Njihuni me parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

Këshilli i Lartë i Prokurorisë e mbështet vendimin e tij për të kryer Vetingun e kandidatëve për drejtues të Prokurorive, në faktin që kuadri drejtues në sistemi prokurorial ka nevojë emergjente për t’u formalizuar.

Prej tre vitesh, rreth 14 nga 23 prokurori të shkallës së parë dhe 5 nga 6 prokuroritë e Apelit drejtohen nga titullarë të komanduar.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë besohet se ka vendosur të kryejë verifikimin e pasurisë dhe figurës së kandidatëve për drejtues, duke shpresuar të shkurtojë kohën e procedurave dhe të vijojë me emërimin përfundimtar të kandidatëve fitues.

Por, kjo lëvizje e Këshillit të Lartë të Prokurorisë duket se fsheh edhe një tentativë të një pjese të anëtarëve, sidomos të atyre që u mbaron mandati pas rreth 1 viti, që të emërojnë drejtuesit e prokurorive para se të largohen nga detyra.

Përtej asaj që mund të konsiderohet si “vullnet pozitiv” për të formalizuar emrat në drejtimin e prokurorive, KLP duket se nuk është në gjendje të japë një përgjigje të qartë se përse nuk ka vepruar më herët me emërimin e drejtuesve të prokurorive, por ka pritur procedurat e Vetingut.

Nga ana tjetër, vendimi i KLP-së nuk jep përgjigje nëse Vetingu i realizuar prej tij ka të njëjtën efekt në karrierën e prokurorëve me procesin e rivlerësimit të kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe çfarë ndodh nëse KPK “ngel” në klasë kandidatët e kualifikuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.Vetingu i realizuar prej tij ka të njëjtën efekt në karrierën e prokurorëve me procesin e rivlerësimit të kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe çfarë ndodh nëse KPK “ngel” në klasë kandidatët e kualifikuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.